Back

Seria, Perrallat e Kutelit (3 libra)

perrallat_e_kutelit_mMbi autorin

Dhimitër Pasko-Mitrush Kuteli

Lindi më 13 shtator 1907 në Pogradec. Mësimet e para i mori në vendlindje, studimet e mesme në Selanik, në Shkollën Tregtare Rumune (1921-1928). Më 1931 u diplomua në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave të Larta Ekonomike. Më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare. Për shkak të rezultateve të shkëlqyera në mësime, seriozitetit dhe kapacitetit të veçantë intelektual, u emërua drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë. Kundërshtimi që i bëri politikës financiare të pushtuesve gjermanë, i solli si ndëshkim mobilizimin në ushtri dhe drejtimi drejt Frontit të Lindjes. Nga rruga e vdekjes së sigurtë e ktheu një telegram ku njoftohej se Nëna e tij ishte shumë sëmurë. Mundi të arrijë në Shqipëri në Shtator 1942, dy javë pasi Nëna kishte ndërruar jetë. Në janar u emërua Drejtor i Drejtorisë Qëndrore të Bankës së Shtetit Shqiptar. Dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk pranoi të firmosi kursin që pati caktuar shteti komunist mes lekut shqiptar dhe dinarit jugosllav, dhe që dëmtonte rëndë ekonominë e vendit tonë. Në maj 1947 e arrestuan dhe pasi i thanë "armik i popullit", e dënuan me pesë vjet heqje lirie. Kuteli u dërgua në kampin e Vioçishtit, bashkë me të burgosurit e tjerë që punonin për të tharë kënetën e Maliqit. E liruan "me falje", në prill 1949.


Nga viti 1949, Kuteli nuk u mor më me ekonomi dhe punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese Naim Frashëri. Letërsisë i kushtoi kohën e pakët që i mbeti nga puna e normuar e përkthimit.


Zemra e tij pushoi së rrahuri nga një infarkt, më 4 maj 1967.

Veç shkrimeve të shumta në shtypin e kohës, si në fushën Ekonomike dhe në atë letrare, Kuteli botoi që në të gjallë edhe 30 libra, (17 në fushën Ekonomike, shumica rumanisht) ku shpaloset talenti dhe gjenia e tij krijuese si ekonomist e prozator, poet e folklorist, publicist, prralltar e kritik letrar. Një vend më vete në krijimtarinë e tij zënë përkthimet, nga Rusishtja, Rumanishtja, Frëngjishtja e Italishtja.

 

tregime_motshme_shqiptare_mTregime te motshme shqiptare, Mitrush Kuteli

Titulli: Tregime të motshme shqiptare

Balada dhe rapsodi popullore të ritreguara për fëmijët e moshës së mesme dhe të rritur shkollore nga Mitrush Kuteli

Shtëpia Botuese: Mitrush Kuteli, 2005

Numri i faqeve: 298

 

 

 

 

 

 

 

 

 

E%20madhe%20eshte%20gjema%20e%20mekatit%20kuteli%20mE madhe eshte gjema e mekatit (Tat Tanushi i Bubullimes), Kuteli

Titulli: E madhe është gjëma e mëkatit (Tat Tanushi i Bubullimës)
Autori: Mitrush Kuteli
Gatiti për shtyp: Doruntina Pasko
Shtëpia botuese: Mitrush Kuteli, 2006
Numri i faqeve: 60

Rreth Librit

Nga Nadire Buzo

Nëse jemi tërësisht të një mendimi për vlerat e Kutelit (Dhimitër Pasko, është emri i tij i vërtetë; me këtë emër ai do të njihej si ekonimist, studiues i problemeve Ekonomike, dhe drejtues bankash), këto mendime nuk i shoh dhe i gjej të shkruara apo të dokumentuara në letrat studimore e shkencore shqipe. si mund të shpjegohet që ne s’kemi një libër të plotë të Letërsisë Shqipe për shkollat e larta, ndërkohë që në tekstet aktuale vendin më të madh zënë ditëlindjet, ku akoma leksionet i marrim nga librat e kohës së komunizmit dhe nga ku secili e jep leksionin si t’i dojë qejfi duke folur e komentuar dhe vlerësuar sipas shijeve vetiake. Por, u duhet kujtuar këtyre interpretëve se cili është Mitrush Kuteli.

E madhe është gjëma e mëkatit...

Ashtu si ç’do autor ka kryeveprën e tij, edhe tek Kuteli, rrëfimi “E madhe është gjëma e mëkatit” është kryevepra e kryeveprave të tij. Jo vetëm nga ngjarja dhe filozofia e madhe që mbart ajo, por edhe nga mënyra e të rrëfyerit si askush tjetër apo, figurat artistike e fantastike, stili i të treguarit e gjithçka të përsosur që ka brenda vepra.

Vepra ka tre tituj: 1- “E Madhe është Gjëma e Mëkatit”,- 2-“Tat Tanushi”, 3-“Rrëfime Nga Liqeri i Kaltër”. Të tre titujt, nuk kanë të bëjnë me kohën e botimit, pasi vepra u botua pas gjysmë shekulli, dhe vetëm me titullin e parë. Ne dorëshkrimet, punimet dhe ripunimet e veprës ajo titullohet herë me njërin titull herë me tjetrin. Është i pëlqyeshëm titulli i dytë “Tan Tanushi”, pasi ai të fut menjëherë në ngjarjen dhe historinë se ç’farë i ndodh këtij iliriani të pashëm, vetëm se dashuroi marrëzisht, duke e ditur se përjetësisht dashuritë e mëdha janë të destinuara të vdesin. Pra është një titull që do t’i shkonte më shumë veprës dhe mënyrës se si është shkruar. Ndërsa titulli i tretë “Rrëfime Nga Liqeri i Kaltër” është i gjerë, ai lidhet me rrëfimet e rrëfyera më parë nga banorët buzë liqerit, me të cilët ndërthuren pothuajse të gjitha rrëfenjat e Kutelit. Titulli i parë, i cili sa të bën kurioz për ta lexuar aq edhe të tremb, duke menduar se kjo botë është tërësisht mëkatare, përpara shkrimeve të ungjillit dhe besimit ndaj perëndisë, ndaj s’ka se si të mos e ndjesh veten mëkatar përpara tyre. Por megjithatë, titujt nuk ndryshojnë asgjë në përmbajtjen dhe mesazhin e madh të veprës. Kuteli e ka shkruar me aq mjeshtëri dhe fantazi të përkryer artistike sa që ti dëshiron të kesh qenë brenda kësaj “gjëme të madhe” të këtij “mëkati”.

Me gjithë modestinë dhe mirësinë që ka Kuteli, për të na thënë se ngjarjet që ai tregon janë të vërteta sepse ja kanë rrëfyer pleq të moçëm, dhe të mençur nga gurra popullore, askush në botë si Ai nuk do të kishte mundur t’i tregonte. Tregimi në vetën e tretë që i bëhet veprës, duke ja treguar dikujt në vetën e dytë, “Ne”, në vetën e parë shumës, atyre e të gjithë lexonjësve, e bën shkrimtarin , të dashur si “Babagjyshin e Përrallave “apo këngëtarin e mrekullushëm me një zë të ngrohtë e të vërtetë, sa popullor po aq klasik dhe po aq modern, një këngëtar lirik që di të këndojë në të tëra rrymat e muzikës, por brenda një kënge, gjë që sot nuk e ka arritur asnjë këngëtar, në mënyrë aq të përsosur. Në rrjedhat e kohës vepra ka hapësira të mëdha kohore. Në të trija kohët, koha e tregimit, koha e ngjarjes dhe ajo e botimit kanë rrjedha të çuditëshme. koha në të cilën u shkrua vepra, apo u përfundua se shkruari është 16 shkurt 1947. Nuk dimë kur e ka dëgjuar ngjarjen, apo kur i dëgjoi dy rrëfimet e rrëfyera të plakut të moçëm. Në trurin dhe në shpirtin e tij, këto rrëfenja qëndruan disi gjatë. Ato dolën prej Tij, kur vendosi t’i tregojë në në vitin 1947. Fati i keq për shkrimtarin, por edhe për lexonjësit që vepra nuk e pa dritën e botimit edhe për gjysëm shekulli, pasi i ndoqi fati i keq i kohës.

Metakronika e kohës së rrëfimit

Kohët kur zhvillohet ngjarja janë anakronike me fluturime të papara drejt kohës metakronike. Mjeshtria e shkrimtarit do t’i vendos ato në një sinkroni të të treguarit të veprës. Megjithëse vepra ka kapërcyer në hapësirë çdo ligj hapësinor. Njarja fillon me jetën dhe dashurinë e Tan Tanushit, fillon në kohët e Ilirisë dhe kohët rrjedhin me fluturimet fantastike prej shumë shekujsh përpara, drejt metakronisë për në kohët moderne, kur ilirjani Tan gjen prehjen; kohën se kur plaku i moçëm e dëgjoi këtë ngjarje apo legjendë. Sa dhe si kish punuar fantazia, gojë me gojë e rrëfimtarëve deri sa një ditë ai me fantazinë dhe mjeshtrinë e tij të përkryer e shkroi atë në letër si e zeza në të bardhë, e kodifikoi dhe vuri një datë në fund.

Në kodifikimin e kësaj vepre kaq mjeshtërisht, ndihmuan nënkodet kulturore të intelektualit Dh. Pasko, i cili studioi në shkencat Ekonomike, niveli kulturor i tij ishte i plotësuar nga leximet dhe studimet e letërsisë popullore të vendit të tij dhe njohja e kulturës botërore, prej mundësive që ai pati duke qenë jashtë atdheut për të botuar shkrime të tij dhe miqve shkrimtarë e poetë. Përkthimi i shumë kryeveprave botërore dhe mbi të gjitha muza dhe shpirti i tij artistik, por edhe vuajtjet shpirtërore dhe peripecitë e jetës, sidomos pas kthimit në atdhe, ndikuan tek Kuteli. Nënkodet private do të ndihmonin, që mesazhi i veprës të ishte përcjellë me shumë mjeshtëri, fantazi dhe realizëm, ajo është e kuptueshme, e qartë dhe aktuale në të gjitha kohërat.

Megjithëse mesazhi erdhi tek ne me shumë vonesë, ai ishte shkruar e thënë; sa humbi nuk në kohë, ashtu siç edhe nuk fitoi nga koha e humbur. Mesazhi i qëndron të gjitha kohërave njësoj edhe me stilistikën, madhështinë dhe thjeshtësinë që na është dhënë, dekodifikimi është i plotë dhe i thjeshtë. Gjithashtu, në veprën “E madhe është gjëma e mëkatit”, shkrimtari ka fituar hapësirën hierarkike të kohës, ka simbol flatrën, fluturimin, dlirësinë dhe ndriçimin e veçantë, duke qenë përsipër kohës në epikroni. koha e gjatë e ndodhisë së ngjarjes së tregimit, shumë shekullore, nuk ndjehet aspak monotone në leximin e veprës, e cila përshkohet me një frymë, falë vlerave të mëdha stilistike dhe artistike, si dhe përdorimit të analepsave dhe prolepsave dhe sidomos kohëve eliptike, falë përdorimit të shpeshtë të elipsave duke hequr kohën eliptike që është shumë e gjatë e shekullore.“ Tjater herë…..” ( f18), “ “Ardhi moti rrotull…( f25) “Dit e netë ..(f21) , “ Kluan kështu 3 vjet….” (f28), “ Edhe u ngrys edhe u gdhi ..(f38), “ Kam shekuj që mendohem imzot…(f60) Ecën shum dit e shumë netë …..(f63). E të tjera elipsa te përdorura me aq vend e mjeshtëri. Gjthashtu pëdorimi i analepsave si ato të kthimit prapa në kjohë të tregimit si “….a s`jam unë Tan Tanushi i Bubutimës, a s’kam pasur unë një grua……(f40), “ Kam qenë prift në Bubutimë të Apollonisë …….(f 58), “ …..edhe Tat Tanushi, ja tregoi atij të gjitha: dashurinë e egër për të shoqen, merritë që i mbajti Zoti për vdekjen e saj………(f59), “…. Kam kaq shekuj që rroj , e më duket sikur sot dola në jetë…(f61).

Mesazhi që na përcjell vepra e Kutelit në përgjithësi dhe ajo që po analizojmë në veçanti është se jeta , dashuria , dhe vdekja janë të perëndishme dhe njëlloj të rëndësishme. Pasi e kam rilexuar dhe medituar mbi dhjetra herë, proza poetike njëqind fletëshe më është dukur si një poezi me katër vargje. Mendoj se janë trajtuar me të njëjtën qasje jeta–vdekja–dashuria–perëndija. Të katërta evenimentet njerëzore, nuk mund të ekzistojnë pa njëra tjetrën.

Dashuria e vajzës jude

Dashuria në vepër na jepet universale, në të gjitha aspektet e saj, dashuria e Tan Tanushit për Noemi, e pagëzuar si Klija në Iliri, ishte e madhe e pa kufishme. Tat Tanushi e kishte sjellë atë nga detet e largëta të lindjes, tek kish shoqëruar dikur Imzot Angjirin e Apollonisë, për të pirë ujët e burimit të “shtatë urtësive”. Kuteli na përshkruan me mjeshtëri të rrallë bukurinë e vajzës jude, po me aq mjeshtëri përshkruan dashurinë e tyre , “ata dashuroheshin egërsisht”, përveç këngëve të bukura të Solomonit, të recituara prej Tan Tanushit, shkrimtari si jo rrallëhere në veprën e tij na jep edhe mendimin e vet për dashurinë. “Po veç kësaj, me sa di unë, të dashur leçitës, dashuria nuk është as e bardhë e as e zezë, e as tjatër ngjyrë , po vetëm dashuri e asgjë tjatër. Ajo është si era: fryn kudo vetë dhe ne i dëgjojmë buçitjet” më bukur s’ka si thuhet, dhe kjo vërteton më së miri sa e perëndishme është dashuria, “ fryn ku do vetë”. Përshkrim i papërshkrueshëm është edhe dashuria e Tanit: “Një mituri dukej vashëza e Galilesë pranë shtatit ilirjan të Tat Tanushit, po ashtu si ishin që të dy – ay i bardhë, ajo e zeshkë ; ay i gjatë , ajo e mitur; ay ilirjan ajo judhee- dashuroheshin egërsisht.” Dhe egërsi e kësaj dashurie qëndron tek fjalet –“ Noemi, dua të të them një gjë të re që s’ta kam thënë kurrë . Një të fshehtë të vulosur me shumë vula ...…..se të dua kaq shumë, kaqë shumë ………..dhe s’ka tjatër gjë as në dhe, as në qiell, as në ujra që ta dua sa ty…..” Autori vazhdon po aq bukur të përshkruaj bukurinë e vashës dhe dashurinë e tyre të madhe ”…Sepse e fortë si vdekja është dashurija”... Është fragment nga këngët e Solomonit, pra shohim në shekuj lidhjet e forta të dashurisë me vdekjen.

“Ardhi moti rrotull. Kalija tretej dita me ditën, si treten ata të lëngjyerit. Veç dhembjes së trupit kish dhe tjatër…………në parëverë, vdiq. “Tata nuk e pranon vdekjen e të shoqes, ai kërkon me ngulm vdekjen e tij ..” Tat Tanushi do kish dashur jo njëherë po njëmijë të hyjë ai vetë brenda dhe Kalija të ngjallet nga të vdekurit. Ky ishte mëkat i madh dhe si mëkat ju shkrojt në librën e jetës. “ Tat Tanushi, i thiri një zë së larti- përse e zemëron Zotnë me dhembjen t`ënde?…..Ay harroj se varri është dera me anën e së cilës hymë në jetën e përjetëshme” …..lëre dhimjen tënde dhe ruaj kopenë time “

Shpesh kemi dëgjuar se dashuritë e mëdha e kanë jetën të shkurtër, ( se ata që duhen pak e kanë njëri-tjetrin, ) se një forcë e tretë e fuqishme i ndan ata, kjo forcë e mbinatyrshme është perëndia. Duke u dashur shumë, marrëzisht apo egërsisht siç e shkruan shkrimtari, ne pa dashur kemi “fyer” zemëruar perëndinë. Dhe zemërimet e saj janë nga më të çuditshmet…”Sepse vetëm atë nuk e preku moti: mbeti i pandryshuar ashtu si pat qenë ditën e meshës së fundit. Asnjë fije e bardhë nuk i ra nga kryet, asnjë rudhë e re nuk i doli në fytyrë”. Një dënim i çuditshëm ky, të bën ta kesh zili Tatën e pa plakshëm dhe të pavdekshëm. Por ai përkundrazi … “ Kish vetëm një dëshirë ay: vdekjen . Sepse është thënë: m`ë e ëmbel se mjalti e se çdo gjë është vdekja. “ Ç’është kjo, përse e luste vdekjen Tata, apo ndoshta ai pa dashurinë e tij të madhe nuk mund të jetonte, apo jeta është kaq e lodhëshme dhe e mërzitëshme sa nuk durohet.

Ai nuk ishte në kohën e vet dhe në vendin e vet, nuk kish as miqtë as shokët, as punën e tij, pra në një jetë të vdekshme të jesh i pavdekshëm qenka e pamundur jeta. ……… “Këtu ardhi dhe qndroi Tata dhe u lodh së prituri vdekjen”. I dëshpëruar i lutej perëndisë për ta falur për mëkatet që kish bërë dhe ju drejtua Imzot Nikanorit si njeri i ditur si i dërguar i perëndisë e që kish parë e dëgjuar shumë -“Unë kam shekuj që jam këtu në tokë dua të vdes e nuk vdes dot”…….”, ata së bashku u lutën dhe perëndia e fali. Tat Tanushi tha : - Më fal. Ay iu përgjigj i falur qofsh! “ perëndia e fali vërtet dhe i plotësoj dëshirën e tij, dhe lutjet e tij për të vdekur. “ …..pastaj Tat Tanushi u tret ngadalë, në sytë e të gjithëve duke mbetur vetëm një dorë hi në pragun e derës së shenjtë. Dhe të njëmbëdhjetë së bashku me Timzot hymnuan dhe lavdëruan Zot.

Mesazhi i veprës është universal. Dashuria e madhe e pavdekshme është perëndia, e cila të fal jetën, dashurinë por edhe vdekjen. Tan Tanushi është prift, ai predikon, prandaj dhe i thonë Tatë, por Kuteli është artist, dhe njerëzit ashtu si dhe predikuesit “gabojnë”, shkrimtari në një fragment tek “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” na thotë ….”Dashuria mbesë është më e forta e të gjitha perëndive , dhe i mund të gjitha , ka të drejtë Agatoni i Athinës që thotë se: dashuria u sjell heshtjen erërave , qetësinë deteve, pushimin dhe gjumin brengave, paqen njerëzve”. Dhe vazhdon “ botën tonë dhe botën e perëndive e ka ngjizur dashuria dhe e sundon dashuria. Ajo është zanafilla e të gjitha perëndive, e para ndër të parat”

Pra artisti, rrëfimtari empirik është i një mendje me Tan Tanushin, por shkrimet e shenjta thone se –“ E madhe është fuqia e hirit … . Sepse hiri mburon nga Zoti. Dhe ndaj Zotii të pamundurat bëhen të mundura , me anë të hirit e të fjalës”, dhe vazhdon po tregimtari – autori empirik i madhi Kuteli: “Dhe ne po e shkruajmë në kartë , ashtu si e kam dëgjuar për të dëshmuar , me anën e tij fuqinë e hirit…”

Me këto shprehje biblike fillon madhështor tregimi i treguar apo i ritreguar Kuteljan, nga me të bukurat proza në botë. Fatkeqësisht bota nuk e njeh, deri kur? Deri atehere kur Hija e tij te jetë aq e perëndishme, aq e pavdekshme si ajo e Tat Tanushit, për të vetmin mëkat, Kuteli e desh vendin e tij, atdheun, më shumë se gjithçka tjetër . “ Atdheu është atdhe edhe kur të vret.”–ky ishte mëkati i madh që bëri Kuteli në jetën e tij. Ketë dashuri të madhe për atdheun ai e shpreh në c`do fletë të shkrimeve të tij: “Pa dyshim se e gjithë toka e botës është e bukur, por më e bukura nga të gjitha është toka e anëdetit të Ilirisë” “…. për ata që nuk e dinë ne po u themi, se shpellat dhe Mnastiri i shenjtë gjenden buzë te Liqerit të Ahridës…..i egër është vendi po i butë peshku , yj të artë shëndrijnë mbi luspat e tij, njerëzit thonë se këta yj të artë janë thërrime nga yjt e qiellit që bien mbi liqer……bukurija e tij ndryshon shtinë më shtinë , në ç`do shtinë ditë me ditë…..Po a ndiqet dot uji nëpër ujë dhe era nëpër erë që të ndiqet çast per çast bukuria e liqerit të Ahridës”.

Një vend përrallor

Përshkrimet vazhdojnë, duke thënë se e gjithë kjo është e pabesueshme: “Pra doemos lëçitësi duhet të marrë shkopin në dorë e t’i shoh të gjitha me sytë e tija në të katër shtinat e motit.” …Ky vend përrallor e tundoi shkrimtarin tonë, dhe është një nga “mëkatet” e mëdha të tij, e themi këtë pasi atëherë qe koha kur ai persekutohet dhe me pas burgoset nga pushteti i egër diktatorial i vitit 1947. Kuteli mbi vepër derdh dhimbjen shpirtërore dhe gjendjen emocionale, pra në prag të ndëshkimeve më të rënda të jetës së tij, të mungesës se lirisë, të mungesës së fjalës , pa të cilat ekonomisti, shkrimtari e artisti Kuteli e kish të veshtirë jetën, prandaj e përshkruan dhe e tregon po aq bukur, sa jetën, dashurinë po aq madhërishëm edhe vdekjen. “ Imzoti pyeti:- si të është dukur kjo jetë, Tatë? – E hidhur dhe e ëmbël, Imzot. Me gjith vojtjet në frymë e në mish, nuk nginjëm dot me qindra parvera e vera, me qindrat vjeshta e dimre. .Kam kaqë shekuj që rroj e me duket se sot dola në jetë. Po edhe vreret janë të shumta, se jo njëhere e kam thirur engjëllin e vdekjes.”

Gjatë leximit të veprës, natyrshëm na lindin disa pyetje brenda vetes dhe jashtë saj. Pse e dënoi perëndia Tan Tanushin kur ai dashuroi marrëzisht gruan e ti Kalijen? Edhe për dhimbjen e madhe që i shkaktoi vdekja e saj , pse e ndëshkoi? Po atëherë kur filloi të harrojë dhimbjen për Kalien dhe u lidh me gruan tjetër , pse u zemërua perëndia me të?....”shtëpia e Tat Tanushit u mbush si me erë lulesh që turbullojnë gjakun. Dhe bota u shemb me zhurmë të madhe. Dhe ranë gjith faltoret. Dhe ranë gjithë kryqet. Sepse Tat Tanushi i Bubutimës, eronia e Apollonisë, kreu mëkatin e math të mishit, brenda në shtëpinë e tij, përpara korave dhe të gdhendurave me fytyrën e Kalies.”… Përse bëri mëkatin e madh të mishit, në fund te fundit Kalia kish vdekur, jeta vazhdonte, vërtet ai e deshi aq shumë, por ajo s`është më? Mos është hipokrizi? është tradhëti?. Jo,nuk më duket ashtu, veçse një kontrast i madh i jetës. Përse u shemb bota, e ranë kryqet e faltoret? Nga kënaqësitë e Tanit, apo nga mëkati? Apo njeriu dashuron vetëm një herë? Kush e tha këtë? Kush e bëri këtë? Kush dashuroi vetëm një herë ? Po asnjëherë? Po disa herë? E pse është mëkat? Përgjigjet i gjejmë po brenda veprës . –“Tat Tanushi foli : - Kam shekuj që mendohem Imzot mbi çudinë e kulmeve: djelli kur lind i ndrit ata më parë se grykat, kur perëndon vonohet ndër `ta pas grykave –përse?

“- Çuditë e Zotit, biri im . Ay e ndan dritën si do vetë.”

E kështu vepra rrjedh në një trajtë lidhjeje sigmatike poetike, ku secili funksion, zë vendin e tij brenda veprës, po në veçanti funksioni ekspresiv dhe ai poetik, i cili e bën veprën të lexohet dhe rilexohet me një frymë, dhe me mbresa të pashlyeshme artistike dhe estetike, të cilat ndihen fuqishëm në gjithë krijimtarinë Kuteliane. Ekzistencialist, mjeshtri i artit magjik, Mitrush Kuteli, është Feniksi që vdes e ngjallet nga hiri. Ndaj jehona Kuteliane kumbon sot me fort se kurrë….është një gjëmim i fortë daulleje, është një simfoni Bethoven-iane. Dëgjojeni:

“Jam këtu, e do te jem ,denbabaden

Deri sa mali te bëhet hi,

E hiri mal përsëri.

 

xinxifilua_mXinxifilua, prralle, Mitrush Kuteli

Titulli: Xinxifilua, prrallë

Autori: Mitrush Kuteli

Përgatiti për shtyp: Atalanta Pasko

Shtëpia botuese: Mitrush Kuteli, 2002

Numri i faqeve: 134


Data postimit :13/11/2009
Ikub# :911130012
Tags:
Lexuar :3,470 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al