Back

PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRAVE, PROCEDURAVE DHE KUSHTEVE PËR PËRDORIMIN E SISTEMIT ELEKTRONIK “ONE STOP SHOP-SISTEMI I NOTERI

URDHËR
Nr. 248, datë 7.6.2012
PËR MIRATIMIN E RREGULLORES “PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRAVE, PROCEDURAVE DHE KUSHTEVE PËR PËRDORIMIN E SISTEMIT ELEKTRONIK “ONE STOP SHOP-SISTEMI I NOTERISË””


Në mbështetje të nenit 102, pika 4 e Kushtetutës, të paragrafit 2 të nenit 7 të ligjit nr. 8678, datë 14.5.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”, të ndryshuar, të ligjit nr. 7829, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar, si dhe ligjit nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”,


URDHËROJ:
1. Miratimin e rregullores “Për përcaktimin e mënyrave, procedurave dhe kushteve për përdorimin e sistemit elektronik “One Stop Shop-Sistemi i noterisë””, sipas tekstit bashkëlidhur këtij urdhri dhe që është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen noterët dhe zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme për zbatimin e këtij urdhri.
3. Ngarkohet Drejtoria e Përgjithshme e Çështjeve të Drejtësisë dhe Dhoma Kombëtare e Noterisë për ndjekjen e zbatimit të këtij urdhri, si dhe njoftimin e tij pranë të gjithë noterëve dhe zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme, që përfshihen brenda fushës së veprimit të kësaj rregulloreje.


Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I DREJTËSISË
Eduard Halimi

RREGULLORE PËR PËRCAKTIMIN E MËNYRAVE, PROCEDURAVE DHE KUSHTEVE PËR PËRDORIMIN E SISTEMIT ELEKTRONIK “ONE STOP SHOP-SISTEMI I NOTERISË”
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
Objekti i kësaj rregulloreje është përcaktimi i mënyrave, procedurave dhe kushteve për përdorimin e sistemit elektronik“One Stop Shop-Sistemi i noterisë”, duke parashikuar të drejtat dhe detyrimet e përdoruesve, operatorit të llogarisë, operatorit të ZRPP-së, administratorit të sistemit, raportuesit dhe punonjësve të ZVRPP-ve, të ngarkuar me ofrimin e shërbimeve të kërkuara on-line
nga noterët.


Neni 2
Qëllimi
Qëllimi i kësaj rregulloreje është ofrimi i shërbimit të kontrollit zyrtar on-line të pasurive të paluajtshme dhe të drejtave reale mbi to, duke siguruar për noterin një informacion të përditësuar të gjendjes juridike të pronësisë së pasurisë së paluajtshme, me qëllim redaktimin e akteve noteriale për tjetërsimin ose njohjen e pronësisë mbi sendet e paluajtshme ose të një të drejtë reale mbi to.
Neni 3
Fusha e veprimit
Kjo rregullore i shtrin efektet vetëm për zyrat vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme Tiranë dhe Durrës, si dhe për noterët që ushtrojnë veprimtarinë e tyre, në territorin që mbulojnë këto dy zyra të regjistrimit të pasurive të paluajtshme.
Neni 4
Përkufizime
1. Termat e përdorur në këtë rregullore kanë të njëjtin kuptim me atë të dhënë në ligjin nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, si dhe ligjin nr. 7889, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar.
2. Termat specifikë të përdorur në këtë rregullore, kanë këtë kuptim:
a) “Sistemi OSS” është sistemi elektronik “One Stop Shop-Sistemi i noterisë”, nëpërmjet të cilit bëhet e mundur ndërlidhja on-line e noterëve me ZRPP-në, me qëllim sigurimin e një informacioni të përditësuar të gjendjes juridike të pronësisë së pasurisë së paluajtshme dhe paraqitjes on-line të kërkesës për regjistrimin e aktit noterial dhe përfitimin e shërbimit të regjistrimit në të njëjtën mënyrë.
b) “Logim” është hyrja nga noteri në sistemin OSS, për të pasur akses në regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme.
c) “Operator llogarie” është punonjësi i ZRPP-së, i caktuar për përditësimin e llogarisë së noterit në sistemin OSS, sipas procedurave të përcaktuara në dispozitat e kësaj rregulloreje.
ç) “Operator i ZRPP-së” është punonjësi i ZRPP-së, i caktuar për ndjekjen e procesit të trajtimit të kërkesave të bëra on-line nga noterët, sipas procedurave të përcaktuara në dispozitat e kësaj rregulloreje.
d) “Administrator i sistemit” është punonjësi i ZRPP-së, i ngarkuar për mirëmbajtjen dhe funksionimin e sistemit dhe që ka autoritetin e plotë për të shtuar dhe për të hequr çdo të dhënë nga sistemi, e cila nuk është më e nevojshme.
dh) “Raportues” është personi i ngarkuar për të analizuar dhe vlerësuar, nëpërmjet përgatitjes dhe dorëzimit të raporteve me shkrim, mbi ecurinë e sistemit OSS, si dhe efiçencës dhe efektshmërisë së veprimeve të kryera nga ZRPP-ja për ofrimin e shërbimit të trajtimit të kërkesave për regjistrim të paraqitura nga noterët.
e) “ZRPP-ja” është Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.
KREU II
SISTEMI OSS
Neni 5
Qëllimi i sistemit OSS
1. Sistemi OSS është sistem i posaçëm, që i siguron noterëve lidhjen on-line nëpërmjet një ndërfaqeje web me regjistrin elektronik të pasurive të paluajtshme, me qëllim verifikimin nga noteri të gjendjes juridike të pasurisë së paluajtshme, nëpërmjet një imazhi të saj të shfaqur on-line.
2. ZRPP-ja ofron shërbimin e “konsultimit të kartelës dhe të dhënave të tjera për pasurinë e paluajtshme” dhe shërbimin “dhënien e informacionit zyrtar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për individët dhe institucionet”, për noterët, nëpërmjet sistemit OSS.
3. Sistemi OSS, i ofron strukturave përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë, Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive, si dhe Dhomës Kombëtare të Noterisë, mundësinë që nëpërmjet raporteve dhe analizave të detajuara të monitorojnë mënyrën e realizimit të detyrave, të inspektojnë respektimin e procedurave ligjore dhe të bëjnë një organizim dhe menaxhim më të mirë të punës.
Neni 6
Regjistrimi i noterëve në sistem
1. Çdo person që ushtron veprimtarinë si noter, bazuar në legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë, fillimisht duhet të regjistrohet si përdorues i sistemit OSS.
2. Noteri, për regjistrimin e tij si përdorues i sistemit OSS, duhet të depozitojë pranë administratorit të sistemit, së bashku me kërkesën për regjistrimin si përdorues, këto dokumente:
a) kopje të njësuar me origjinalin të licencës për ushtrimin e profesionit të noterit;
b) kopje të regjistrimit të tij në përputhje me ligjin, si dhe numrin e NIPT-it;
c) fotokopje të kartës së identitetit;
ç) formularin tip të regjistrimit si përdorues, sipas modelit të paraqitur në aneksin 1, bashkëlidhur kësaj rregulloreje, të plotësuar dhe të nënshkruar rregullisht;
d) nënshkrimin e deklaratës se është njohur dhe do të respektojë kushtet e përdorimit të sistemit OSS.
3. Administratori i sistemit, pasi verifikon dokumentacionin e paraqitur sipas paragrafit 2 të
këtij neni, pajis noterin me:
a) user-name-in si përdorues i sistemit OSS;
b) fjalëkalimin për hyrjen e sigurt në sistem, që është standard PASSWORD. Fjalëkalimi, pasi përdoruesi hyn në sistem duhet të ndërrohet. Sistemi kërkon vendosjen e një fjalëkalimi të ri, ruajtja e fshehtësisë së të cilit është detyrë e noterit.

Neni 7
Hapja e llogarisë së noterit si përdorues i sistemit
1. Pas regjistrimit si përdorues, noteri mund të ketë akses në sistemin OSS, për të marrë shërbime nga ZRPP-ja, për pasuritë e paluajtshme, por duhet të vërtetojë kryerjen e një pagese paradhënie në llogarinë ekonomike të të ardhurave të Degës së Thesarit “Mjete në ruajtje të noterit për ZRPP-në”, në bazë të faturës për arkëtim që do të tërheqë nga ZRPP-ja, llogari, e cila do të hapet nga noteri dhe që përdoret vetëm për qëllime të mbulimit të shpenzimeve për shërbimet që ai do të marrë nga ZRPP-ja. Kjo llogari nuk mund të përdoret për qëllime të kompensimit të detyrimeve monetare që noteri mund të ketë ndaj ZRPP-së.
2. Noteri paraqet tek operatori i llogarisë kopje të mandatarkëtimit, me të cilën provohet derdhja në llogarinë e ZRPP-së të pagesës përkatëse.
3. Operatori i llogarisë, me marrjen e mandatarkëtimit nga përdoruesi, krediton llogarinë e këtij të fundit me vlerën e shumës së dhënë në mandatarkëtim. Veprimi i kreditimit të llogarisë së përdoruesit bëhet nga operatori i llogarisë, sa herë që nga përdoruesi paraqitet një mandatarkëtimi i
ri.
Neni 8
Shërbimet on-line të ofruara nga ZRPP-ja
1. ZRPP-ja ofron për noterët këto shërbime on-line:
a) konsultimin e kartelës dhe të dhënave të tjera të pasurisë së paluajtshme;
b) dhënien e informacionit zyrtar të regjistrimit të pasurive të paluajtshme për individët dhe institucionet.
2. Për shërbimin e përshkruar në germën “a” të pikës 1 të këtij neni, noteri klikon në rubrikën përkatëse të pasurisë së paluajtshme për të cilën kërkohet shërbimi dhe ka mundësinë të shohë të dhënat e kartelës së pasurisë dhe/ose dokumentet e skanuara të referencave përkatëse, që vërtetojnë të dhënat e kartelës dhe hartës treguese të regjistrimit.
3. Për shërbimin e përshkruar në germën “b” të pikës 1 të këtij neni, noteri paraqet kërkesë on-line tek operatori i ZRPP-së nëpërmjet klikimit në rubrikën “kërkesë për informacion të përditësuar të kartelës dhe leje veprimi” dhe operatori pasi kryen procedurat e përcaktuara në këtë udhëzim, bën të mundur, për noterin, shfaqjen on-line të imazheve të kartelës së përditësuar të ruajtur në letër.
4. Nëse përdoruesi kërkon leje veprimi për transferimin e pronësisë së pasurisë së paluajtshme, për të cilën u informua, operatori i ZRPP-së i jep ose jo përdoruesit lejen e veprimit, në përputhje me rregullat e punës dhe nëpërmjet sistemit OSS, njofton përdoruesin për veprimin e bërë.
Neni 9
Tarifat e shërbimeve on-line
1. Shërbimet on-line ofrohen nga ZRPP-ja kundrejt tarifave të miratuara me udhëzim të përbashkët të Ministrit të Drejtësisë dhe Ministrit të Financave, sipas propozimit të paraqitur nga bordi drejtues.
2. Pakësimi i llogarisë bëhet menjëherë, në mënyrë automatike, nga llogaria e noterit sipas nenit 7 të kësaj rregulloreje dhe dokumentohet nëpërmjet pakësimit të gjendjes kontabël të llogarisë elektronike të noterit, në vlerën e tarifës së shërbimit.
3. ZRPP-ja, me kërkesë në Degën e Thesarit do të bëjë transferimin e shumave me të cilat është pakësuar llogaria elektronike e noterit, për shkak të shërbimeve të përfituara nga llogaria “Mjete në ruajtje” e noterit në Degën e Thesarit, në llogarinë përkatëse të të ardhurave të ZRPP-së.

Neni 10
Afatet e shërbimeve on-line
1. Shërbimi i përshkruar në germën “a” të pikës 1 të nenit 8 jepet on-line duke klikuar në rubrikën përkatëse të pasurisë së paluajtshme, për të cilën kërkohet shërbimit. Gjatë një periudhe prej 30 ditësh nga moment i klikimit të parë, noteri ka të drejtë të kontrollojë pa pagesë kartelën dhe të dhënat e tjera të pasurisë së paluajtshme.
2. Shërbimi i përshkruar në germën “b” të pikës 1 të nenit 8, jepet brenda ditës së nesërme të punës, që vjen pas ditës në të cilën është kërkuar shërbimi nga noteri.
Neni 11
Procedurat e ofrimit të shërbimeve on-line
1. Për të përfituar shërbimin e përshkruar në germën “a” të pikës 1 të nenit 8, noteri pasi të ketë marrë më parë pëlqimin e pronarit/ëve të pasurisë së paluajtshme, me klikimin në rubrikën përkatëse të pasurisë së paluajtshme, për të cilën kërkohet shërbimi, merr automatikisht shërbimin nga sistemi OSS, nëpërmjet shfaqjeve të imazheve të skanuara të kartelës dhe të të dhënave të tjera mbi pasurinë e paluajtshme, pa pasur nevojë kryerjen e ndonjë veprimi nga operatori i ZRPP-së.
2. Për të përfituar shërbimin e përshkruar në germën “b” të pikës 1 të nenit 8, noteri, pasi merr pëlqimin e pronarit të pasurisë së paluajtshme, i kërkon ZVRPP-së, nëpërmjet klikimit në rubrikën “Kërkesë për informacion të përditësuar të kartelës dhe leje veprimi”, ofrimin e këtij shërbimi. Kërkesa e paraqitur nga noteri do të shfaqet automatikisht para operatorit të ZRPP-së, i
cili është ngarkuar me plotësimin e kërkesave për pasuritë e ndodhura në zona kadastrale ku ndodhet pasuria objekt kërkese.
3. Brenda ditës së nesërme të punës, nga dita e marrjes së kërkesës, sipas paragrafit 2 të këtij neni, operatori i ZRPP-së verifikon:
a) nëse për pasurinë objekt kërkese është paraqitur dhe është duke u trajtuar ndonjë kërkesë tjetër për shërbim nga ZRPP-ja, që mund të sillte ndryshimin e gjendjes së ndonjërit nga seksionet e kartelës së pasurisë dhe që bëjnë të pamundur tjetërsimin e pasurisë;
b) nëse për pasurinë objekt kërkese, në zyrën e protokoll-arkivit në ZRPP është paraqitur ndonjë akt i organeve të tjera, regjistrimi i të cilit do të passillte kufizime në të drejtën e tjetërsimit të pasurisë;
c) nëse për pasurinë objekt kërkese, veprimet mbi pasurinë janë të kufizuara, bazuar në një akt të regjistruesit të nxjerrë në përputhje me nenin 59 dhe paragrafin 2 të nenit 75 të ligjit nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” apo organeve të tjera sipas ligjit;
ç) nëse për pasurinë objekt kërkese, veprimet mbi pasurinë janë të kushtëzuara nga dhënia e pëlqimit nga një subjekt i tretë, i ndryshëm nga pronari i pasurisë;
d) bën të mundur, nëpërmjet fotografimit të kartelës manuale të pasurisë përkatëse, përgatitjen e imazhit të kartelës dhe e dërgon atë nëpërmjet sistemit IPS të ZRPP-së, në sistemin elektronik të pasurive të paluajtshme, në mënyrë që të jetë e aksesueshme nga noteri.
Neni 12
Procedura pas verifikimit të kërkesës
1. Menjëherë pas kryerjes së procedurës së parashikuar në paragrafin 3 të këtij neni, operatori i ZRPP-së, në varësi të rezultatit të verifikimit të bërë, procedon si vijon:
a) në rast të konstatimit të ekzistencës së ndonjërës nga kërkesat apo kufizimet e përmendura në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të paragrafit 3 të këtij neni, i kthen përgjigje përdoruesit nëpërmjet klikimit në rubrikën e statusit të plotësimit të kërkesës “anuluar”, duke bërë dhe komentet përkatëse. Në këtë rast përdoruesi, nuk procedon me hartimin e kontratës së tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme.
3325
b) në rast të konstatimit të ekzistencës së kushteve të përmendura në shkronjën “ç” të paragrafit 3 të këtij neni, i kthen përgjigje përdoruesit, nëpërmjet klikimit në rubrikën e statusit të plotësimit të kërkesës “leje veprimi me kusht”, duke bërë dhe komentet përkatëse mbi kushtin. Në këtë rast noteri procedon me hartimin e kontratës së kalimit të pronësisë, pasi nga pronari të
provohet dhënia e pëlqimit për transferimin nga subjekti përkatës.
c) Në rast të moskonstatimit të asnjërës nga rrethanat e përmendura në paragrafin 3 të këtij neni, i kthen përgjigje përdoruesit, nëpërmjet klikimit në rubrikën e statusit të plotësimit të kërkesës “sukses”. Në këtë rast përdoruesi procedon me hartimin e kontratës së tjetërsimit të pasurisë së paluajtshme.
ç) në rastet e shkronjave “b” dhe “c” të këtij paragrafi, për pasurinë objekt kërkese të përdoruesit nga sistemi rezervohet e drejta e tjetërsimit për një periudhë prej 30 ditësh kalendarike, nga data e dhënies së përgjigjes “sukses” apo “leje veprimi me kusht”. Operatori i ZVRPP-së kujdeset që në kartelën manuale të pasurisë, për të cilën është rezervuar e drejta e tjetërsimit, të pasqyrohen shënimet e rezervimit dhe afati. Pas kalimit të afatit të rezervimit, sistemi OSS, automatikisht shuan këtë të drejtë. Në kartelën manuale, operatori i ZRPP-së, heq shënimin e rezervimit me kalimin e afatit 30-ditor. Gjatë periudhës së rezervimit, asnjë akt tjetër i hartuar pas momentit të rezervimit dhe për të cilin është paraqitur një kërkesë për regjistrim, nuk do të regjistrohet. Në rast se akti noterial i tjetërsimit të pasurisë, paraqitet për regjistrim dhe regjistrimi kryhet pa përfunduar ende afati 30-ditor i rezervimit, operatori i ZVRPP-së liron pasurinë nga rezervimi dhe e kalon në statusin e procesit të kërkesës “mbyllur”. Në këtë rast, operatori i ZRPPsë
heq edhe shënimin e rezervimit në kartelën manuale të pasurisë.
2. Për kryerjen e procedurës së parashikuar në këtë nen, operatori i ZRPP-së ndihmohet nga punonjësit e ZRPP-së, pjesë e strukturës së zonës përkatëse të punës, të cilët i ngarkon me kryerjen e verifikimeve përkatëse dhe përgatitjen e imazheve të kartelës manuale. Rezultatet e verifikimit të kryera nga punonjësi i ngarkuar, fiksohen në një dokument/regjistër, i cili përmban të dhëna për pasurinë e verifikuar, datën dhe orën e verifikimit, rezultatin e verifikimit, si dhe nënshkrimin nga
punonjësi që kreu verifikimin. Në çdo rast, dërgimi i imazhit të kartelës manuale nëpërmjet sistemit IPS në sistemin elektronik të pasurive të paluajtshme, dhënia e përgjigjeve on-line për noterët, kryerja dhe heqja e shënimeve të rezervimit në kartelën manuale, lirimi i pasurisë nga rezervimi dhe kalimi në statusin e procesit të kërkesës “mbyllur”, kryhet nga operatori i ZRPP-së.
3. Regjistruesi i ZRPP-së përkatëse ka detyrimin të verifikojë ecurinë e procesit të trajtimit të kërkesave, respektimin e procedurës dhe të raportojë te drejtuesit e vet.
Neni 13
Të drejtat dhe detyrimet e noterit
1. Noterët për aksesimin dhe marrjen e shërbimeve të kërkuara nëpërmjet këtij sistemi, kanë këto detyrime:
a) të kryejnë regjistrimin si përdorues dhe të hapin llogarinë e përdoruesit sipas parashikimeve të kësaj rregulloreje;
b) të paguajnë tarifa për shërbimet e kërkuara;
c) të përgjigjen për çdo kërkesë apo pretendim të pronarit të pasurisë së paluajtshme kundrejt ZRPP-së, për dëme të shkaktuara, për shkak të mosrespektimit nga noteri të nenit 54 të ligjit nr. 7889, datë 1.6.1994 “Për noterinë”, të ndryshuar.
2. Noterët, për aksesimin dhe marrjen e shërbimeve të kërkuara nëpërmjet këtij sistemi, kanë këto të drejta:
a) të pajisen me user name dhe password;
b) të ndryshojnë password-in e marrë pasi ka hyrë në sistem për herë të parë;
c) të logohen në sistemin OSS pa pagesë;
ç) të paraqesin kërkesa për përfitimin e shërbimeve dhe të kërkojnë ofrimin e shërbimit sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara në këtë rregullore;
d) të marrin informacionin e duhur për shërbimin e kërkuar;
e) të paraqesin ankesë, në rast të shkeljes së detyrimeve nga punonjësit e ZRPP-së.


Neni 14
Operatori i llogarisë
1. Operatori i llogarisë ka detyrimin të hapë llogarinë e përdoruesi për noterin, menjëherë pasi ka administruar nga ky i fundit kopje të mandatarkëtimit, sipas kësaj rregulloreje.
2. Operatori i llogarisë, sa herë që nga noteri paraqitet një mandatarkëtimi, ka detyrimin të kreditojë llogarinë e këtij të fundit me vlerën e shumës së dhënë në mandatarkëtim.
3. Operatori i llogarisë njofton administratorin e sistemit për pamundësinë e ofrimit të shërbimeve nga sistemi për përdoruesit të cilëve u ka përfunduar krediti në llogari.
4. Operatori i llogarisë raporton me shkrim për çdo kërkesë të administratorit të sistemit lidhur me ankimet që parashtrojnë noterët në lidhje me llogarinë në raport me shërbimet e ofruara nga sistemi OSS.
5. Operatori i llogarisë, për një funksionim sa më të mirë të sistemit, bashkëpunon e koordinon me administratorin dhe kryen të gjitha detyrat e ngarkuara prej tij.
6. Operatori i llogarisë, kryen dhe paraqet në Drejtorinë Ekonomike të ZRPP-së, kopje të mandatarkëtimeve të përdoruesve, brenda ditës së punës në të cilën ato janë paraqitur.
7. Operatori i llogarisë, përgatit raporte javore financiare, shoqëruar me dokumentet përkatëse, në lidhje me shërbimet e ofruara nga OSS për noterët dhe të ardhurat nga këto shërbime.
Neni 15
Operatori i ZRPP-së
1. Operatori i ZRPP-së merr dhe trajton kërkesat për shërbime të bëra on-line nga noterët, në përputhje me procedurat e përcaktuara në këtë rregullore.
2. Operatori i ZRPP-së, pas administrimit në rrugë elektronike të një kërkese nga noteri “Për dhënien e informacionit të përditësuar të kartelës dhe leje veprimi”, ka të drejtë të ngarkojë punonjësit e ZRPP-së, pjesë e strukturës së zonës përkatëse të punës, me detyrën e kryerjes së
verifikimeve përkatëse, përgatitjen e imazheve të kartelës manuale.
3. Operatori i ZRPP-së ka detyrimin të trajtojë kërkesat brenda afateve të përcaktuara në këtë rregullore, si dhe të garantojë realizimin me cilësi të shërbimit.
4. Operatori i ZRPP-së ka detyrimin të raportojë çdo ditë te regjistruesi për kërkesat e paraqitura dhe ecurinë e trajtimit të tyre.
5. Operatori i ZRPP-së, për ankesat e paraqitura nga noteri, bashkëpunon me administratorin për zgjidhjen e trajtimin e tyre dhe bën të gjitha përpjekjet që të mos cenohen marrëdhëniet midis noterit dhe ZRPP-së.
Neni 16
Administratori i sistemit
1. Administratori i sistemit mirëmban dhe drejton funksionimin e sistemit.
2. Administratori i sistemit mbikëqyr procesin e pranimit, trajtimit dhe ofrimit të shërbimit nga operatorët e ZRPP-së, si dhe nënshkruan formularin tip të regjistrimit si përdorues, sipas modelit të paraqitur në aneksin 1, bashkëlidhur kësaj rregulloreje.
3. Administratori i sistemit i dorëzon noterit, user name-in si përdorues dhe fjalëkalimin.
4. Administratori i sistemit ka autoritetin e plotë për të shtuar dhe për të hequr çdo të dhënë nga sistemi e cila nuk është më e nevojshme.
5. Administratori i sistemit, pas njoftimit të operatorit të llogarisë, për noterët të cilëve u ka përfunduar krediti në llogari, u dërgon një njoftim elektronik këtyre të fundit për mungesën e krediteve në llogarinë e tyre në ZRPP dhe për pamundësinë e ofrimit të shërbimeve nga sistemi në të ardhmen, deri në momentin e kryerjes së pagesës së re.
6. Administratori i sistemit, trajton dhe zgjidh ankimet e administruara elektronikisht apo në formë shkresore, të noterëve në lidhje me shërbimet e kërkuara on-line, apo në lidhje me kreditet e tyre në raport me pagesat në OSS. Administratori për ankimet bashkërendon me operatorin e llogarisë dhe operatorin e ZRPP-së.
7. Administratori i sistemit, për funksionimin e sistemit dhe ankimet e përdoruesve, raporton periodikisht te kryeregjistruesi, të paktën një herë në javë.
8. Administratori i sistemit, për funksionimin e sistemit, është personi përgjegjës që duhet të mbajë kontaktet me mirëmbajtësin e sistemit.


KREU III
DISPOZITA TË FUNDIT
Neni 17
Ankimet
1. Noterët, në lidhje me shërbimet e kërkuara on-line apo në lidhje me kreditet e tyre në raport me pagesat e bëra automatikisht nga sistemi OSS, mund të paraqesin ankim tek administrator në mënyrë elektronike apo në formë shkresore.
2. Ankimi duhet të përmbajë të dhëna të mjaftueshme mbi problemin e evidentuar nga noteri.
Neni 18
Plotësimi i informacionit
Për çdo rast që administratori vlerëson se ankimi është i paplotë dhe nuk përmban të dhënat e mjaftueshme për të përcaktuar objektin e tyre apo për të bërë të mundur shqyrtimin e pretendimit të paraqitur, i kërkon ankimuesit në rrugë elektronike, plotësimin e ankesës.
Neni 19
Zgjidhja e problemit dhe afatet
1. Pas njohjes me ankimet, administratori i paraqet ato para kryeregjistruesit, i cili, në varësi të problemit që ato parashtrojnë, i delegon për trajtim te drejtoritë, sektorët apo punonjësit e ngarkuar prej tij, të cilët duhet të verifikojnë dhe t’i kthejnë përgjigje zyrtare ankimuesit për pretendimet e tij.
2. Në rastet kur çështja e paraqitur ka të bëjë me ankim ndaj trajtimit të aplikimit të një shërbimi në ZRPP, të ndryshëm nga shërbimet e ofruara sipas kësaj rregulloreje, drejtoritë, sektorët apo punonjësit e ngarkuar në trajtimin e çështjes, e orientojnë ankuesin të dërgojë në ZRPP një ankim në përputhje me nenin 66 të Kodit të Procedurave Administrative.

Neni 20
Dispozitë tranzitore
1. Dispozitat e kësaj rregulloreje që i referohen regjistrit elektronik të pasurive të paluajtshme, do të konsiderohen se i referohen arkivës digjitale që është krijuar pranë ZRPP-së në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj rregulloreje, deri në momentin e krijimit dhe funksionimit të regjistrit elektronik të pasurive të paluajtshme.
2. Deri në miratimin e udhëzimit të përbashkët për përcaktimin e tarifave të shërbimit, sipas përcaktimit të ligjit nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe të kësaj rregulloreje, ZRPP-ja do të aplikojë tarifat e shërbimit të parashikuara në vendimin nr. 713, datë 20.10.2011 të Këshillit të Ministrave “Për caktimin e tarifave të shërbimit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, duke i shtuar kësaj tarife edhe vlerën e tarifës së pullës për shërbimin përkatës.


 


Data postimit :04/08/2012
Ikub# :1208040016
Tags: RREGULLORE
Lexuar :712 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:06/07/2012
Propozuar nga:Ministri i Drejtësisë
Data e miratimit:06/07/2012
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:06/07/2012
Numri i fletores zyrtare:70
Data e fletores zyrtare:06/22/2012
Faqja e fletores zyrtare:3320
Numri i ligjit:248

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al