Back

PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR PAJISJEN ME LEJE PESHKIMI DHE TË KONKURRIMIT PUBLIK PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË PESHKIMIT NË DET, NË UJËRAT E BR

RREGULLORE
Nr. 12, datë 4.6.2012
PËR PËRCAKTIMIN E PROCEDURAVE PËR PAJISJEN ME LEJE PESHKIMI DHE TË KONKURRIMIT PUBLIK PËR USHTRIMIN E VEPRIMTARISË SË PESHKIMIT NË DET, NË UJËRAT E BRENDSHME DHE AKUAKULTURËN TOKËSORE DHE UJORE DETARE


Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës dhe të germave “ë” dhe “i” të nenit 32 të ligjit nr. 7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndryshuar, si dhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 547, datë 13.5.2009 “Për procedurat dhe çmimet për dhënien me qira të sipërfaqeve ujore për qëllime të akuakulturës intensive”, Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave miraton rregulloren si më poshtë:


KREU I
QËLLIMI
Neni 1
Qëllimi
Kjo rregullore përcakton rregullat, kriteret dhe procedurat për:
a) aplikimin për leje peshkimi, shqyrtimin e kërkesës dhe të dokumentacionit që e shoqëron atë dhe lëshimin e aktit të miratimit të saj;
b) mënyrën e zhvillimit të konkurrimit publik për ujërat e brendshme dhe akuakulturën tokësore dhe detare;
c) zbatimin e lejeve nëpërmjet kritereve ligjore e teknike, të përcaktuar në kontratë dhe/ose lejen përkatëse.


KREU II
KËRKESA DHE DOKUMENTACIONI PËR APLIKIM
Neni 2
Llojet e lejeve dhe e drejta për ushtrim aktiviteti në peshkim dhe akuakulturë
1. Në peshkimin detar me mjete lundruese me dhe pa kuvertë, motobarka ose anije peshkimi, për peshkim fundor, peshkim i pellagjikëve të vegjël dhe/ose të mëdhenj, peshkim molusqesh, selektive dhe peshkim bregdetar jepet leje peshkimi, e cila akordohet për çdo mjet lundrues të veçantë.
2. Për ujërat e brendshme, e drejta e peshkimit dhe akuakulturës fitohet nëpërmjet konkurrimit publik sipas përcaktimeve të ligjit nr. 7908/1995, të ndryshuar dhe me subjektin fitues Ministria lidh kontratë të zhvillimit të aktivitetit të peshkimit dhe akuakulturës.
3. Personat fizikë ose juridikë të interesuar për zhvillimin e akuakulturës, tokësore dhe detare, në pronat publike, u nënshtrohen procedurave të konkurrimit publik. Me fituesin, Ministria ose përfaqësuesi i pronës shtetërore lidh kontratë qiraje. Procedurat për lidhjen e kontratës dhe ato të konkurrimit publik nuk zbatohen në rastet kur toka është në pronësi private.

Neni 3
Aplikimi dhe kërkesat për leje peshkimi në det
1. Aplikimi bëhet pranë QKL-së për format e peshkimit që janë të parashikuara për t’u pajisur me leje.
2. Dokumentet e domosdoshme për leje janë si më poshtë:
I. Për mjetin lundrues me kuvertë:
a) kërkesa e subjektit;
b) dëshmi pronësie (nga Kapiteneria e Porteve);
c) dëshmi flamuri (nga Kapiteneria e Porteve);
d) certifikatë lundrimi (nga Regjistri Detar);
e) certifikatë regjistrimi në QKR.
II. Për mjetin lundrues pa kuvertë (për peshkim artizanal):
a) kërkesa e subjektit;
b) libri i mjetit lundrues (nga Kapiteneria e Porteve);
c) dokumenti i regjistrit të mjetit lundrues (nga Policia Kufitare) ose vërtetim aplikimi pranë saj;
d) certifikatë regjistrimi në QKR.
Dokumentacioni shqyrtohet nga MMPAU-ja nëpërmjet KSHLMLP-së pas vlerësimit nga Drejtoria e Peshkimit (Drejtoria e Përgjithshme e Administrimit të Ujërave) brenda afateve ligjore të përcaktuara. Vendimi i marrë nga KSHLMLP-ja i përcillet subjektit nëpërmjet QKL-së. Në rast refuzimi në aktin e refuzimit jepen edhe arsyet e refuzimit.
Neni 4
Aplikimi dhe kërkesat për konkurrimin publik për aktivitetin në ujërat e brendshme dhe akuakulturë
1. Për konkurrimin publik për ujërat e brendshme dhe akuakulturë, ministri ngre komision për vlerësimin e kërkesave, i cili ka detyra të përcaktuara në nenin 7 të kësaj rregulloreje.
2. Drejtoria e Peshkimit grumbullon, regjistron, verifikon kërkesat e ardhura për zhvillim aktiviteti në akuakulturë dhe ujëra të brendshme së bashku me statusin e objektit ujor të kërkuar. Objektet ujore, pasi seleksionohen dhe kategorizohen, renditen në listën për shpallje për konkurrim publik, të cilat, paraprakisht dërgohen për mendim tek të gjithë anëtarët e Komisionit.
3. Drejtoria e Peshkimit krijon një regjistër elektronik të të gjitha kërkesave të ardhura, duke specifikuar në të emrin e kërkuesit, datën, zonën, llojin e aktivitetit të kërkuar, si dhe mbylljen e praktikës.
4. Njoftimi për botim për konkurrim të një kategorie të veçantë për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit në ujërat e brendshme dhe akuakulturë shpallet 2 herë në Buletinin e Njoftimeve Publike dhe përmban të dhënat për objektin ujor, pikët vlerësuese për elementet e konkurrimit, dokumentacionin që duhet të paraqesin konkurrentët, si dhe vendin, datën dhe orën e paraqitjes së dokumentacionit. Data e konkurrimit të jetë jo më parë se 7 ditë kalendarike nga data e botimit të fundit.
5. Drejtoria e Peshkimit mban një listë (që përditësohet çdo muaj nga ana e sektorit të kontrollit për peshkimin) të subjekteve që rezultojnë kundërvajtës të legjislacionit të peshkimit dhe/ose debitorë, me qëllim që të mbahet parasysh në fazën e shqyrtimit të dokumentacionit për konkurrim nga ana e komisionit të vlerësimit të kërkesave. Drejtoria e Peshkimit tërheq mendimin
teknik të vëzhguesve të saj për objektin që do të shpallet për konkurrim.
6. Drejtoria Juridike dhe e Prokurimeve dërgon për publikim listën finale të objekteve ujore dhe/ose listën e impianteve fikse të kultivimit të midhjeve në liqenin e Butrintit, që është përgatitur nga Drejtoria e Peshkimit.
7. Dokumentacioni i përgjithshëm që paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim është:
a) kërkesa për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit në objektin ujor të shpallur për konkurrim;
b) regjistrimi në QKR për objektin e veprimtarisë, së bashku me ekstraktin historik;
c) planbiznes për zhvillimin e veprimtarisë;
d) projekt teknik dhe dokumentacioni i nevojshëm teknik e ligjor;
e) niveli i investimit;
f) niveli i punësimit;
g) vetëdeklarim se projekti përputhet me kërkesat mjedisore të zonës në fjalë;
h) pagesa e tarifës së shërbimit.
i) vërtetim nga organet tatimore që subjekti në fjalë nuk ka detyrime tatimore.
8. Dokumentacioni i veçantë që paraqesin pjesëmarrësit në konkurrim, sipas kategorive ujore dhe llojit të aktivitetit, është si më poshtë:
a) Për akuakulturën:
i) prania e specialistit të fushës nëpërmjet CV-së profesionale, ku të tregohet përvoja në fushën e peshkimit dhe akuakulturës;
ii) planvendosja e shprehur në një hartë topografike me shkallën 1: 25 000, me koordinata metrike duke treguar distancën nga subjekti më i afërt i peshkimit apo ndonjë aktivitet tjetër;
iii) garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
b) Për ujëmbledhësit e bujqësisë:
i) marrëveshje ose kontratë përdorimi uji ose ujëmbledhësi me përfaqësuesin e organit që administron atë ujëmbledhës;
ii) hartë topografike në shkallën 1:25 000, si dhe karakteristikat teknike nga bordi i kullimit;
iii) garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
c) Për lagunat bregdetare, jo me dajlan:
i) hartë topografike në shkallën 1:25 000;
ii) planvendosja e instalimeve peshkore me koordinata metrike, në sistemin Gauss–Krüger;
iii) lloji i mjeteve të peshkimit;
iv) sasia (gjatësi dhe/ose numër);
v) garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
d) Për lumenjtë, bilance dhe stavnikë:
i) Planvendosja e instalimit të mjetit/mjeteve të peshkimit me koordinata metrike, duke treguar distancën nga subjekti më i afërt i peshkimit apo i ndonjë aktiviteti tjetër.
ii) lloji i mjeteve të peshkimit;
iii) sasia (gjatësi dhe/ose numër);
iv) garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
e) Të tjera, si: grumbullim/kultivim molusqesh bivalvorë:
i) kategorizim nga autoriteti veterinar i zonës;
ii) lista dhe vendosja e të gjitha derdhjeve nga toka në det në raport me zonën ku synohet të zhvillohet aktiviteti, e paraqitur në hartë topografike me shkallën 1:25 000;
iii) llojet që synohen të kultivohen ose grumbullohen;
iv) kontratë paraprake me një qendër depurimi, nëse synohet të tregtohet e gjallë dhe/ose kontratë me një qendër përpunimi termike, të certifikuara nga AKU-ja;
v) garancia financiare, e mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
f) Për kultivimin e midhjes në impiante fikse në liqenin e Butrintit:
i) kontratë paraprake me një qendër depurimi, nëse synohet të tregtohet e gjallë dhe/ose kontratë me një qendër përpunimi termike, të certifikuara nga AKU-ja;
ii) elementet kryesore të teknologjisë që do të praktikojë në kultivimin e midhjes, intensitetin e prodhimit dhe prodhimtarinë vjetore;
iii) vërtetim nga DSHMP-ja, Sarandë që nuk kanë detyrime financiare ndaj MMPAU-së në lidhje me tarifën e lejes dhe kontratën e qirasë (për subjektet ekzistuese);
iv) vërtetim mbi garancitë financiare të mjaftueshme për përballimin e investimeve prodhuese të parashikuara në planbiznes, duke parashikuar edhe shumën që i nevojitet për mirëmbajtjen dhe/ose riparimin e impiantit/ve për të cilët konkurron.
g) Për peshkimin artizanal me instalim stavniku në bregdet:
i) koordinatat detare, ku do të instalohet stavniku me koordinata metrike me sistemin Gauss- Krüger;
ii) paraqitja skematike e stavnikut dhe distanca me objektin më të afërt të peshkimit dhe apo të akuakulturës;
iii) eventualisht, mjetet e lundrimit dhe dokumentacioni përkatës i tyre;
iv) garanci financiare të mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
h) Për lagunat bregdetare me instalim dajlani:
i) harta e lagunës/njësisë lagunore me karakteristikat fizike (sipërfaqja, gryka/t e komunikimit me detin etj.). Harta duhet të jetë topografike me shkallën 1:25 000;
ii) planinstalimi i dajlanit dhe projekti teknik i tij;
iii) lloji, sasia e mjeteve dhe e veglave të tjera të peshkimit;
iv) plani i administrimit të lagunës;
v) vërtetim mbi mundësitë financiare të mjaftueshme për përballimin e investimeve të parashikuara në planbiznes.
Neni 5
Kriteret e konkurrimit
Kriteret e konkurrimit për të gjitha kategoritë ujore janë:
a) niveli i investimit;
b) teknologjia e projektit;
c) niveli i punësimit.
Neni 6
Nivelet e vlerësimit
1. Nivelet maksimale të vlerësimit për të gjitha kategoritë ujorë janë:
a) niveli i investimit 40 pikë;
b) teknologjia e projektit 40 pikë;
c) niveli i punësimit 20 pikë;
d) në rast klasifikimi me pikë të barabarta, CV-ja e subjektit dhe eksperienca në aktivitet ka përparësi.
2. Detajimi i kritereve të vlerësimit bëhet sipas shtojcës 1 të kësaj rregulloreje, pjesë përbërëse e saj.
3. Monitorimi i zbatimit të kushteve të kontratave dhe zbatimit të planbizneseve të paraqitura për konkurrim është detyrë e monitoruesve të Drejtorisë së Peshkimit.
4. Një kopje e planbiznesit të paraqitur për konkurrim nga subjekti fitues depozitohet në Drejtorinë e Peshkimit për t’u përdorur në monitorimin e aktivitetit, sipas pikës 3 të këtij neni.
Neni 7
Detyrat e komisionit të vlerësimit të kërkesave
1. Komisioni i vlerësimit ka këto detyra:
a) përgatit dokumentacionin për publikim dhe e shpall atë;
b) hap në prani të konkurrentëve dokumentacionin e paraqitur prej tyre, duke bërë të njohur të dhënat kryesore për çdo ofertë të paraqitur. Kur dokumentacioni i paraqitur nuk është i plotë, konkurrenti skualifikohet;
c) komisioni i vlerësimit vazhdon vlerësimin edhe në rast se për zonën e shpallur për
konkurrim paraqitet një kërkesë e vetme;
ç) harton procesverbalin e zhvillimit të konkurrimit, ku përshkruhen pjesëmarrësit, konkurrentët e skualifikuar dhe shkaku, konkurrentët e kualifikuar dhe lista e dokumenteve të paraqitura prej tyre;
d) bën shqyrtimin, brenda 20 ditëve kalendarike, të dokumentacionit të paraqitur dhe vlerëson me pikë sipas çdo elementi konkurrimi, dhe përcaktimeve në njoftim;
e) verifikon nëse subjekti kërkues është dënuar ose jo, në procedurë për shkelje ligjore në peshkim dhe/ose është debitor;
f) rendit, pas përfundimit të konkursit, konkurruesit në bazë të pikëve të fituara;
g) paraqet te Ministri, brenda afatit të përcaktuar në germën “d” të kësaj pike, një informacion për zhvillimin e konkursit, së bashku me procesverbalin dhe listën e konkurruesve, të renditur sipas pikëve të fituara, për të kërkuar miratimin e procedurës;
h) komisioni i vlerësimit shpall subjektin/et fitues/e. Njoftimi për shpalljen fitues vendoset në këndin e njoftimeve të Ministrisë, si dhe dërgohet për publikim në Buletinin e Njoftimeve Publike nga Drejtoria Juridike dhe e Prokurimeve;
i) kontratat përgatiten nga ana teknike nga Drejtoria e Peshkimit mbi bazën e kontratës tip që ndodhet në shtojcën 2 të kësaj rregulloreje;
j) për veprimtaritë që kanë ndikim në mjedis dhe që duhen pajisur me leje mjedisore, kontrata lidhet pas pajisjes së subjektit fitues me leje mjedisore;
k) një kopje të lejeve dhe kontratave të lidhura i dërgohet Drejtorisë së Kontrollit për Mjedisin.
Neni 8
Ankimi
Subjektet konkurruese, brenda 7 ditëve kalendarike nga shpallja e subjektit fitues në APP, kanë të drejtën e ankimimit te Ministri, i cili brenda 10 ditëve kalendarike shprehet me shkrim.
Neni 9
Lidhja e kontratës
1. Pas përfundimit të procedurave të mësipërme, Ministria lidh kontratën e zhvillimit të aktivitetit, miraton kohëzgjatjen e projektit.
2. Kohëzgjatja e kontratës është:
a) deri në 10 vjet për ujërat e brendshme;
b) deri në 10 vjet për ujërat e brendshme me dajlan;
c) deri në 10 vjet për akuakulturën intensive;
d) deri në 10 vjet për impiantet e midhjeve në Butrint;
e) deri në 5 vjet për peshkimin me bilanxhe, rrahce dhe stavnikë.
Neni 10
Ndërprerja e lejes dhe prishja e kontratës
1. Gjatë ushtrimit të aktivitetit, ndërprerja e vlefshmërisë së lejes dhe prishja e kontratës për zhvillimin e aktivitetit të peshkimit në ujërat e brendshme dhe akuakulturë bëhet mbi bazën e konstatimeve të kundërligjshmërisë, të cilat pasqyrohen në akte të shkruara nga inspektorët e
peshkimit dhe më pas merren në shqyrtim nga Komisioni përkatës i ngritur për këtë qëllim.
2. Vendimi i komisionit për ndërprerjen e kontratës i lëshohet me shkrim subjektit të kontraktuar.
Neni 11
Ndërprerja e lejes dhe prishja e kontratës
1. Leja ose kontrata humbet vlefshmërinë në mënyrë të përkohshme:
a) kur subjektit fizik ose juridik i ndalohet të zhvillojë aktivitetin e peshkimit dhe akuakulturës nga vendimi i komisionit të ngritur mbi bazën e ligjit;
b) në rastet kur subjekti fizik ose juridik kryen shkelje të parashikuara nga legjislacioni i peshkimit sipas neneve për kundërvajtjet administrative dhe dënimet plotësuese;
c) zotëruesi i lejes/kontratës është i detyruar të dorëzojë pranë inspektorit të peshkimit ose zyrës së inspektoratit të peshkimit në rrethin përkatës dokumentin e lejes/kontratës.
2. Leja ose kontrata humbet vlefshmërinë në mënyrë të përhershme për objektin e saj kur:
a) përfundon ose mbyllet veprimtaria e peshkimit profesional;
b) zotëruesi i saj nuk dëshiron të vazhdojë veprimtarinë e peshkimit të lejuar nëpërmjet kësaj leje/kontrate;
c) kur subjekti fizik ose juridik nuk paguan gjobat e vendosura për shkeljet e konstatuara në bazë të ligjit;
d) kur subjekti fizik ose juridik nuk paguan taksën vjetore të lejes/kontratës brenda datës 31 mars të vitit në vazhdim;
e) në rast se një mjet lundrues, një impiant akuakulture apo objekt tjetër ujor i kontraktuar nuk përdoret për zhvillimin e veprimtarisë për të cilën është marrë leje ose lidhur kontratë, për një periudhë më shumë se gjashtë muaj. Inspektori i peshkimit bën verifikimin dhe paraqet procesverbalin përkatës në Drejtorinë e Kontrollit për Mjedisin;
f) në rast të moszbatimit të detyrimeve që rrjedhin nga kushtet e lejes ose kontratës dhe lejes mjedisore (në rastet që kërkohet);
g) në rast se subjekti ka dhënë deklarime ose dokumentacion të rremë në konkurrim, kontrata prishet menjëherë dhe me efekt prapaveprues.
3. Pikat 1 dhe 2 të këtij neni zbatohen edhe në rastin e licencave në fuqi, të lëshuara para ndryshimeve sipas ligjit nr. 10 001, datë 6.10.2008 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 7908, datë 5.4.1995 “Për peshkimin dhe akuakulturën”, të ndryshuar”.

Neni 12
Shfuqizimet
Me hyrjen në fuqi të kësaj rregulloreje, rregullorja nr. 10, datë 18.6.2010 “Për përcaktimin e procedurave për pajisjen me leje dhe të konkurrimit publik për ushtrimin e veprimtarisë së peshkimit në det, në ujërat e brendshme dhe akuakulturën tokësore dhe ujore”, shfuqizohen.


Neni 13
Hyrja në fuqi
Kjo rregullore hyn në fuqi menjëherë dhe publikohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I MJEDISIT, PYJEVE DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE
Fatmir Mediu

Data postimit :10/08/2012
Ikub# :1208100124
Tags: DETI
Lexuar :760 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:06/04/2012
Propozuar nga:Ministria e Mjedisit
Data e miratimit:06/04/2012
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:06/04/2012
Numri i fletores zyrtare:81
Data e fletores zyrtare:07/13/2012
Faqja e fletores zyrtare:3693
Numri i ligjit:12

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al