Back

MBI PROCEDURAT E KRYERJES SË VEPRIMTARISË SË AUDITIMIT TË BRENDSHËM NË SEKTORIN PUBLIK

UDHËZIM
Nr. 12, datë 5.6.2012
MBI PROCEDURAT E KRYERJES SË VEPRIMTARISË SË AUDITIMIT TË BRENDSHËM NË SEKTORIN PUBLIK


Në zbatim të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, germës “c” të nenit 10 të ligjit nr. 9720, datë 23.4.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, me propozim të Njësisë Qendrore të Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm, Ministri i Financave


UDHËZON:
1. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1.1. Ky udhëzim përcakton procedurat për kryerjen e veprimtarisë së auditimit të brendshëm nga njësitë e auditimit të brendshëm (NJAB) që funksionojnë pranë njësive të qeverisjes së përgjithshme (NJQP) dhe organizatave (institucioneve) publike, veprimtaria e të cilave mbështetet në pronën publike dhe që gjatë funksionimit përdorin fonde publike ose fonde të përfituara në formë bashkëfinancimi, që financohen nga organizmat ndërkombëtarë përfshirë edhe Bashkimin Europian.
1.2 Të gjitha Njësitë e Auditimit të Brendshëm, përveç kërkesave ligjore dhe procedurave të përcaktuara në ligjin nr. 9720, datë 23.4.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, në Manualin e Auditimit të Brendshëm (MAB) të miratuar me urdhrin e Ministrit të Financave nr. 69, datë 29.9.2010 dhe manualet e tyre specifike, duhet të zbatojnë kërkesat dhe
procedurat që parashikon ky udhëzim.


2. PLANIFIKIMI I VEPRIMTARISË AUDITUESE TË NJAB-SË
2.1 Veprimtaria e auditimit të brendshëm për çdo NJAB, zhvillohet mbi bazën e planit strategjik dhe planit vjetor. NJAB-ja mund të përfshijë në planin strategjik dhe vjetor, subjekte auditimi që i përkasin një NJQP-je tjetër, sipas një aktmarrëveshjeje të nënshkruar ndërmjet titullarëve/drejtuesve. Formati tip i aktmarrëveshjes është sipas aneksit nr. 1, bashkëlidhur këtij udhëzimi, dhe është pjesë
përbërëse e tij.
2.2 Të gjithë drejtuesit e NJAB-ja dhe audituesit, duhet të nënshkruajnë “Deklaratën e objektivitetit, paanësisë dhe kompetencës”. Formati tip i deklaratës është sipas aneksit nr. 2, bashkëlidhur këtij udhëzimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2.3 Për hartimin dhe miratimin e planit strategjik dhe planit vjetor, njësitë e auditimit të brendshëm, krahas procedurave të përcaktuara në pikën 2, nenit 18 të ligjit nr. 9720, datë 23.4.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, në MAB dhe në manualet e tyre specifike duhet të plotësojë edhe kërkesat e mëposhtme.
2.3.1 Plani strategjik hartohet për një periudhë 5-vjeçare sipas skemës 1+4 vite, dhe përditësohet çdo vit së bashku me miratimin e planit të vitit të ardhshëm. Për të siguruar respektimin e afateve, NJAB-ja fillon përgatitjen e planit strategjik dhe planit vjetor jo më vonë se data 15 shtator, kohë e cila lidhet me mbylljen e periudhës 9-mujore. Zbatimi i një praktike të tillë i mundëson NJAB-së
marrjen në konsideratë të pritshmërisë së realizimit të misionit të saj në përcaktimin e objektivave dhe prioriteteve për vitin e ardhshëm.
2.3.2 Programimi i veprimtarive bëhet sipas frekuencës së propozuar nga drejtuesi i NJAB-së duke u bazuar në vlerësimin e riskut dhe funksionimin e sistemeve brenda organizatës. Frekuenca e auditimit duhet të sigurojë përfshirje të mjaftueshme, sipas një kohe të përcaktuar në auditimin e subjekteve për të dhënë një vlerësim të përgjithshëm të funksionimit të sistemit të menaxhimit financiar dhe kontrollit (MFK). Për sisteme kontrolli, të cilat vlerësohen me një nivel të lartë risku, plani duhet të
parashikojë auditimin me një frekuencë më të shpeshtë, zakonisht një herë në vit, ndërkohë që sistemet me nivel më të ulët të riskut mund të parashikohen për t’u audituar më rrallë.
2.3.3 Pas përcaktimit të fushave prioritare, identifikimit dhe vlerësimit të risqeve, NJAB-ja programon veprimtaritë që do të kryhen. Kjo pjesë përfshin përcaktimin e llojit të auditimit, numrin e angazhimeve periudhën që do të auditohet, kohën e kryerjes së angazhimit, si dhe nevojat për burime njerëzore në ditë-njeri.
2.3.4 Plani vjetor i auditimit përfaqëson dokumentin bazë, sipas të cilit realizohet veprimtaria e AB-së gjatë vitit të ardhshëm. Ky dokument është pjesë e planit strategjik, i cili rishikohet çdo vit duke u bazuar në objektivat dhe prioritetet e organizatës, si dhe në treguesit e realizimit të objektivave të NJABsë. Në planin vjetor përcaktohet numri i angazhimeve dhe lloji i auditimit, bazuar në qëllimin, madhësinë
dhe kompleksitetin e subjektit që do të auditohet.
2.3.5 Programimi i veprimtarive për planin vjetor duhet të përputhet me burimet njerëzore dhe materialet që ka në dispozicion NJAB-ja. Përllogaritja e burimeve të auditimit dhe përcaktimi i kërkesave për personel bëhet sipas seksionit 2.1.1.4 të kapitullit II të MAB-së. Në parashikimin e nevojave të stafit për trajnim, krahas kohës, përcaktohen dhe drejtimet kryesore të trajnimit dhe forma apo mënyra që vlerësohet si më e përshtatshme për plotësimin e këtyre nevojave.
2.3.6 Për rastet kur titullari/drejtuesi i organizatës kërkon që në planin vjetor të përfshihet një angazhim auditimi që kërkon specialistë të fushave specifike (ekspertë) të jashtëm, drejtuesi i auditimit, bazuar në kërkesat e përcaktuara në pikën 4.8.2 të MAB-së planifikon nevojat për ekspertë të jashtëm, si dhe fondin përkatës për kontraktimin e këtij shërbimi. Puna që realizohet nga ekspertët e jashtëm përfaqëson një shërbim për organizatën, i cili prokurohet në përputhje me dispozitat ligjore që rregullojnë
blerjen e shërbimeve.
2.3.7 Krahas kërkesave të mësipërme, NJAB-ja duhet të plotësojë pasqyrat e miratuara nga NJQH/AB-ja mbi planin strategjik dhe planin vjetor sipas kërkesave të përcaktuara në aneksin nr. 3, bashkëlidhur këtij udhëzimi, dhe është pjesë përbërëse e tij.
2.3.8 Drejtuesi i NJAB-së dërgon planin strategjik dhe planin vjetor për miratim tek titullari/drejtuesi, bashkë me një relacion shpjegues. Pas miratimit, një kopje e planit strategjik dhe vjetor dërgohet, me shkresë zyrtare dhe në formë elektronike, në NJQH/AB-në jo më vonë se data 15 tetor e çdo viti.
2.3.9 NJQH/AB-ja në Ministrinë e Financave çdo vit, brenda datës 30 nëntor, përgatit planin e konsoliduar strategjik dhe planin e konsoliduar vjetor për veprimtarinë e sistemit të AB-së në sektorin publik. Plani i konsoliduar i AB, pas vlerësimit nga Komiteti i Auditimit të Brendshëm, i dërgohet Ministrit të Financave, brenda datës 31 dhjetor të çdo viti.
2.3.10 Ndryshimet në planin vjetor të AB-së argumentohen me shkrim nga drejtuesi i NJAB-së, miratohen nga titullari/drejtuesi i organizatës dhe i bëhen të njohura NJQH/AB-së në Ministrinë e Financave.


3. PLANIFIKIMI DHE ZBATIMI I ANGAZHIMIT TË AUDITIMIT
3.1 Programimi i angazhimit të auditimit
3.1.1 Kryerja e një angazhimi për auditimin e brendshëm bazohet në planin vjetor të auditimit të miratuar nga titullari i organizatës. Angazhimi i auditimit mund të kryhet dhe në rastet kur nuk është parashikuar në planin vjetor, vetëm kur kjo kërkohet nga titullari i organizatës apo me nismën e drejtuesit ë NJAB-së dhe me miratimin nga titullari/drejtuesi.
3.1.2 Për të siguruar kryerjen e një angazhimi të auditimit të brendshëm me cilësi dhe sipas standardeve, NJAB-ja përveç procedurave të përcaktuara në pikën 5 të nenit 18 të ligjit nr. 9720, datë
23.4.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar dhe në kapitullin III të manualit të auditimit të brendshëm, duhet të plotësojë edhe kërkesat e mëposhtme:
3.1.2.1 Për kryerjen e angazhimit, drejtuesi i NJAB-së përpilon një autorizim për fillimin dhe përgatitjen e angazhimit/misionit të auditimit, në të cilin caktohet përgjegjësi i grupit dhe emrat e anëtarëve të grupit të angazhimit. Formati tip i autorizimit është sipas aneksit nr. 4, bashkëlidhur këtij udhëzimi, dhe është pjesë përbërëse e tij.
3.1.2.2 Punonjësi i auditimit, i caktuar në një angazhim auditimi, sapo të njihet me autorizimin për kryerjen e angazhimit, plotëson deklaratën e pavarësisë, sipas formatit standard nr. 2 të MAB-së dhe ia dërgon drejtuesit të NJAB-së, i cili gjykon në lidhje me ekzistencën ose jo të ndonjë konflikti të mundshëm interesi dhe në përshtatje me situatën konkrete vendos, me shkrim, për procedurat e mëtejshme, duke bërë ndryshimet e nevojshme të anëtarëve të grupit të auditimit.
3.1.2.3 Përgjegjësi i grupit të auditimit i ngarkuar me kryerjen e angazhimit pasi njihet me formën përfundimtare të autorizimit, përgatit njoftimin për subjektin që do të auditohet dhe ia dërgon drejtuesit të NJAB-së. Më pas, organizon takim me anëtarët e grupit dhe ndan detyrat për mbledhjen e informacionit të nevojshëm për hartimin e projektprogramit të angazhimit. Pas hartimit të
projektprogramit të angazhimit, përgjegjësi i grupit njofton drejtuesin e NJAB-së për gatishmërinë lidhur me zhvillimin e takimit fillestar me organizatën. Zakonisht, grupin e auditimit e prezanton në këtë takim drejtuesi i NJAB-së ose një nëpunës i autorizuar prej tij. Në takimin prezantues, përveç audituesve të brendshëm, duhet të marrin pjesë titullari i organizatës që do të auditohet dhe nëpunës të niveleve të ndryshme drejtuese të organizatës. Formati tip i njoftimit për takimin fillestar është sipas aneksit nr. 5, bashkëlidhur këtij udhëzimi, dhe është pjesë përbërëse e tij.
3.1.2.4 Gjatë takimit fillestar grupi i auditimit paraqet objektivat dhe projektprogramin e angazhimit. Në takim, drejtuesi i organizatës që auditohet bën sugjerimet e nevojshme me qëllim që të shmangen mbivendosjet apo vonesat gjatë zbatimit të angazhimit dhe palët bien dakord mbi kohën e fillimit të auditimit. Veprimtaria e takimit fillestar dokumentohet sipas kërkesave të formatit standard nr. 9 të MAB-së dhe nënshkruhet nga përgjegjësi dhe anëtarët e grupit të angazhimit.
3.1.2.5 Pas takimit fillestar, përgjegjësi i grupit të auditimit reflekton ndryshimet në programin e auditimit, e miraton atë te drejtuesi i NJAB-së dhe një kopje të tij, pas nënshkrimit nga titullari/drejtuesi, ia dërgon organizatës që do të auditohet.
3.1.2.6 Pas kësaj faze, përgjegjësi i grupit të auditimit mbledh grupin e punës dhe ndan me shkrim detyrat për realizimin e çdo pike të programit të auditimit, duke përcaktuar: objektivat e përgjithshëm dhe specifikë të angazhimit të auditimit, metodat dhe teknikat që do të përdoren për kryerjen e auditimit, testet dhe llojet e formularëve që duhen plotësuar.
3.2 Kryerja e angazhimit të auditimit të brendshëm
3.2.1 Procesi i kryerjes së një angazhimi auditimi ndjek fazat e përcaktuara sipas skemës së procesit të auditimit, të trajtuara në kapitullin III të MAB-së.
3.2.2 Gjatë kryerjes së angazhimit, përgjegjësi i grupit vlerëson nevojën e ndryshimeve në programin e angazhimit. Ndryshimet argumentohen me shkrim, miratohen nga drejtuesi i NJAB-së dhe i bashkëlidhen dosjes së auditimit.
3.2.3 Për kryerjen e angazhimit, audituesit që janë anëtarë të grupit të punës kanë të drejtën e ekzaminimit të çdo të dhëne, informacioni, dokumenti apo materiali tjetër që lidhet me realizimin e angazhimit, përfshirë informacione të ruajtura në pajisjet elektronike, kopje të tyre, transkriptime, lista shkresa etj. Audituesit duhet të respektojnë kuadrin ligjor për mbrojtjen e konfidencialitetit të të dhënave dhe të informacionit.
3.2.4 Punonjësit e organizatës ose njësisë që do të auditohet janë të detyruar të vënë në dispozicion çdo dokument apo informacion të nevojshëm, sipas një kërkese me shkrim nga anëtarë të grupit të auditimit. Informacioni gojor duhet të jetë i regjistruar ose i shkruar dhe i firmosur nga personi që ka dëshmuar dhe nga audituesi i brendshëm që ka intervistuar.
3.2.5 Në hartimin dhe zbatimin e programit të angazhimit, audituesit, duke u mbështetur në standardet e auditimit, specifikat e objektit që auditohet, sistemin apo fushën e llogarisë, kompleksitetin e transaksioneve, vëllimin e punës, përbërjen e grupit të auditimit etj. duhet të zgjedhin një, disa apo një kombinim të metodave dhe teknikave të përcaktuara në aneksin nr. 6, bashkëlidhur këtij udhëzimi, dhe është pjesë përbërëse e tij.
3.2.6 Gjatë kryerjes së angazhimit, përgjegjësi i grupit të auditimit ose audituesit e brendshëm mund të takohen me titullarin e organizatës së audituar për të diskutuar mbi probleme të rëndësishme që lidhen me realizimin e angazhimit. Përgjegjësi i grupit të auditimit mban lidhje të vazhdueshme me drejtuesin e NJAB-së, e informon atë mbi ecurinë e zhvillimit të procesit të angazhimit të auditimit dhe i dërgon raporte ndërmjetëse, nëse kërkohen prej tij.
3.2.7 Në rastet kur në grupin e auditimit është përfshirë eksperti i jashtëm, ky i fundit përgatit një opinion të auditimit (ku të pasqyrohet dokumentimi i punës së kryer), të cilin ia dorëzon përgjegjësit të grupit. Përgjegjësi i grupit, në përputhje me termat e referencës të përcaktuar në kontratë, mund t’i kërkojë ekspertit të rishikojë apo të plotësojë këtë opinion nëse kjo gjë konsiderohet.
3.3 Raportimi dhe ndjekja e rekomandimeve
3.3.1 Në përfundim të angazhimit, grupi i auditimit harton projektraportin e angazhimit të auditimit, në të cilin paraqiten rezultatet paraprake të auditimit të kryer. Projektraporti duhet të përmbajë të dhëna të sakta, objektive, të qarta, koncize, konstruktive, të plota dhe në kohë. Ai është subjekt i rishikimeve të brendshme për sigurimin e cilësisë, veprimtari e cila duhet realizuar para dërgimit të projektraportit në organizatën e audituar. Projektraporti është dokumenti i parë përmbledhës i veprimtarisë audituese që i dërgohet organizatës dhe shoqërohet me një shkresë zyrtare për titullarin/drejtuesin e organizatës së audituar.
3.3.2 Organizata e audituar jep mendime apo komente në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet e paraqitura. Titullari dhe drejtuesit e organizatës së audituar mund të bëjnë me shkrim shpjegime në lidhje me përmbajtjen e projektraportit brenda 10 ditëve pune nga data e marrjes së tij. Nëse kërkohet nga pala e audituar, zhvillohet takimi përfundimtar ku merr pjesë drejtuesi i organizatës dhe drejtues të tjerë vartës, si dhe drejtuesi i NJAB-së me grupin e auditimit.
3.3.3 Në takimin përfundimtar synohet që palët të bien dakord mbi përmbajtjen e raportit final dhe plotësimin e planveprimit për zbatimin e rekomandimeve, i cili plotësohet sipas formatit standard nr. 13 të MAB-së. Shënimet e takimit përfundimtar evidentohen në një procesverbal nga një anëtar i grupit dhe nënshkruhen nga të gjithë anëtarët e grupit. Audituesit arsyetojnë dhe shqyrtojnë shpjegimet plotësuese dhe në rast të gjetjes së shpjegimeve të arsyetuara ligjërisht, ndryshojnë ose plotësojnë pjesët
përkatëse në raportin final të auditimit.
3.3.4 Pas takimit përfundimtar, përgjegjësi i grupit dhe audituesit përgatisin raportin final të auditimit, ku përmblidhen të gjitha problemet e angazhimit të shprehura në mënyrë të qartë, të besueshme dhe koncize. Përmbajtja, formati dhe struktura e raportit të auditimit përcaktohen në kapitullin IV të MAB-së.
3.3.5 Drejtuesi i NJAB-së, përgjegjësi i grupit dhe audituesit e brendshëm, kanë përgjegjësi për rishikimin e cilësisë për të siguruar se angazhimi i auditimit përmbush standardet dhe është i dobishëm për organizatën e audituar. Për të realizuar rishikimin e cilësisë për çdo mision auditimi, përgjegjësi i grupit dhe drejtuesi i NJAB-së plotësojnë aneksin nr. 7, bashkëlidhur këtij udhëzimi, dhe është pjesë përbërëse e tij. Raporti final nënshkruhet nga të gjithë anëtarët e grupit që marrin pjesë në angazhim dhe i dërgohet drejtuesit të organizatës së audituar, me shkresë zyrtare, të nënshkruar nga drejtuesi i NJABsë.
3.3.6 Bazuar në pikën “b”, të nenit 11 të ligjit nr. 9720, datë 23.4.2007 “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, plani i veprimit për zbatimin e rekomandimeve të lëna në përfundim të angazhimit të auditimit, miratohet nga titullari/drejtuesi i organizatës së audituar dhe i dërgohet zyrtarisht NJAB-së që ka kryer angazhimin e auditimit jo më vonë se 30 ditë kalendarike nga
njohja me raportin final të auditimit.
3.3.7 Pas marrjes së përgjigjes (reagimit) nga organizata e audituar, lidhur me pranimin dhe masat për zbatimin e rekomandimeve, grupi i auditimit përgatit një informacion të përmbledhur në formën e një memorandumi, sipas kërkesave të pikës 4.6 të MAB-së mbi përfundimin e angazhimit, të cilin e nënshkruan përgjegjësi dhe anëtarët e grupit të angazhimit. Grupi i punës përgatit shkresën për mbylljen e angazhimit, e cila pas nënshkrimit nga drejtuesi i NJAB-së dhe titullari i institucionit,
dërgohet në subjektin e audituar. Formati tip i shkresës është sipas aneksit nr. 8, bashkëlidhur këtij udhëzimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3.3.8 Bazuar në pikën 4.6 të MAB-së, një kopje e raportit final të auditimit, së bashku me një kopje të memorandumit dhe shkresës për mbylljen e misionit, dërgohet në Njësinë Qendrore të Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm, e cila monitoron zbatimin e standardeve të raportimit.
3.3.9 Për auditimin e projekteve të financuara nga BE-ja, NJAB-të përveç kuadrit ligjor dhe procedural të auditimit të brendshëm në Shqipëri, duhet të mbajnë parasysh edhe procedurat dhe veçoritë e trajtuara në MAB kapitulli VI, standardet ndërkombëtare të auditimit dhe aktet apo kërkesat specifike sipas çdo projekti.


4. DOKUMENTIMI I AUDITIMIT
4.1 Për çdo angazhim auditimi përgatitet një dosje e veçantë sipas kërkesave të përcaktuara në formatin standard nr. 17 të MAB-së. Dokumentacioni për të gjitha aktivitetet dhe ngjarjet e rëndësishme, si dhe për gjetjet e auditimit të brendshëm, duhet të administrohet në dosjen e auditimit, e cila duhet të përmbajë:
a) Dosjen koherente të auditimit të brendshëm;
b) Dosjen e përhershme të auditimit të brendshëm.
4.2 Në dosjen koherente të angazhimit të auditimit, përveç dokumentacionit që gjykohet i rëndësishëm nga grupi i punës, duhet të administrohen edhe këto dokumente:
1. Autorizimi për caktimin e grupit për të kryer angazhimin e auditimit;
2. Dokumentet e mbledhura përpara fillimit të angazhimit të auditimit;
3. Njoftimi paraprak për fillimin e angazhimit të auditimit;
4. Dokumenti mbi takimin fillestar (sipas pikës 3.1.2.4 të këtij udhëzimi);
5. Programi i angazhimit të auditimit;
6. Dokumentet që lidhen me kryerjen e angazhimit të auditimit;
7. Procesverbali mbi takimin përfundimtar (përmbyllës);
8. Testet dhe shënimet e mbajtura nga audituesit dhe dokumente që merren nga palët e treta në lidhje me auditimin e brendshëm;
9. Projektraporti i auditimit të brendshëm;
10. Raporti final i auditimit të brendshëm;
11. Dokumentimi i rishikimit të brendshëm të cilësisë (aneksi nr. 7, bashkëlidhur);
12. Plani i veprimit dhe programi i masave për zbatimin e rekomandimeve;
13. Memorandumi mbi mbylljen e angazhimit të auditimit të brendshëm;
14. Shkresa e titullarit/drejtuesit mbi mbylljen e angazhimit të auditimit të brendshëm.
4.3 Dosja e përhershme përditësohet rregullisht dhe minimalisht administron listën e dokumenteve të përcaktuara në pikën 5.3 të kapitullit V të MAB-së. Plotësimi i kësaj dosjeje bëhet sipas formatit standard nr. 18 të MAB-së.


5. RAPORTIMI DHE KOMUNIKIMI I VEPRIMTARISË SË NJAB-SË
5.1 Njësia e Auditimit të Brendshëm në çdo NJQP bazuar në rezultatet e angazhimeve të auditimeve që kanë realizuar në përputhje me planin e tyre vjetor përgatisin raporte përmbledhëse 6- mujore dhe vjetore për veprimtarinë e tyre. Për hartimin e raporteve përmbledhëse 6-mujore dhe vjetore, NJAB-ja përveç kërkesave të pikës 5 neni 18 të ligjit nr. 9720, datë 23.4.2007 “Për auditimin e
brendshëm në sektorin publik”, të ndryshuar, dhe procedurave të përcaktuara në MAB kapitulli IV, duhet të plotësojë pasqyrat e miratuara nga NJQH/AB-ja mbi rapotimin sipas kërkesave të përcaktuara në aneksin nr. 9, bashkëlidhur këtij udhëzimi, i cili është pjesë përbërëse e tij. Drejtori i Përgjithshëm i NJQH/AB-së, miraton ndryshimet e nevojshme në përmbajtjen e anekseve bashkëlidhur këtij udhëzimi me qëllim përputhjen e tyre me standardet ndërkombëtare.
5.2 Raportin përmbledhës bashkë me pasqyrat sipas formatit të raportimit, NJAB-ja duhet ta dërgojë me shkresë zyrtare të nënshkruar nga titullari/drejtuesi në rrugë zyrtare dhe në format elektronik pranë NJQH/AB-së jo më vonë se 15 ditë pas përfundimit të periudhës përkatëse raportuese. 6. Për ndjekjen dhe zbatimin e këtij udhëzimi ngarkohen: titullarët/drejtuesit e njësive të
qeverisjes së përgjithshme, drejtuesit e njësive të auditimit të brendshëm dhe Njësia Qendrore e Harmonizimit për Auditimin e Brendshëm.



7. Ky udhëzim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I FINANCAVE
Ridvan Bode

Data postimit :09/08/2012
Ikub# :1208090087
Tags: AUDITIM BRENDSHEM KRYERJEN
Lexuar :2,140 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:07/10/2012
Propozuar nga:Ministri i Financave
Data e miratimit:06/05/2012
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:06/05/2012
Numri i fletores zyrtare:79
Data e fletores zyrtare:07/10/2012
Faqja e fletores zyrtare:3613
Numri i ligjit:12

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al