Back

PËR BORDIN E INSTITUCIONIT ARSIMOR

UDHËZIM
Nr. 27, datë 2.8.2013
PËR BORDIN E INSTITUCIONIT ARSIMOR


Në mbështetje të nenit 102 pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe nenit 34 të ligjit nr. 69/2012, datë 21.6.2012 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”,

UDHËZOJ:
KREU 1
TË DREJTAT E BORDIT TË INSTITUCIONIT ARSIMOR
Bordi ka të drejtë:

a) t’i kërkojë drejtorit të institucionit (drejtorit) t’i raportojë për kushtet e të nxënit, arritjet e nxënësve dhe për aspekte të zbatimit të legjislacionit në institucion;

b) të ftojë për t’u kërkuar mendim: nëndrejtor, mësues, kryetarin e këshillit të prindërve kryetarin e qeverisë së nxënësve, specialistë dhe përfaqësues nga OJF-të;

c) t’i drejtohet me shkrim ose të takojë përfaqësues të njësisë arsimore vendore dhe njësisë bazë të qeverisjes vendore për përmirësimin e kushteve të të nxënit në institucion.


KREU 2
DETYRAT E BORDIT
1. Bordi ka për detyrë:

a) të miratojë planin afatmesëm dhe atë vjetor të institucionit;

b) të miratojë planin e shpenzimeve të institucionit arsimor për fondet, të cilat sigurohen nga institucioni;

c) të miratojë kurrikulën e hartuar nga institucioni arsimor;

d) të marrë pjesë në procedurat e emërimit e të largimit të drejtorit të institucionit arsimor dhe të mësuesit; e) të shqyrtojë rregulloren e brendshme të institucionit; f) të miratojë hapjen dhe mbylljen e shërbimeve të institucionit për të tretët;

g) të shqyrtojë raportin vjetor financiar të institucionit;

h) të ndjekë përmbushjen e objektivave të planit vjetor të institucionit.

2. Bordi përpiqet për të siguruar kontribute të ligjshme vendase ose të huaja për mbarëvajtjen e institucionit.

3. Kryetari i bordit i raporton këshillit të prindërve të institucionit për veprimtarinë e bordit, në një takim të përbashkët të bordit dhe këshillit të prindërve në fund të vitit shkollor.


KREU 3
PËRBËRJA E BORDIT
1. Bordi ka kryetarin dhe sekretarin e tij. 2. Bordi i institucionit përbëhet nga prindër të nxënësve, mësues, përfaqësues i njësisë bazë të qeverisjes vendore përkatëse, nxënës (kur është e mundur) dhe pjesëtarë të tjerë të komunitetit (me ndikim në komunitet, nga bota e biznesit, përfaqësues të OJF-ve, të cilët nuk janë prindër të nxënësve).
3. Drejtori i institucionit arsimor nuk bën pjesë në bord. 4. Në institucionet arsimore me më pak se 24 klasa, në kohën kur bordi ngrihet, ai përbëhet nga pesë vetë. Ky bord ka 1 mësues, 1 prind, 1 nxënës, 1 pjesëtar tjetër të komunitetit dhe përfaqësuesin e njësisë bazë të qeverisjes vendore përkatëse. Kur bordi nuk ka nxënës, përbëhet nga 1 mësues, 2 prindër, 1 pjesëtar tjetër të komunitetit dhe përfaqësues i njësisë bazë të qeverisjes vendore përkatëse. Në institucionet arsimore me të paktën 24 klasa, bordi përbëhet nga shtatë vetë. Ky bord ka 1 mësues, 2 prindër, 2 nxënës, 1 pjesëtar tjetër të komunitetit dhe përfaqësuesi i njësisë bazë të qeverisjes vendore përkatëse. Kur bordi nuk ka nxënës, përbëhet nga 1 mësues, 3 prindër, 2 pjesëtarë të tjerë të komunitetit dhe përfaqësuesi i njësisë bazë të qeverisjes vendore përkatëse. 5. Prindërit zgjidhen me shumicë votash të fshehta nga këshilli i prindërve. Mësuesi zgjidhet me shumicë votash të fshehta nga këshilli i mësuesve. Nxënësit zgjidhen me shumicë votash nga qeveria e nxënësve. Pjesëtarët e tjerë të komunitetit përfshihen në bord me nismën e tyre dhe përzgjidhen me votim të fshehtë nga anëtarët e tjerë të bordit. 6. Përfaqësuesi në bord i njësisë bazë të qeverisjes vendore caktohet nga këshilli i bashkisë ose i komunës përkatëse. 7. Në bord bën pjesë, pa të drejtë vote, një përfaqësues i njësisë arsimore vendore ose një i deleguar i saj, i cili merr pjesë rregullisht në mbledhjet e bordit. 8. Kryetari dhe anëtarët e bordit: a) nuk duhet të kenë lidhje familjare me drejtorin (bashkëshort/bashkëshorte, prind, vëlla/motër, fëmijë në moshë madhore, prindër të bashkëshortit a bashkëshortes); b) nuk duhet të kenë precedentë penalë; c) të mos jenë në forumet drejtuese të partive politike.


KREU 4
NGRITJA E BORDIT
1. Përgjegjësinë për ngritjen e bordit të një institucioni arsimor e ka përfaqësuesi i njësisë arsimore vendore në bord (përfaqësuesi). 2. Titullari i njësisë arsimore vendore siguron nga njësia bazë e qeverisjes vendore listën e përfaqësuesve të tyre në bordet e institucioneve arsimore përkatëse. 3. Përfaqësuesi drejton mbledhjet e këshillit të mësuesve për zgjedhjen e mësuesit në bord dhe organizon përfshirjen në bord të pjesëtarëve të tjerë nga komuniteti. KREU 5 FUNKSIONIMI I BORDIT 1. Bordi funksionon për një periudhë trevjeçare. 2. Bordi mblidhet jo më pak se tri herë në vit. Mbledhjet e tjera zhvillohen ose me nismën e kryetarit të bordit ose të shumicës së thjeshtë të anëtarëve të tij. 3. Mbledhja e bordit zhvillohet kur marrin pjesë jo më pak se 3/5 e anëtarëve të tij, përndryshe shtyhet. 4. Bordi i merr vendimet me shumicë të thjeshtë votash. Vendimet nënshkruhen nga kryetari dhe sekretari. 5. Veprimtaria e anëtarëve të bordit është vullnetare dhe nuk paguhet. 6. Kryetari dhe anëtari i bordit largohet nga bordi kur gjatë dy viteve të njëpasnjëshme mungon në të paktën gjysmën e mbledhjeve të tij.
Zëvendësimi i tyre dhe çdo zëvendësim tjetër kryhet sipas procedurave të përshkruara në këtë udhëzim.


KREU 6
KRYETARI I BORDIT
Kryetari i bordit: a) zgjidhet në mbledhjen e parë të bordit me shumicën e thjeshtë të votave të fshehta (kryetari i bordit nuk është mësues); b) drejton veprimtarinë e bordit; c) drejton ndarjen e detyrave ndërmjet anëtarëve të bordit; d) drejton hartimin dhe zbatimin e planit vjetor të bordit; e) shkarkohet me shumicë të thjeshtë të votave të fshehta të anëtarëve të bordit për moskryerje të detyrave të tij.


KREU 7
SEKRETARI I BORDIT
1. Mësuesi, anëtar i bordit, është sekretar i bordit. 2. Sekretari: a) përgatit materialet që do të shpërndahen në mbledhjet e bordit; b) mban shënimet e mbledhjeve të bordit; c) lajmëron anëtarët e bordit dhe të ftuarit për mbledhjen e radhës; d) mban arkivin e bordit në një mjedis të institucionit.


KREU 8
DREJTORI I INSTITUCIONIT DHE BORDI
Drejtori i institucionit ka për detyrë: a) t’i dorëzojë kryetarit të bordit kopje të udhëzimeve e rregulloreve të Ministrit të Arsimit dhe të Shkencës dhe të titullarit të njësisë arsimore vendore, të cilat i përkatësin veprimtarisë së institucionit; b) t’i raportojë bordit për çështje të mbarëvajtjes së shkollës për të cilat kryetari i bordit i paraqet drejtorit kërkesë me shkrim; c) t’i dorëzojë kryetarit të bordit një kopje të raportit të inspektimit, rezultatet e nxënësve të shkollës në provimet kombëtare dhe çdo studim që krahason institucionin me institucionet e tjera; d) t’i sigurojë bordit një mjedis për zhvillimin e takimeve të tij; e) t’i sigurojë bordit një vend për arkivin e tij.


KREU 9
DISPOZITA E FUNDIT
Ky udhëzim është i zbatueshëm për institucionet e arsimit parauniversitar publik, përveç institucioneve të arsimit dhe formimit profesional. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar dhe drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore.

Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.

MINISTRI I ARSIMIT DHE SHKENCËS

Myqerem Tafaj


Data postimit :01/11/2013
Ikub# :1311010131
Tags: ARSIMI BORD INSTITICION
Lexuar :1,623 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:08/23/2013
Propozuar nga:Ministri i Arsimit dhe Shkencës
Data e miratimit:08/02/2013
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:08/02/2013
Numri i fletores zyrtare:141
Data e fletores zyrtare:08/23/2013
Fushat e veprimit te aktit:Arsim
Faqja e fletores zyrtare:6113
Numri i ligjit:27

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al