Back

PËR VITIN SHKOLLOR 2013-2014 NË SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR

UDHËZIM
Nr. 46, datë 23.8.2013
PËR VITIN SHKOLLOR 2013-2014 NË SISTEMIN ARSIMOR PARAUNIVERSITAR


Në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”,


UDHËZOJ:
KREU I
STRUKTURA E VITIT SHKOLLOR 2013-2014


Sesioni i provimeve të teorisë dhe praktikës profesionale të integruar për shkollat profesionale të jetë:
Niveli I dhe niveli II 4 - 18 qershor 2014.
Niveli III 12 - 23 maj 2014.
Provimet e formimit teorik dhe praktik në shkollat artistike, sportive dhe gjimnazet gjuhësore të zhvillohen në periudhën 12 deri më 23 maj 2014.
Këto provime të vlerësohen me notë, e cila nuk përfshihet në mesataren e përgjithshme.
Arsimi profesional me kohë të pjesshme të ketë të njëjtat struktura për zhvillimin e mësimit dhe të provimeve të niveleve si arsimi profesional me kohë të plotë.
5. Provimet e maturës shtetërore
Provimet e Maturës Shtetërore 2014 të zhvillohen më 31 maj – 30 qershor 2014.
Rregullorja e zhvillimit të provimeve të Maturës Shtetërore, si dhe udhëzimet përkatëse do të miratohen nga Ministri.
Në zbatim të nenit 51 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, në vitin shkollor 2013-2014, në provimet e përbashkëta të Maturës Shtetërore të futet, për herë të parë, dhënia e provimit të gjuhës së huaj.
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave të marrin masa për realizimin cilësor të detyrimit ligjor, duke krijuar të gjitha kushtet për mbarëvajtjen e studimit të gjuhës së huaj.


KREU II
KUADRI NORMATIV DHE RREGULLUES I VEPRIMTARISË SË INSTITUCIONEVE ARSIMORE
Veprimtaria e institucioneve të arsimit parauniversitar të realizohet në zbatim të legjislacionit në fuqi dhe, në veçanti, të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të urdhrave dhe udhëzimeve të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës që janë në fuqi, si dhe akteve të reja nënligjore, të nxjerra në mbështetje të këtij ligji, si më poshtë:

Dispozitat Normative për sistemin arsimor parauniversitar, 2013
- Kuadri normativ dhe rregullues i veprimtarisë së institucioneve arsimore, kreu II i udhëzimit nr. 16, datë 24.7.2012 “Për vitin shkollor 2012-2013 në sistemin arsimor parauniversitar”.
- Udhëzimi nr. 21, datë 2.8.2013 “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave për dhënien e medaljes së artë”.
- Udhëzimi nr. 23, datë 2.8.2013 “Për ndjekjen e gjimnazit me kohë të pjesshme”.
- Udhëzimi nr. 24, datë 2.8.2013 “Për certifikimin e hartuesve të teksteve dhe vlerësuesve në provimet kombëtare”.
- Udhëzimi nr. 25, datë 2.8.2013 “Për organizmin dhe funksionimin e qeverisë së nxënësve”.
- Udhëzimi nr. 26, datë 2.8.2013 “Për përcaktimin e detyrave dhe funksioneve të këshillit të mësuesve”.
- Udhëzimi nr. 27, datë 2.8.2013 “Për bordin e institucionit arsimor”.
- Udhëzimi nr. 28, datë 2.8.2013 “Për pajisjen e nxënësve me dëftesë klase”.
- Udhëzimi nr. 29, datë 2.8.2013 “Për procedurat e ndjekjes së arsimit bazë me kohë të pjesshme”.
- Udhëzimi nr. 30, datë 2.8.2013 “Për rregulloren tip të institucioneve arsimore”.
- Udhëzimi nr. 31, datë 2.8.2013 “Për procedurat e ndjekjes së arsimit bazë për nxënësit që nuk kanë ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë”.
- Udhëzimi nr. 34, datë 2.8.2013 “Për planifikimin e fondeve buxhetore dhe ndjekjen e procedurave të prokurimit për blerjen e librave të institucioneve arsimore publike”.
- Udhëzimi nr. 36, datë 13.8.2013 “Për procedurat për arsimimin e fëmijëve të ngujuar”.
- Udhëzimi nr. 37, datë 13.8.2013 “Për kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të këshillit vendor të arsimit parauniversitar”.
- Udhëzimi nr. 38, datë 13.8.2013 “Për arsimin e individëve të moshës shkollore në institucionet e përkujdesjes shoqërore”.
- Udhëzimi nr. 40, datë 15.8.2013 “Për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të nëndrejtorit të institucionit arsimor publik”.
- Udhëzimi nr. 41, datë 19.9.2013 “Për procedurat e emërimit dhe të largimit të mësuesit në institucionin e arsimit publik”.
- Udhëzimi nr. 42, datë 19.8.2013 “Për procedurat e emërimit dhe shkarkimit të drejtorit të institucionit arsimor publik”.
- Udhëzimi nr. 44, datë 21.8.2013 “Për përcaktimin e kritereve dhe procedurave të njëvlershmërisë së dëftesave dhe diplomave të nxënësve të arsimit parauniversitar të ardhur nga jashtë vendit”.
- Urdhri nr. 344, datë 19.8.2013 “Për ngritjen e njësisë së shërbimit psiko-social”.


KREU III
PROGRAMET DHE TEKSTET MËSIMORE
1. Arsimi parashkollor
Veprimtaria edukative-mësimore në kopshte të zhvillohet në zbatim:
- të programit të arsimit parashkollor për grup-moshat 3-4, 4-5 dhe 5-6-vjeçare;
- të standardeve të përmbajtjes në arsimin parashkollor;
- të standardeve të arritjes në arsimin parashkollor;
- të udhëzuesit praktik për mësuesit që punojnë me fëmijët e moshës 3, 4 dhe 5 vjeç, si dhe fletët e punës për fëmijët, të publikuar në faqen zyrtare të MASH-it: www.mash.gov.al, rubrika: “Mësuesi/udhëzues metodik”.
DAR/ZA-të të marrin masa:
- për regjistrimin me përparësi në klasat përgatitore të fëmijëve 5-vjeçarë që nuk kanë ndjekur më parë kopshtin;
- për shfrytëzimin e kapaciteteve ekzistuese të kopshteve me ose pa ushqim për fëmijët 3-5 vjeçarë;
- për regjistrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijëve të komunitetit rom, egjiptian dhe fëmijëve të familjeve në nevojë;
- për identifikimin dhe mbështetjen me plane edukative individuale qysh në kopsht të fëmijëve me nevoja të veçanta.
2. Arsimi bazë
Drejtoritë e shkollave dhe mësuesit, krahas kultivimit të qëndrimeve e aftësive dhe përvetësimit të njohurive nga nxënësit, që parashikojnë programet lëndore, t’u kushtojnë vëmendje të posaçme:
- përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në procesin e mësimdhënies dhe të të nxënit;
- integrimit lëndor në çdo fushë të nxëni dhe ndërmjet fushave të të nxënit;
- zhvillimit të të menduarit kritik, krijues, të zgjidhjes së situatave problemore, të punuarit e pavarur individual dhe në grup.
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave të ndjekin me përparësi:
- mësimin e gjuhës së huaj nga klasa e tretë dhe, sipas parapëlqimeve të nxënësve dhe mundësive të shkollës, mësimin e gjuhës së huaj angleze, frënge dhe italiane, në respektim të parimit të shumëgjuhësisë;
- vijimësinë e studimit të gjuhës së huaj të parë dhe të dytë nga arsimi bazë në arsimin e mesëm të lartë.
DAR/ZA-të, në zbatim të programit “Iliria”, brenda datës 20.9.2013, të raportojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar, pranë MASH-it, emrat e shkollave, numrin e klasave dhe numrin e nxënësve që do të mësojnë gjuhen italiane duke filluar nga klasa e 3-të.
Drejtoritë e shkollave:
- të sigurojnë zhvillimin cilësor të modulit “Edukimi për karrierën” në klasën e 9-të;
- të mbështesin zbatimin e modulit të edukimit ekonomik, si pjesë e kurrikulës me zgjedhje në arsimin fillor, përgatitur nga MASH-i dhe Banka e Shqipërisë;
- të sigurojnë, si çdo vit, zhvillimin e 10 orëve mësimore për të Drejtën Ndërkombëtare Humanitare (DNH), në lëndën e edukatës shoqërore në klasën e tetë;
- të ndjekin me përparësi arsimimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkollat e zakonshme, duke hartuar dhe zbatuar plane edukative individuale sipas procedurave të parashikuara në Dispozitat Normative 2013.
Paketa Kurrikulare e Arsimit Bazë
Bazuar në ligjin për sistemin arsimor parauniversitar 69/2012 në vitin shkollor 2015-2016 do të nisë zbatimi i kurrikulës së re të arsimit bazë, e miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës. Paketa e re kurrikulare e arsimit bazë përbëhet nga:
1. Korniza kurrikulare e arsimit parauniversitar (miratuar me datë 17.6.2013);
2. Plani mësimor i arsimit bazë (miratuar me datë 17.6.2013);
3. Standardet e të nxënit 1-9 (miratuar me datë 17.6.2013);
4. Programet lëndore 1-9 (miratuar me datë 10.6.2013).
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave të planifikojnë veprimtari, të cilat do të kontribuojnë në njohjen e mësuesve të arsimit bazë me strukturën dhe përmbajtjen e kurrikulës së këtij niveli arsimor. Paketa e plotë kurrikulare, e miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, gjendet e publikuar në sitin e IZHA-së www.izha.edu.al. Instituti i Zhvillimit të Arsimit gjatë vitit shkollor 2013-2014 të hartojë Udhëzuesit Kurrikularë të Arsimit Bazë, të cilët do të shërbejnë si bazë metodologjike dhe formuese për mësuesit, drejtuesit, specialistët e arsimit parauniversitar, si edhe për fakultetet e mësuesisë të universiteteve.
3. Arsimi i mesëm i lartë
3.1 Gjimnazet
Drejtoritë e gjimnazeve dhe mësuesit, krahas zbatimit cilësor të kurrikulës bërthamë dhe asaj me zgjedhje të detyruar, t’i kushtojnë vëmendje të posaçme realizimit cilësor të kurrikulës me zgjedhje të lirë.
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e gjimnazeve të vlerësojnë cilësinë e hartimit dhe të zbatimit të kurrikulës me zgjedhje të lirë, në përgjithësi, dhe të shërbimit komunitar, në veçanti.
Brenda muajit dhjetor 2013, DAR/ZA-të, t’i dërgojnë Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar në MASH raportin vlerësues të zbatimit të kurrikulës me zgjedhje të lirë për tre vitet shkollore paraardhëse.
Në ndihmë të zbatimi të kurrikulës me zgjedhje të lirë, IZHA-ja ka hartuar 10 programe të reja të moduleve profesionale. Drejtoritë e gjimnazeve të informojnë nxënësit e prindërit e tyre për këto module dhe, sipas kushteve të shkollës, të përfshijnë në zbatimin e kurrikulës me zgjedhje të lirë, modulet profesionale:
- punime të mirëmbajtjes dhe riparimit në banesa;
- etika e të veshurit dhe aredimit;
- veprimtari në shërbimin e klientit;
- estetika dhe truku;
- veprimtaritë bujqësore;
- veprimtari ndihmëse në laborator;
- kujdesi për kafshët e shoqërimit;
- asistencë zyre;
- përpunim i produkteve ushqimore;
- punime të riparimit dhe mirëmbajtjes mekanike.
Materialet e plota për këto module gjenden në: www.izha.edu.al
Moduli “Ju dhe biznesi”, hartuar nga Dhoma e Tregtisë Durrës, të përfshihet në listën e moduleve me zgjedhje të lirë të gjimnazit.
3.2 Gjimnazet me orientim gjuhësor
- Gjimnazet me orientim gjuhësor të punojnë me planin mësimor nr. 1023, datë 17.2.2011, miratuar nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës.
- Në mbështetje të planit mësimor, nxënësit të plotësojnë 90-94 kredite. Kreditet e përfituara nga kurrikula me zgjedhje të lirë të planifikohen nga shkolla për nxënësit që dëshirojë t’i zhvillojnë.
- Në kurrikulën me zgjedhje të detyruar të lëndës “Trashëgimi kulturore”, 2 orë të zhvillohet “Trashëgimia jonë kulturore” dhe 1 orë “Trashëgimia europiane”.
- Gjimnazet gjuhësore mund t’i zgjedhin vetë tekstet shkollore për lëndën e gjuhës së huaj, nëse tekstet e ofruara nga katalogu “Altertekst 2013” nuk përmbushin kërkesat kurrikulare të këtyre lëndëve.
- Në lëndën e gjuhës së huaj të punohet me grupe në mbështetje të udhëzimit nr. 21, datë 23.7.2010 “Për normat e punës mësimore-edukative dhe numrin e nxënësve për klasë në institucionet e arsimit parauniversitar”.
3.3 Seksionet dygjuhëshe shkollore
- Funksionimi i seksioneve dygjuhëshe shkollore mbështetet në zbatimin me përgjegjësi të memorandumeve dhe marrëveshjeve përkatëse të dërguara në DAR/ZA.
- Plani mësimor, programet dhe tekstet e zgjedhura që zbatohen në tri seksionet dygjuhëshe, janë bashkëlidhur me dokumentet e nënshkrimit. Për lëndët në gjuhën shqipe të përdoren tekstet e miratuara në katalogun “Altertekst 2013”.
- Drejtoritë e shkollave, ku funksionojnë seksionet dygjuhëshe, të sigurojnë bashkëpunimin në procesin mësimor midis mësuesve.
- Në shkollat ku funksionojnë seksionet dygjuhëshe, në lëndët ku mësimi zhvillohet në gjuhë të huaj, vlerësimi periodik/përmbledhës i nxënësve të bëhet detyrimisht, të paktën një herë në muaj.
- DAR-të dhe drejtoritë e gjimnazeve të marrin të gjitha masat për krijimin e mjediseve shkollore në funksion të mbarëvajtjes së punës në seksionet dygjuhëshe shkollore. Të ndiqet me përparësi regjistrimi i nxënësve në seksionet dygjuhëshe.
- DAR-të të përfundojnë, para fillimit të vitit shkollor, emërimet e mësuesve shqiptarë pranë seksioneve dygjuhëshe.
3.4 Arsimi profesional
Zbatimi i skeletkurrikulave për drejtimet/profilet profesionale të nivelit III
a) Për strukturën 2+1+1
Niveli III të ofrohet vetëm me drejtime mësimore, pra nxënësit që kanë përfunduar nivelin II (klasa XII) në një nga profilet mësimore të një drejtimi të caktuar, të vijojnë nivelin III (klasa XIII) vetëm në drejtimin mësimor përkatës. P.sh., nxënësit e profileve “Shërbime motorike” dhe “Shërbime xhenerike”, klasa XII, të vijojnë shkollimin në drejtimin “Shërbime mjetesh transporti”, klasa XIII. Kjo do të thotë që, nxënësit që përfunduan klasën XII në profile të ndryshme të të njëjtit drejtim, mund të bashkohen në klasa të përbashkëta dhe të ndjekin drejtimin mësimor përkatës në klasën XIII.
b) Për strukturën 2+2:
Niveli III vazhdon me profile mësimore. Nxënësit që kanë përfunduar nivelin I (klasa XI) në një nga “drejtimet mësimore”, mund të vijojnë nivelin III (klasa XII-XIII) vetëm në një nga profilet mësimore të këtij drejtimi.
- AKAFPK-ja të ofrojë programet analitike përkatëse për disa lëndë të veçanta (“Bazat e sipërmarrjes” klasa XIII, “Mjedisi dhe zhvillimi i qëndrueshëm” klasa XIII etj.).
- Shkollat ta përzgjedhin vetë mënyrën më optimale për të realizuar modulet e praktikave profesionale në të gjitha nivelet (të grupuara, të shpërndara, në mjediset e praktikave të shkollës, në biznese etj.).
- Për modulet praktike me zgjedhje të detyruar, përveç moduleve me zgjedhje që përmban skelet kurrikuli përkatës, mund të hartohen/propozohen edhe module të tjera, të cilat janë të rëndësishme për formimin e nxënësve, brenda numrit të orëve të parashikuara.
- Për profilin “Instalues i sistemeve termo-hidraulike”, shkollat të punojnë me skletkurrikulën e përgatitur me mbështetjen e specialistëve të Programit AlbVET. Drejtoritë e shkollave dhe departamentet e lëndëve profesionale të përgatisin kurrikulën përkatëse të klasës XIII (profili i përzgjedhur).
- Llogaritja e krediteve dhe e pikëve për shkollat profesionale, artistike dhe sportive të bëhet si në gjimnazin me kohë të plotë. (Të gjitha lëndët kanë koeficientin 1.)
3.5 Arsimi parauniversitar privat
- Drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore të mbajnë kontakte të vazhdueshme me të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar privat dhe të bashkëpunojnë me to për realizimin e planeve mësimore, programeve mësimore, si dhe veprimtarive jashtëshkollore që organizon vetë shkolla, apo edhe atyre rajonale e kombëtare.
- DAR/ZA-të të kërkojnë raportim të hollësishëm për numrin e nxënësve të regjistruar në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, sidomos atij parashkollor.
- Institucionet arsimore parauniversitare private të zbatojnë me korrektësi detyrimet ndaj DAR/ZA-ve duke paraqitur në to, në fillim të vitit shkollor, numrin e nxënësve dhe listën e mësuesve, sipas statistikave të miratuara, certifikatën e regjistrimit në organin tatimor, planin vjetor të shkollës sipas formatit të parashikuar në Dispozitat Normative 2013.
- Të realizojnë detyrimet e tjera institucionale në përdorimin dhe ruajtjen e dokumentacionit (regjistra, amza, evidenca për lëvizjet e nxënësve, rregullore e brendshme e shkollës, dëftesa, kontrata me prindërit etj.) sipas udhëzimit të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës nr. 33, datë 1.11.2010 “Për kriteret dhe procedurat e shqyrtimit të kërkesave për licencë të institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private parauniversitare”.
Tekstet shkollore të paketës “Altertekst”
Në zbatim të paketës “Altertekst 2013”, katalogut të teksteve për vitin shkollor 2013-2014 dhe udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ministrisë së Financave “Për subvencionin e teksteve shkollore…” (dokumentet ndodhen në faqen zyrtare të MASH-it), për pajisjen në kohë, me tekste të nxënësve të arsimit parauniversitar:
- Drejtorët e shkollave të afishojnë, në vend të dukshëm të shkollës, listën e teksteve shkollore, ku shënohen titulli, shtëpia botuese, çmimi i tekstit, për çdo klasë të shkollës, vendi ku do të blihen tekstet, si dhe periudha në të cilën do të shiten sipas një grafiku për çdo klasë.
- DAR/ZA-të dhe drejtori i shkollës të ndjekin këtë proces dhe të marrin masa që ai të zhvillohet në kushte normale.
Vlerësimi i drejtorit të institucionit arsimor dhe i mësuesit
Plani vjetor
Titullarët e DAR/ZA-ve/drejtorët e institucioneve arsimore të nisin procedurat e vlerësimit përkatësisht të drejtorëve/mësuesve që janë parashikuar në nenet 60 dhe 74 të Dispozitave Normative 2013.
Plani vjetor i shkollës, të hartohet e të miratohet sipas procedurave dhe formatit të përshkruar në nenin 67 të Dispozitave Normative 2013 dhe të jetë i gatshëm për t’u zbatuar që në fillim të vitit shkollor.
Projektet kurrikulare, kurrikula me zgjedhje të lirë
MASH-i shpall konkurset e vitit shkollor 2013-2014:
a) për dhjetë projektet më të mira ndërlëndore;
b) për dhjetë zbatimet e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në procesin mësimor;
c) për dhjetë modulet e kurrikulës me zgjedhje të lirë.
Konkursi zhvillohet në bazë shkolle dhe fituesit e shpallur për pikat “a”, “b” dhe “c” i dërgohen DAR/ZA-së, e cila shpall tre fituesit për secilën pikë. Këta fitues i dërgohen MASH-it që shpall fituesit kombëtarë.


KREU IV
STRATEGJI NDËRSEKTORIALE
1. Shërbimi psiko-social
Në ligjin nr. 69, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, shërbimi ekzistues psikologjik emërtohet “Shërbimi psiko-social”.
Shërbimi psiko-social funksionon sipas kreut IX të Dispozitave Normative 2013 dhe urdhrit për ngritjen e Njësisë së Shërbimit Psiko-social.
2. Zbatimi i planit të veprimit për reduktimin në zero të braktisjes shkollore 2009-2013
Në zbatim të planit të veprimit për braktisjen zero, DAR/ZA-të dhe shkollat:
a) Të koordinojnë bashkëpunimin ndërsektorial ndërmjet Njësisë së Mbrojtjes së Fëmijëve dhe të institucioneve të shoqërisë civile për zgjidhjen e problemeve të nxënësve braktisës.
b) Të organizojnë fushata lokale për reduktimin e braktisjes shkollore.
c) Të ndjekin me përparësi arsimimin e nxënësve të ngujuar, në përputhje me udhëzimin nr. 36, datë 13.8.2013 “Për procedurat për arsimimin e fëmijëve të ngujuar”.
d) Të marrin masa për përcaktimin e shkollave ku do të funksionojë shansi i dytë, në zbatim të udhëzimit nr. 31, datë 2.8.2013 “Për procedurat e ndjekjes së arsimit bazë për nxënësit që nuk kanë ndjekur të paktën dy klasa të arsimit bazë”.
e) Të raportojnë në MASH, dy herë në vit (në fund të semestrit të parë dhe në fund të vitit shkollor), për regjistrimet në klasat e shansit të dytë.
3. Zbatimi i Programit Kombëtar COMBI “Për një shkollë miqësore pro sjelljeve pozitive”
Në përfundim të fazës së dytë të programit kombëtar COMBI, DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave dhe të kopshteve të angazhohen për finalizimin e fazës përfundimtare të programit. Personi përgjegjës në DAR/ZA të ndjekë me përgjegjësi:
a) organizimin mujor të bisedave kafe dhe diskutimin e rasteve të zbatimit të MRD-së;
b) evidentimin e praktikave të mira të zbatimit të mënyrave të reja të disiplinimit;
c) vlerësimin dhe evidentimin e shkollave dhe mësuesve të veçantë që kanë përvetësuar dhe zbatuar mënyrat e reja të disiplinimit;
d) organizimin e aktiviteteve lokale informuese dhe sensibilizuese, në nivel DAR/ZA-je, shkolle dhe kopshti me përfshirjen e gjerë të komunitetit të prindërve, për ecurinë e zbatimit të MRD-së;
e) përgatitjen e raportit final të zbatimit të programit COMBI në kopshtet dhe shkollat e DAR/ZA-ve respektive.
4. Zbatimi i strategjive ndërministrore
MASH-i, si pjesë e hartimit dhe zbatimit të strategjive kombëtare ndërministrore të qeverisë shqiptare, udhëzon DAR/ZA/IZHA dhe ISHA që, në bazë të planit të veprimit të secilës strategji të caktojnë personat përgjegjës, të hartojnë plane pune vjetore me detyra konkrete, të monitorojnë zbatimin e detyrimeve që lindin nga këto strategji në nivel shkolle dhe në nivel DAR/ZA-je dhe të raportojnë në MASH, në përfundim të çdo semestri, përkatësisht:
a) Strategjia kombëtare për përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit rom dhe “Plani i veprimit të MASH-it nr. 3822, datë 3.6.2010 “Për dekadën e përfshirjes së romëve”. Me përparësi të ndiqet:
- Digjitalizimi i informacionit për romët në nivel institucional.
- Në bashkëpunim me komunitetin rom, brenda kuotave të miratuara nga MASH-i, t’u rekomandojnë bashkive dhe komunave mbështetje me bursa studimi të fëmijëve të komunitetit rom që vazhdojnë arsimin e mesëm jashtë vendbanimit të tyre.
- Instituti i Zhvillimit të Arsimit të bëjë studim të përvojave të huaja në lidhje më përfshirjen e kulturës rome në edukim dhe të përgatisë materiale në ndihmë të drejtuesve, mësuesve dhe prindërve, për gjithëpërfshirjen, rritjen e interesit dhe zbatimin e veprimtarive edukative në shkollë, me fokus romët dhe egjiptianët.
b) Strategjia kombëtare për personat me aftësi të kufizuar:
- DAR/ZA-të, drejtoritë e shkollave dhe të kopshteve të ndjekin me përparësi regjistrimin në kopshte dhe shkolla të zakonshme të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe të krijojnë kushte për integrimin e tyre.
- Drejtuesit e institucioneve arsimore të punojnë me përgjegjësinë për të krijuar kushtet e nevojshme që nxënësit me AK të trajtohen nga mësuesit dhe psikologu i shkollës me plan edukativ individual.
c) Strategjia “Për riintegrimin e emigrantëve shqiptarë të kthyer 2010-2015”:
- Përditësimi i statistikave për nxënësit e ardhur nga jashtë vendit, grup-mosha dhe ecuria e tyre në procesin mësimor-edukativ.
- Krijimi i mundësive për përmirësimin e njohurive në gjuhën amtare, si dhe në lëndët e tjera ku ata kanë nevojë.
d) Strategjia kombëtare antitrafik 2012-2013:
- Zbatimi i detyrimeve të MASH-it dhe institucioneve të varësisë në luftën antitrafik.
- Monitorimi i veprimtarive në kuadër të edukimit antitrafik dhe trajnimi i drejtuesve të shkollave të arsimit parauniveristar, në bashkëpunim me MB-në dhe me OJF-të e specializuara në këtë fushë.
e) Strategjia për luftën kundër përdorimit të drogës dhe alkoolit.
f) Strategjia kombëtare e barazisë gjinore, reduktimit të dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje.
- DAR/ZA/drejtoritë e kopshteve dhe të shkollave të programojnë dhe të realizojnë trajnime me mësues dhe me komunitetin e prindërve për steriotipat gjinore në arsim.
- Në zhvillimin e edukimit për karrierën në arsimin bazë dhe gjimnaz të trajtojnë me përparësi mënjanimin e steriotipave gjinore në përzgjedhjen e degëve dhe drejtimeve të studimit të mëtejshëm.
g) Marrëveshja e bashkëpunimit nr. 2208/3, datë 20.4.2012 mes MASH-it dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për zbatimin e programit “Edukimi, ndërgjegjësimi dhe reduktimi i kërkesës për drogë dhe substanca të tjera të rrezikshme”.
h) Marrëveshja e bashkëpunimit nr. 1842 prot., datë 4.4.2013 mes MASH-it dhe MBUMK-së “Mbi realizimin e trajnimeve dhe kualifikimeve të fermerëve në shkollat profesionale bujqësore në bashkëpunim me institucionet shtetërore në sektorin e bujqësisë”.
i) Plani i masave për mosdiskriminimin për shkak të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
j) Plani i ri kombëtar për ushqimin dhe ushqyerjen. DAR/ZA-të të marrin masat për zbatimin e programit “Për një ushqyerje të shëndetshme” dhe të planifikojnë veprimtari në zbatim të tij gjatë gjithë vitit shkollor. Për zbatimin e planit të përdoret paketa didaktike e përgatitur nga IZHA-ja dhe ISHP-ja.
k) Në kuadër të fushatës së vaksinimit që po kryhet në vendet e Bashkimit Europian me sloganin “Shëndeti i njeriut dhe shëndeti i kafshëve përbëjnë një shëndet”, për shmangien e infeksioneve (si: tërbimi, bruceloza, plasja) që transmetohen nga kafshët shtëpiake, dhe zbatimit të urdhrit të Kryeministrit nr. 41, datë 2.4.2013 dhe vendimit të Ministrit të MBUMK-së nr. 7, datë 4.6.2013 “Për... koordinimin dhe kontrollin e fushatës së vaksinimit oral në Shqipëri”, DAR/ZA-të, në bashkëpunim me strukturat e shërbimit veterinar, të marrin masa për të mbështetur realizimin e fushatës në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar me përparësi në ato të zonave rurale. Gjatë muajit shtator, qeveria shqiptare në bashkëpunim dhe me projektin PAZA, i cili financohet nga BE-ja, do të fillojë fushatën e vaksinimit kundër tërbimit në të gjithë territorin e Shqipërisë.
5. Projekte për zbatim
1. Në zbatim të marrëveshjes së Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, programi “Arritje rinore”, të zbatohet në 100 shkolla të arsimit të mesëm të lartë (gjimnaze dhe shkolla profesionale).
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave të ndjekin me përgjegjësi zbatimin cilësor të lëndës “Arritje rinore” (Junior Achievement) si kurrikul me zgjedhje të lirë në klasat XI dhe XII.
2. Në zbatim të projektit “English For Skills”,“English For Skills 2”, të realizuar nga MASH-i në bashkëpunim me Këshillin Britanik, janë hartuar programi mësimor dhe materialet didaktike për gjuhën e huaj angleze, klasa XI dhe XII, për një semestër (18 javë). Shkollat e mesme profesionale me drejtim “Teknologji informacioni dhe komunikimi”, të përdorin këto materiale që gjenden në faqen zyrtare të MASH-it.
3. Në kuadër të bashkëpunimit afatgjatë që MASH-i ka me UNICEF, Save the Children dhe World Vizion, DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave që janë pjesë e projekteve, të angazhohen me përgjegjësi për realizimin e tyre.
4. MASH-i, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe UNICEF-in, ka realizuar në arsimin fillor projektin CLEEN “Iniciativa të edukimit mjedisor me në qendër fëmijët”. Në kuadër të projektit është hartuar paketa didaktike për edukimin mjedisor (Udhëzuesi për mësuesit dhe fletoret e punës për nxënësit e fillores, klasat 1-5, për t’u zhvilluar në
6288
orën e lirë) dhe janë trajnuar mësues të arsimit fillor në të gjitha DAR/ZA-të. Për rritjen e sensibilizimit ndaj problemeve të mjedisit, DAR/ZA-të të udhëzojnë shkollat e arsimit fillor të trajtojnë problemet mjedisore në orën e lirë dhe të shfrytëzojnë paketën didaktike të edukimit mjedisor që ndodhet në faqen zyrtare të MASH-it: www.mash.gov.al, rubrika: Mësuesi/udhëzues metodik.


KREU V
VEPRIMTARI SHKOLLORE DHE JASHTËSHKOLLORE
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave të ndjekin dhe të realizojnë:
a) Fazat përgatitore dhe fazën finale të olimpiadave kombëtare.
b) Veprimtaritë kulturore-sportive në nivel DAR/ZA-je dhe shkolle.
c) Veprimtaritë gjithëvjetore për edukimin për karrierën, veçanërisht me nxënësit e klasës së 9-të dhe të klasës së 12-të.
d) Projektin e MASH-it “Të njohim Europën”.
DAR/ZA-të dhe drejtoritë e shkollave, në vijim të punës së filluar, të organizojnë:
- veprimtari edukative gjithëvjetore për njohjen e institucioneve të Bashkimit Europian dhe Këshillit të Europës, si dhe për historinë e lindjes dhe zhvillimit të këtyre institucioneve;
- aktivitete sipas “Kalendarit të ditëve të Europës”;
- konkurse, në nivel DAR/ZA, me tematikë “Të njohim Europën”.
e) Nxitjen dhe fuqizimin e pjesëmarrjes aktive të komunitetit të prindërve në veprimtarinë mësimore dhe jashtëshkollore. Përvoja e mirë, e krijuar në DAR-të Kukës, Korçë dhe Gjirokastër në ngritjen e Bordit Rajonal të Prindërve, të vlerësohet dhe të ndiqet nga DAR/ZA-të.
Bordet rajonale të prindërve përfaqësojnë interesat e prindërve të rajonit ku veprojnë dhe kanë për qëllim ndërtimin e partneritetit të qëndrueshëm me institucionet rajonale arsimore dhe aktorët e tjerë vendorë në dobi të përmirësimit dhe pasurimit të procesit mësimor-edukativ të institucioneve arsimore.


KREU VI
INSPEKTIMI
ISHA-ja, gjatë vitit mësimor 2013-2014, të ketë si përparësi:
a) zbatimin e përpiktë të Dispozitave Normative 2013;
b) zhvillimin e projekteve kurrikulare ndërlëndore/lëndore;
c) realizimin e kurrikulës me zgjedhje të lirë;
d) procesin e përzgjedhjes së teksteve, të shpërndarjes së librit shkollor, si dhe në veçanti, mbështetjen me tekste falas sipas akteve ligjore në fuqi;
e) korrektesën e zhvillimit të Provimeve të Lirimit dhe të Maturës Shtetërore.


KREU VII
REGJISTRIMET DHE PAJISJA E NXËNËSVE ME TEKSTE SHKOLLORE
1. Regjistrimet e nxënësve në shkollat e arsimit parauniversitar të fillojnë në datën 2.9.2013 dhe të mbyllen:
- në datën 14.9.2013 për arsimin bazë dhe gjimnazin;
- në datën 30.9.2013 për arsimin profesional me kohë të plotë;
- në datën 15.10.2013 për arsimin profesional me kohë të pjesshme.
2. DAR/ZA-të, sipas afateve të përcaktuara në formularin operativ “Lëvizja dhe balancimi i kontingjenteve të nxënësve” dhe detyrimeve për reduktimin në zero të braktisjes shkollore, të dërgojnë në MASH të dhënat mbi lëvizjet e nxënësve të arsimit bazë.
3. DAR/ZA-të të marrin masa që drejtoritë e shkollave të monitorojnë pajisjen e nxënësve me tekstet shkollore dhe të informojnë DAR/ZA-të për ecurinë e procesit.
4. DAR/ZA-të të njoftojnë zyrtarisht Komisionin e Miratimit të Teksteve (KMT) në MASH për ecurinë e procesit të furnizimit të nxënësve me tekste shkollore, si dhe problematikat e mundshme (mungesë tekstesh, shitje librash jashtë katalogut, shitje pa faturë etj.).
a) Drejtoritë e shkollave të fillojnë punën që në ditët e para të fillimit të vitit shkollor për zbatimin e udhëzimit të përbashkët të MASH-it dhe Ministrisë së Financave “Për procedurat e përdorimit të fondeve të Buxhetit të Shtetit për botimin, shtypjen, shpërndarjen dhe shitjen e teksteve të arsimit parauniversitar dhe universitar”.


KREU VIII
DISPOZITA TË FUNDIT
Për zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen:
1. MASH, IZHA, ISHA, AKAFP, AKP, DAR/ZA-të dhe shkollat.
2. DAR/ZA-të të marrim masat e duhura që ky udhëzim të shpërndahet në çdo shkollë dhe me përmbajtjen e tij të njihet çdo punonjës i arsimit.


Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I ARSIMIT DHE SHKENCËS
Myqerem Tafaj


Data postimit :08/11/2013
Ikub# :1311080134
Tags: ARSIMI PARAUNIVERSITAR SISTEM
Lexuar :7,589 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:08/23/2013
Propozuar nga:Ministri i Arsimit dhe Shkencës
Data e miratimit:08/23/2013
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:08/23/2013
Numri i fletores zyrtare:146
Data e fletores zyrtare:09/05/2013
Fushat e veprimit te aktit:Arsim
Faqja e fletores zyrtare:6278
Numri i ligjit:46

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al