Back

PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATAVE ADMINISTRATIVE DHE GJYKIMIN E MOSMARRËVESHJEVE ADMINISTRATIVE

LIGJ
Nr. 49/2012
PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E GJYKATAVE ADMINISTRATIVE DHE GJYKIMIN E MOSMARRËVESHJEVE ADMINISTRATIVE


Në mbështetje të neneve 81 pika 2 shkronja “a”, 83 pika 1 dhe 135 pika 2 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,


KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË VENDOSI:
KREU I
DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 1
Objekti
l. Ky ligj përcakton rregulla të detyrueshme për:
a) organizimin dhe funksionimin e gjykatave administrative, si dhe statusin e gjyqtarëve që shërbejnë në to;
b) juridiksionin dhe kompetencën e gjykatave administrative;
c) parimet dhe procedurën e gjykimit, palët në proces dhe personat e tjerë në gjykimin administrativ;
ç) vendimet gjyqësore administrative dhe ekzekutimin e tyre.
2. Dispozitat e këtij ligji plotësohen me parashikimet e Kodit të Procedurës Civile, me përjashtim të rasteve dhe për aq sa ky ligj nuk parashikon ndryshe.
Neni 2
Përkufizime
Në këtë ligj termat e mëposhtëm kanë këto kuptime:
1. “Akt administrativ” është çdo akt administrativ individual dhe çdo akt nënligjor normativ.
2. “Akt administrativ individual” është çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të funksionit të tij publik, ndaj një ose disa subjekteve individualisht të përcaktuara të së drejtës, që krijon, ndryshon ose shuan një marrëdhënie juridike konkrete.
3. “Akt nënligjor normativ” është çdo vullnet i shprehur nga organi publik, në ushtrim të funksionit të tij publik, që rregullon marrëdhënie të përcaktuara me ligj, duke vendosur rregulla të përgjithshme sjelljeje dhe që nuk shteron në zbatimin e tij.
4. “Gjykata administrative” janë gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.
5. “Mosveprim administrativ” është çdo mungesë veprimi nga organi i administratës publike për të ushtruar veprimtarinë administrative, sipas funksionit publik, që krijon pasoja juridike mbi të drejta subjektive apo interesa të ligjshëm.
6. “Organ publik” është çdo organ i pushtetit qendror, i cili kryen funksione administrative, çdo organ i enteve publike, në masën që ato kryejnë funksione administrative; çdo organ i pushtetit vendor që kryen funksione administrative; çdo organ i Forcave të Armatosura, çdo strukturë tjetër, punonjësit e së cilës gëzojnë statusin e ushtarakut, për aq kohë sa këto kryejnë funksione administrative, si dhe çdo person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë me ligj, akt nënligjor ose çdo lloj forme tjetër, të parashikuar nga legjislacioni në fuqi, e drejta e ushtrimit të funksioneve publike.
7. “Veprim administrativ” është akti administrativ, kontrata administrative dhe veprimi tjetër administrativ.
8. “Veprim tjetër administrativ” është çdo formë e njëanshme e veprimtarisë së organit publik, në kryerjen e funksionit publik dhe që nuk plotëson kushtet për të qenë akt administrativ apo kontratë dhe që krijon pasoja juridike mbi të drejtat subjektive apo interesat e ligjshëm.
9. “Ekspert i gjykatës” është profesionisti i kualifikuar në fushat e teknikës ose shkencës, i pavarur nga palët, dhe i regjistruar si i tillë paraprakisht në regjistrin e ekspertëve të mbajtur nga gjykata.
10. “Ekspert i palëve” është profesionisti i kualifikuar, që ka njohuri të posaçme të provuara në fushat e teknikës ose shkencës dhe që thirret e asiston në proces me mendimin e tij të pavarur dhe gëzon statusin e dëshmitarit.
Neni 3
Parimet e gjykimit administrativ
1. Gjykata, në gjykimin administrativ, siguron nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve të shpejta e të arsyeshme, mbrojtjen juridike të të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe ligjorë të subjekteve, që mund të cenohen si pasojë e ushtrimit ose jo të funksioneve publike nga ana e organeve të administratës publike.
2. Gjykata administrative zbaton parimin e mbrojtjes së interesit publik dhe të të drejtave e interesave të ligjshëm të personave privatë.
3. Organi i administratës publike, si rregull, ka detyrimin të provojë bazueshmërinë në ligj dhe në fakt të veprimeve të kryera prej tij.
4. Gjykata administrative, sipas natyrës së çështjes, shqyrton çështjen gojarisht në seancë
gjyqësore ose mbi bazë aktesh shkresore në dhomë këshillimi. Mosparaqitja e palëve nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit.
KREU II
ORGANIZIMI I GJYKATAVE ADMINISTRATIVE DHE KOMPETENCAT
Neni 4
Organizimi dhe funksionimi i gjykatave administrative
1. Gjykata kompetente për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative, sipas këtij ligji, janë gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.
2. Gjykatat administrative të shkallës së parë organizohen në numër dhe për territor të barabartë me atë të gjykatave të apelit civil, në kohën e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Veprimtaria e gjykatës administrative të shkallës së parë, si rregull, ushtrohet në selinë e saj.
Gjykata mund të zhvillojë një pjesë të veprimtarisë edhe jashtë selisë së saj, nëse kjo vlerësohet e nevojshme, lehtëson aksesin për cilëndo palë, kursen kohë ose shpenzime procedurale. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me propozim të Ministrit të Drejtësisë, përcakton rregulla më të detajuara për ushtrimin e veprimtarisë së gjykatës administrative të shkallës së parë jashtë selisë së saj.
3. Gjykata Administrative e Apelit organizohet së paku në Tiranë.
4. Kompetencat tokësore, selia qendrore, si dhe numri i gjyqtarëve të gjykatave administrative të shkallës së parë dhe të Gjykatës Administrative të Apelit caktohen me dekret të Presidentit të Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimet, pasi të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Neni 5
Kriteret dhe mënyra e emërimit të gjyqtarëve
l. Kriteret e emërimit dhe të karrierës së gjyqtarëve, statusi i tyre, përgjegjësia për shkeljet disiplinore, procedimi disiplinor, administrimi i shërbimeve në gjykatë, si dhe riorganizimi gjyqësor rregullohen sipas dispozitave të ligjit nr. 9877, datë 18.2.2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, me përjashtim të rastit kur në këtë ligj parashikohet ndryshe.
2. Gjyqtar në gjykatën administrative të shkallës së parë mund të emërohet shtetasi shqiptar që përmbush kriteret e mëposhtme:
a) të jetë gjyqtar jo më pak se 5 vjet;
b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
3. Gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit mund të emërohet shtetasi shqiptar që përmbush kriteret e mëposhtme:
a) të jetë gjyqtar jo më pak se 9 vjet;
b) të mos ketë masë disiplinore në fuqi.
4. Procedura e përzgjedhjes së kandidatëve për gjyqtarë në gjykatën administrative të shkallës së parë dhe të Apelit bëhet nga KLD-ja në dy faza:
a) lista e kandidatëve që plotësojnë kriteret e mësipërme për gjyqtarë në gjykatën administrative të shkallës së parë dhe të Apelit i dërgohen Shkollës së Magjistraturës për t’iu nënshtruar një testimi seleksionues me shkrim të organizuar prej saj;
b) kandidatët që kalojnë me sukses testimin seleksionues, përzgjidhen nga KLD-ja, duke mbajtur parasysh rezultatet e testimit seleksionues.
5. Rregullat për organizimin, kryerjen e testimit seleksionues dhe mënyra e vlerësimit të kandidatëve parashikohen në një shtojcë të veçantë, pjesë përbërëse e këtij e ligji.
Neni 6
Ndihmësit ligjorë
1. Gjyqtari i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë dhe Gjykatës së Apelit Administrativ, në veprimtarinë e tij ndihmohet nga ndihmësi ligjor.
2. Ndihmësi ligjor ndihmon dhe këshillon gjyqtarin lidhur me përgatitjen e çështjes për gjykim dhe shqyrtimin gjyqësor, si dhe përgatit projekt-akte procedurale të nevojshme për gjykimin. Me kërkesë të gjyqtarit, ndihmësi ligjor bën kërkime ligjore dhe përgatit opinione me shkrim për problematika ligjore
të karakterit procedural dhe material që lidhen me çështjet në gjykim.
3. Numri i ndihmësve ligjorë për çdo gjykatë administrative caktohet nga Ministri i Drejtësisë, por në çdo rast numri i tyre nuk mund të jetë më i vogël se 50 për qind e numrit të gjyqtarëve të kësaj
gjykate.
KREU III
KOMPETENCAT E GJYKATAVE ADMINISTRATIVE
DHE PËRBËRJA E TRUPIT GJYKUES
Neni 7
Kompetenca lëndore
Gjykatat administrative janë kompetente për:
a) mosmarrëveshjet që lindin nga aktet administrative individuale, aktet nënligjore normative dhe
kontratat administrative publike, të nxjerra gjatë ushtrimit të veprimtarisë administrative nga organi
publik;
b) mosmarrëveshjet që lindin për shkak të ndërhyrjes së paligjshme ose të mosveprimit të organit
publik;
c) mosmarrëveshjet e kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme administrative në rastet e
parashikuara nga Kodi i Procedurave Administrative;
ç) mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur punëdhënësi është organ i
administratës publike;
d) kërkesat e paraqitura nga organet administrative për shqyrtimin e kundërvajtjeve
administrative, për të cilat ligji parashikon heqjen e lirisë deri në 30 ditë, si një lloj të dënimit
administrativ për kundërvajtësin;
dh) kërkesat e paraqitura nga kundërvajtësit për zëvendësimin e dënimit administrativ me heqje
lirie deri në 30 ditë me dënimin me gjobë.
2704
Neni 8
Mosmarrëveshjet, të cilat nuk shqyrtohen në gjykatën administrative
Gjykata administrative nuk shqyrton mosmarrëveshjet:
a) të cilat lidhen me aktet nënligjore normative që, sipas Kushtetutës, janë në kompetencën e
Gjykatës Kushtetuese;
b) shqyrtimi i të cilave, sipas legjislacionit në fuqi, është në kompetencën e një gjykate tjetër.
Neni 9
Kundërshtimi i juridiksionit
1. Gjykata në çdo fazë dhe shkallë të gjykimit, qoftë edhe kryesisht, kur konstaton se çështja nuk
bën pjesë në juridiksionin gjyqësor, merr vendim për nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit dhe
dërgimin e akteve organit kompetent.
2. Kundër vendimit të gjykatës mund të bëhet ankim i veçantë në Kolegjin Administrativ të
Gjykatës së Lartë. Kolegji vendos në dhomë këshillimi brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve,
nëse çështja përfshihet ose jo në juridiksionin gjyqësor.
Gjykimi i filluar pezullohet derisa të jepet vendimi për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për
juridiksionin.
Gjykata mund të marrë vetëm masa për sigurimin e padisë dhe të kryejë veprime procedurale që
nuk presin.
3. Kur Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë konstaton se çështja është brenda juridiksionit
gjyqësor, prish vendimin dhe e dërgon çështjen për vazhdimin e gjykimit me të njëjtin trup gjykues në
gjykatën që kishte vendosur nxjerrjen e çështjes jashtë juridiksionit.
Neni 10
Kompetenca funksionale
1. Gjykata administrative e shkallës së parë shqyrton mosmarrëveshjet administrative të
parashikuara në nenin 7 të këtij ligji, me përjashtim të atyre që lidhen me aktin nënligjor normativ.
2. Gjykata Administrative e Apelit shqyrton:
a) ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë;
b) në shkallë të parë, mosmarrëveshjet me objekt aktet nënligjore normative, si dhe raste të tjera
të parashikuara me ligj.
Neni 11
Kompetenca tokësore
1. Paditë kundër veprimit administrativ shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së
parë, që përfshin territorin, në të cilin organi publik ka kryer veprimin administrativ që kundërshtohet.
Në rastet kur organi administrativ më i lartë, pas ankimit administrativ, e ndryshon aktin
administrativ të organit vartës, padija ngrihet në gjykatën që përfshin territorin ku ka qendrën organi
administrativ më i lartë.
2. Paditë për marrëdhëniet e punësimit shqyrtohen në gjykatën administrative të shkallës së parë,
që përfshin territorin, ku punëmarrësi kryen zakonisht punën e tij.
3. Paditë për mosmarrëveshjet administrative, që kanë për objekt mbrojtjen e të drejtave dhe
interesave të ligjshëm, që rrjedhin nga sendet e paluajtshme, shqyrtohen në gjykatën administrative të
shkallës së parë, që përfshin territorin në të cilin ndodhet sendi ose pjesa më e madhe e tij.
4. Paditë për mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave
kushtetues dhe ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe
pagesa e aftësisë së kufizuar, përveç sa është parashikuar në këtë ligj, shqyrtohen në gjykatën
administrative të shkallës së parë, që përfshin territorin ku paditësi ka banimin ose vendqëndrimin.
5. Kur kompetenca tokësore nuk mund të përcaktohet në këtë mënyrë, atëherë kompetente është
gjykata, në territorin e së cilës ka qendrën organi publik i paditur.
2705
Neni 12
Përbërja e trupit gjykues
1. Gjykata administrative e shkallës së parë gjykon me trup gjykues të përbërë me tre gjyqtarë
mosmarrëveshjet lidhur me kontratat administrative publike dhe kërkesat e paraqitura në zbatim të
shkronjave “d” dhe “dh” të nenit 7 të këtij ligji.
Të gjitha mosmarrëveshjet e tjera shqyrtohen me trup gjykues të përbërë nga një gjyqtar.
2. Gjykata Administrative e Apelit gjykon me trup gjykues të përbërë:
a) me 3 gjyqtarë, ankimet kundër vendimeve të gjykatës administrative të shkallës së parë;
b) me 5 gjyqtarë, paditë ndaj aktit nënligjor normativ.
3. Gjykata e Lartë gjykon në Kolegj Administrativ me trup gjykues të përbërë nga 5 gjyqtarë,
me përjashtim të rasteve kur ky ligj parashikon ndryshe.
Neni 13
Mosmarrëveshjet e kompetencave
1. Moskompetenca lëndore dhe funksionale ngrihet edhe kryesisht në çdo gjendje e shkallë të
shqyrtimit.
2. Moskompetenca tokësore mund të ngrihet ose kundërshtohet nga palët vetëm para se të ketë
filluar shqyrtimi gjyqësor i provave.
3. Gjykata shpall me vendim moskompetencën e saj për shkaqet e parashikuara në këtë nen dhe
urdhëron dërgimin e akteve gjykatës kompetente. Vendimi për shpalljen e moskompetencës dhe vendimi
për rrëzimin e kërkesës për shpalljen e moskompetencës ankimohen së bashku me vendimin
përfundimtar.
4. Ka mosmarrëveshje për kompetencën, kur dy ose më shumë gjykata, në të njëjtën kohë,
marrin ose nuk pranojnë të marrin për shqyrtim të njëjtën çështje administrative.
5. Gjykata, me kërkesë të palëve ose kryesisht, ngre çështjen e mosmarrëveshjes me vendim të
arsyetuar, me të cilin i paraqet Gjykatës së Lartë kopjen e akteve të nevojshme për zgjidhjen e saj.
Gjykata, që ka dhënë vendimin, njofton menjëherë gjykatën në mosmarrëveshje. Vendimi për ngritjen e
mosmarrëveshjes, së bashku me aktet, i dërgohet Gjykatës së Lartë brenda 5 ditëve.
6. Mosmarrëveshjet zgjidhen nga Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, i cili vendos në
dhomë këshillimi me 3 gjyqtarë brenda 10 ditëve nga data e marrjes së akteve. Vendimi u njoftohet
menjëherë gjykatave në mosmarrëveshje dhe palëve.
KREU IV
SUBJEKTET DHE KUSHTET FORMALE TË PADISË
Neni 14
Të drejtat dhe detyrat e palëve
Palët, përfaqësimi, të drejtat dhe detyrat e palëve dhe të përfaqësuesve, përgjegjësia e palëve për
shpenzimet dhe për dëmet gjatë procesit, pjesëmarrësit e tjerë në gjykim rregullohen sipas dispozitave
përkatëse të Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato nuk bien ndesh me përmbajtjen e këtij ligji.
Neni 15
E drejta e padisë
Të drejtën e ngritjes së padisë e ka:
a) çdo subjekt, që pretendon se i është cenuar një e drejtë apo një interes i ligjshëm nga një
veprim apo mosveprim i organit publik;
b) organi i administratës publike, që pretendon se është cenuar në ushtrimin e kompetencave nga
2706
një akt administrativ apo nga një akt nënligjor normativ i paligjshëm, i një organi publik, me të cilin nuk
ka lidhje varësie hierarkike. Në këtë rast, organi shtetëror mund të kërkojë zgjidhjen e mosmarrëveshjes
së kompetencës dhe/ose shfuqizimin e aktit;
c) punëmarrësi ose punëdhënësi për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, kur
punëdhënës është një organ i administratës publike;
ç) çdo subjekt që pretendon se është cenuar në të drejtat dhe interesat e tij të ligjshëm për shkak
të ndërhyrjeve të paligjshme të organit publik, që nuk kanë formën e aktit administrativ;
d) çdo shoqatë apo grup interesi që pretendon se është cenuar një interes i ligjshëm publik:
i) nga një akt normativ;
ii) nga një akt administrativ, në rast se një e drejtë e tillë u njihet me ligj;
dh) çdo subjekt tjetër, të cilit kjo e drejtë i njihet shprehimisht me ligj.
Neni 16
Kushti për shterimin e ankimit administrativ
1. Padia ndaj veprimit administrativ mund të ngrihet vetëm pas shterimit të ankimit
administrativ.
2. Përjashtohen nga ky rregull rastet kur:
a) ligji nuk parashikon organ më të lartë për paraqitjen e ankimit administrativ, ose kur organi
më i lartë administrativ nuk është konstituuar;
b) ligji parashikon shprehimisht të drejtën për t'u ankuar ndaj veprimit administrativ drejtpërdrejt
në gjykatë;
c) organi më i lartë në shqyrtimin e një ankimi administrativ ka cenuar, me vendimin e tij, të
drejtat apo interesat personalë të ligjshëm të një personi, i cili nuk ka qenë palë në procedimin
administrativ.
Neni 17
Objekti i padisë
1. Padia ngrihet:
a) për shfuqizimin tërësisht apo pjesërisht të aktit administrativ;
b) për ndryshimin, pjesërisht apo tërësisht, të aktit administrativ apo detyrimin e organit publik
për të ndryshuar një akt administrativ;
c) për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ;
ç) për të detyruar organin publik të kryejë një veprim administrativ, që është refuzuar, apo për të
cilin organi publik ka heshtur, ndonëse ka pasur kërkesë;
d) për konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ, që nuk prodhon pasoja juridike,
nëse paditësi ka një interes të arsyeshëm për këtë;
dh) për saktësimin e të drejtave dhe të detyrimeve ndërmjet paditësit dhe organit publik;
e) për detyrimin e organit publik për të kryer apo për të ndaluar kryerjen e një veprimi tjetër
administrativ, të nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave apo të interesave të paditësit;
ë) për përcaktimin e organit që ka në kompetencën e tij zgjidhjen e çështjes konkrete, duke
urdhëruar kur është rasti dhe shfuqizimin e aktit të nxjerrë nga organi jokompetent;
f) për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, sipas ligjit të posaçëm;
g) për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, kur punëdhënësi është një organ i administratës
publike.
2. Gjykata zgjidh mosmarrëveshjet në përputhje me dispozitat ligjore dhe normat e tjera në fuqi,
që janë të detyrueshme. Ajo bën një cilësim të saktë të fakteve dhe veprimeve që lidhen me
mosmarrëveshjen, pa u lidhur me përcaktimin që mund të propozojnë palët.
2707
Neni 18
Afati për ngritjen e padisë
1. Padia kundër veprimit administrativ paraqitet në gjykatë brenda 45 ditëve. Ky afat fillon nga:
a) data e njoftimit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligj, të aktit administrativ të organit epror, që
ka shqyrtuar ankimin administrativ;
b) data e njoftimit, sipas mënyrës së përcaktuar në ligj, të aktit administrativ, në rastet kur ky akt
ankimohet drejtpërdrejt në gjykatë;
c) data e botimit të aktit administrativ, në rastet kur ligji parashikon detyrimin për botimin e
aktit;
ç) data e marrjes së dijenisë për ndërhyrjen e paligjshme të organit publik mbi të drejtat dhe
interesat ligjorë të subjektit, me çdo lloj veprimi që nuk plotëson kushtet dhe formën e aktit
administrativ;
d) data e mbarimit të afatit ligjor për nxjerrjen e aktit administrativ, në rastet e mosveprimit të
organit administrativ, kur akti administrativ që është kërkuar të nxirret ankimohet drejtpërdrejt në
gjykatë;
dh) data e mbarimit të afatit ligjor për shqyrtimin e ankimit administrativ, në rastet e
mosveprimit të organit më të lartë administrativ.
2. Afati i mësipërm është 1 vit, në rastet kur akti administrativ nuk tregon qartë për të drejtën
dhe afatin e padisë. Në rastin e mosparaqitjes së padisë brenda 1 viti, për arsye se udhëzimet në aktin
administrativ nuk japin informacion të saktë për të drejtën e padisë, padia paraqitet edhe pas 1 viti, por,
në çdo rast, jo më vonë se 30 ditë nga data kur paditësi ka marrë dijeni për ekzistencën e së drejtës së
padisë dhe vetëm kur paditësi jep shpjegime të besueshme për këto rrethana në padinë e tij.
3. Padia kundër aktit nënligjor normativ duhet të paraqitet në gjykatë brenda 3 vjetëve nga data e
hyrjes në fuqi të aktit.
4. Paditë për shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor paraqiten në gjykatë, sipas afateve të
parashikuara në ligjin e posaçëm.
5. Paditë për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës paraqiten në gjykatë, sipas
afateve të parashikuara në legjislacionin që rregullon marrëdhëniet e punës.
6. Padia për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të kompetencave ndërmjet organeve të ndryshme
administrative paraqitet brenda 6 muajve nga lindja e mosmarrëveshjes.
7. Afatet e mësipërme janë të prera dhe shkelja e tyre shkakton humbjen e së drejtës së padisë.
Këto afate shqyrtohen nga gjykata edhe kryesisht.
8. Padia për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ mund të ngrihet në çdo
kohë.
Neni 19
Kushte të tjera
Përveç kushteve të përcaktuara në nenet e këtij kreu, padia duhet të plotësojë edhe kushtet
specifike, të vendosura në ligj, për raste të veçanta.
KREU V
SHQYRTIMI GJYQËSOR NË SHKALLË TË PARË
Neni 20
Procesi publik
l. Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore është i hapur për publikun.
2. Gjykata mund të mos lejojë pjesëmarrjen e mediave dhe të publikut në seancë gjyqësore ose
në një pjesë të saj, me arsyetimin e mbrojtjes së moralit publik, rendit publik, të sigurisë kombëtare, të
sekretit tregtar, të së drejtës së jetës private ose të të drejtave vetjake.
2708
Neni 21
Padia dhe aktet që i bashkëlidhen
1. Padia duhet të plotësojë kërkesat e neneve 154 e 156 të Kodit të Procedurës Civile.
Përveç këtyre kërkesave, paditësi në padi duhet të tregojë saktë:
a) adresën e tij ose të përfaqësuesit, në të cilën duhet t’i dërgohen nga gjykata njoftimet dhe
aktet;
b) një numër telefoni të tij ose të përfaqësuesit, në të cilin gjykata mund ta njoftojë, një adresë
elektronike të tij ose të përfaqësuesit, nëse ka një të tillë, si dhe deklaratën e pranimit të njoftimit me
telefon ose në mënyrë elektronike.
2. Paditësi, përveç aktit administrativ që kundërshton, nuk ka detyrim t'i bashkëlidhë padisë akte
provuese, por, nëse i paraqet ato, duhet të paraqesë edhe kopje të tyre për të paditurin.
3. Paditësi është i detyruar të identifikojë saktë veprimin ose mosveprimin administrativ që
kundërshton.
4. Paditësi është i detyruar të paraqesë listën e personave, që kërkon të thirren në gjykim, me
cilësinë e ekspertit apo të dëshmitarit, duke përcaktuar saktë edhe adresën e tyre.
5. Paditësi, për çdo ndryshim të mëvonshëm të adresës, numrit të telefonit dhe adresës
elektronike të tij ose të përfaqësuesit, detyrohet të njoftojë gjykatën. Shkelja e këtij detyrimi i bën të
papranueshme pretendimet për pavlefshmërinë e njoftimit.
Neni 22
Njoftimet
1. Përveç mjeteve dhe mënyrave të njoftimit, të parashikuara në Kodin e Procedurës Civile,
gjykata, kur e çmon të dobishme dhe kur palët kanë dhënë pëlqimin për pranimin e njoftimit, urdhëron:
a) Njoftimin e palëve ose përfaqësuesve të tyre nga nëpunësi gjyqësor, nëpërmjet telefonit të
gjykatës të përcaktuar për këtë qëllim me urdhër të kancelarit të gjykatës. Ky njoftim duhet të pasqyrohet
në një procesverbal të posaçëm, në të cilin duhet të tregohen numri i telefonit në të cilin bëhet njoftimi,
data dhe ora e saktë e komunikimit, personi me të cilin komunikon nëpunësi gjyqësor dhe qëllimi i
njoftimit. Procesverbali hartohet nga sekretari gjyqësor dhe nënshkruhet prej tij dhe nëpunësit gjyqësor të
ngarkuar me kryerjen e njoftimeve. Ky procesverbal bëhet pjesë e dosjes së gjykimit.
b) Njoftimin e palëve ose përfaqësuesve të tyre nga nëpunësi gjyqësor në një adresë elektronike,
në përputhje me legjislacionin e komunikimeve elektronike. Në këtë mënyrë palëve mund t’u
komunikohen edhe dokumente.
2. Rregulla të detajuara për mënyrën e njoftimit elektronik, sipas pikës 1 të këtij neni, caktohen
me urdhër të Ministrit të Drejtësisë brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.
Neni 23
Bashkimi dhe ndarja e kërkimeve
Në një kërkesëpadi mund të parashtrohen disa kërkime, në rast se gjykata është kompetente për
të gjitha kërkimet. Kur gjykata çmon se shqyrtimi i përbashkët i tyre shkakton vështirësi të dukshme në
zhvillimin e gjykimit, vendos që ato të shqyrtohen veç e veç.
Neni 24
Bashkimi i padive
Kur në një gjykatë janë duke u shqyrtuar padi, në të cilat marrin pjesë po ata persona, si paditës
ose si të paditur, ose padi që kanë lidhje midis tyre, gjykata mund t’i bashkojë këto në një gjykim dhe të
japë për të gjitha një vendim të përbashkët.
2709
Neni 25
Veprimet përgatitore
1. Për zhvillimin e gjykimit, sipas parimit të një procesi të rregullt gjyqësor dhe brenda afateve
të shpejta e të arsyeshme, gjyqtari kryesues, brenda 7 ditëve nga data e paraqitjes së padisë, kryen këto
veprime:
a) I kërkon paditësit plotësimin e të metave të padisë, duke i caktuar atij një afat, deri në 10 ditë.
Kur paditësi nuk plotëson të metat e padisë, brenda afatit të caktuar, gjyqtari jep vendim për kthimin e
padisë dhe të akteve, që i bashkëlidhen asaj. Kundër këtij vendimi lejohet ankim i veçantë.
b) I njofton të paditurit padinë dhe aktet shoqëruese të saj, duke i caktuar atij një afat, deri në 10
ditë nga data e marrjes së këtij njoftimi, për depozitimin në sekretari të prapësimeve me shkrim, të listës
së personave, që i padituri kërkon të thirren në gjykim, me cilësinë e dëshmitarit apo të ekspertit dhe
adresat e tyre, si dhe të akteve të plota shkresore, në të cilat janë bazuar kryerja e veprimit administrativ
dhe shqyrtimi i ankimit administrativ. Në rastin e padisë me të meta, gjyqtari e dërgon këtë njoftim për
të paditurin, në datën e plotësimit të të metave nga paditësi.
c) Merr vendim për kryerjen e ekspertimit kur çmon se për zgjidhjen e çështjes ka nevojë për
njohuri të posaçme. Në këtë vendim ai përcakton fushën e ekspertimit, ekspertin nga lista e gjykatës,
detyrat përkatëse, si dhe afatin e kryerjes së ekspertimit, i cili, si rregull, nuk mund të jetë më i gjatë se
20 ditë.
Eksperti ka të drejtë të njihet me aktet e çështjes dhe nuk mund të refuzojë, pa shkak të ligjshëm,
detyrën e caktuar. Vendimi për kryerjen e ekspertimit i njoftohet menjëherë palëve dhe ekspertit.
Bashkë me vendimin për kryerjen e ekspertimit, gjykata i kërkon ekspertit të plotësojë dhe të
nënshkruajë një deklaratë personale për dijeninë e tij për përgjegjësinë penale, në rast ekspertimi të
rremë, dhe e fton të bëjë betimin se do të kryejë mirë e me nder detyrat që i janë besuar, me të vetmin
qëllim që t’ia bëjë të ditur gjykatës të vërtetën. Kjo deklaratë dorëzohet në gjykatë së bashku me aktin e
ekspertimit. Forma dhe përmbajtja e deklaratës miratohen me urdhër të Ministrit të Drejtësisë.
Palët, brenda 3 ditëve nga njoftimi i vendimit, mund të paraqesin pretendimet e tyre me shkrim
në lidhje me paanshmërinë, njohuritë e posaçme të ekspertit në fushën përkatëse dhe të kërkojnë
përjashtimin e tij, kur janë kushtet e përcaktuara në nenin 72 të Kodit të Procedurës Civile.
Akti i ekspertimit duhet të depozitohet nga eksperti në sekretarinë e gjykatës në afatin e caktuar
nga gjykata. Palët kanë të drejtë të tërheqin kopje të aktit të paktën 3 ditë para datës së seancës
gjyqësore.
ç) Kryen edhe veprime të tjera të parashikuara nga neni 158/a i Kodit të Procedurës Civile, për
aq sa ato janë të pajtueshme me nenet e këtij ligji.
2. Të gjitha këto veprime të gjyqtarit kryesues kryhen me vendime të ndërmjetme dhe
dokumentohen në procesverbalin e veprimeve përgatitore, që përpilohet nga sekretari gjyqësor dhe
nënshkruhen prej tij dhe gjyqtarit kryesues.
3. Mosparaqitja e palëve në veprime përgatitore nuk përbën shkak për pushimin e gjykimit të
çështjes, edhe kur ata janë thirrur dhe njoftuar rregullisht.
Neni 26
Mosparaqitja e provave nga organi publik
1. Paraqitja e provave nga palët bëhet, në çdo rast, përpara seancës së parë gjyqësore. Me
kërkesë me shkrim të motivuar të organit publik, të paraqitur brenda afatit të caktuar, sipas shkronjës
“b” të pikës 1 të nenit 25 të këtij ligji, gjykata i cakton atij një afat të dytë, që duhet të mbarojë jo më
vonë se 5 ditë përpara datës së seancës gjyqësore. Në rast të mosparaqitjes së provave edhe brenda afatit
të dytë të caktuar, shqyrtimi i çështjes vazhdon vetëm mbi aktet e paraqitura.
2. Shkelja e pajustifikuar e detyrimit për të paraqitur provat nga organi publik edhe brenda afatit
të dytë të caktuar përbën shkak që gjykata, me kërkesë të palës, ose kryesisht, të caktojë gjobë ndaj
titullarit të organit publik. Masa e gjobës është e barabartë me 20 për qind të pagës minimale në shkallë
vendi, për çdo ditë vonesë.
2710
3. Në rast se organi publik nuk i paraqet provat deri në datën e seancës gjyqësore, atëherë
gjykata, duke vlerësuar provat e tjera dhe rrethanat e çështjes, mund të konsiderojë të provuar faktet e
pretenduara nga pala tjetër, për provimin e të cilave janë kërkuar këto prova.
Neni 27
Urdhri për caktimin e seancës gjyqësore
1. Gjyqtari, pasi sigurohet për kryerjen e të gjitha veprimeve përgatitore, menjëherë nxjerr
urdhrin për caktimin e seancës gjyqësore. Afati për zhvillimin e seancës gjyqësore nuk mund të jetë më i
gjatë se 15 ditë.
2. Urdhri për caktimin e seancës gjyqësore përmban:
a) datën, orën dhe vendin e zhvillimit të seancës gjyqësore;
b) palët dhe, sipas rastit, dëshmitarët dhe ekspertët e kërkuar nga palët, që duhet të marrin pjesë
në seancë gjyqësore;
c) ekspertët e caktuar nga gjyqtari;
ç) njoftimin dhe mënyrën e njoftimit të palëve dhe të personave, që duhet të marrin pjesë në
seancë.
3. Njoftimi drejtuar palëve duhet të përmbajë paralajmërimin, që mosparaqitja e provave përpara
seancës së parë gjyqësore shkakton mospranimin e tyre. Njoftimi drejtuar dëshmitarëve dhe ekspertit
duhet të përmbajë paralajmërimin, për sanksione, sipas ligjit, për mosparaqitje në seancë, pa shkak të
ligjshëm.
Neni 28
Sigurimi i padisë
l. Me paraqitjen e padisë, paditësi mund t’i kërkojë gjykatës marrjen e masave të sigurimit të
padisë, në rastet kur ai tregon se gjatë kohës së nevojshme të procesit, derisa të arrihet në marrjen e
vendimit të themelit, ekziston mundësia e ardhjes së një dëmi të rëndë e të pariparueshëm, që rrjedh nga
ekzekutimi i veprimit administrativ.
2. Kërkesa për sigurimin e padisë, për shkak të rrethanave të çështjes, mund të paraqitet edhe
para ngritjes së padisë. Në këto raste, gjykata, kur lejon sigurimin e padisë, cakton edhe një afat, jo më
të gjatë se 10 ditë, brenda të cilit duhet të ngrihet padia.
3. Kërkesa për sigurimin e padisë, sipas pikave 1 dhe 2 këtij neni, duhet të shqyrtohet brenda 5
ditëve nga data e paraqitjes në gjykatë. Si rregull kërkesa shqyrtohet në prani të palëve, por, në raste të
ngutshme, mund të shqyrtohet edhe pa u thirrur palët.
4. Vendimi për sigurimin e padisë jepet në çdo fazë dhe shkallë të shqyrtimit gjyqësor, derisa
vendimi nuk ka marrë formë të prerë. Në të gjitha rastet gjykata duhet të arsyetojë vendimin e saj.
Vendimi jepet nga gjykata, pranë së cilës ndodhet padia.
Neni 29
Kushtet për sigurimin e padisë
Gjykata vendos sigurimin e padisë, nëse plotësohen kushtet e mëposhtme:
a) ekziston dyshimi i arsyeshëm, i bazuar në shkresa, për mundësinë e shkaktimit të një dëmi të
rëndë, të pakthyeshëm dhe të atëçastshëm për paditësin;
b) nuk cenohet rëndë interesi publik;
c) nëse shihet e nevojshme nga gjykata, paditësi jep garanci, në llojin dhe masën e caktuar për
dëmin, që mund t’i shkaktohet të paditurit nga sigurimi i padisë.
2711
Neni 30
Llojet e masave për sigurimin e padisë
Sigurimi i padisë bëhet nëpërmjet:
a) pezullimit të zbatimit të aktit administrativ, kontratës administrative ose veprimit tjetër
administrativ;
b) marrjes edhe të masave të tjera të përshtatshme, nga gjykata, në rastet kur vetëm pezullimi
nuk ofron mbrojtje të mjaftueshme.
Neni 31
Revokimi ose ndryshimi i masave për sigurimin e padisë
1. Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur ndryshojnë rrethanat, mund të revokojë ose
të ndryshojë vendimin për sigurimin e padisë.
2. Kërkesa për revokim apo ndryshim të masave për sigurimin e padisë nuk pranohet për
rrethana dhe fakte që nuk kanë ndryshuar ende. I njëjti kusht vlen edhe për kërkesën e riparaqitur për një
masë sigurimi të refuzuar më parë nga gjykata.
Neni 32
Ankimi
1. Kundër vendimit të gjykatës për pranimin apo refuzimin e kërkesës për sigurimin e padisë,
për heqjen, ndryshimin ose zëvendësimin e vendimit për sigurimin e padisë, mund të bëhet ankim i
veçantë në gjykatën më të lartë.
2. Ankimi kundër vendimit që lejon masën e sigurimit nuk pezullon ekzekutimin e masës.
Ankimi kundër vendimit, me të cilin ndryshohet, zëvendësohet ose hiqet masa e sigurimit, pezullon
ekzekutimin e tij. Ankimi kundër vendimeve të mësipërme nuk përbën shkak për pezullimin e gjykimit të
çështjes.
Neni 33
Ekzekutimi
Vendimet për sigurimin e padisë ekzekutohen sipas rregullave të parashikuara në këtë ligj për
ekzekutimin e vendimeve gjyqësore administrative.
Neni 34
Seanca gjyqësore
1. Seanca gjyqësore zhvillohet sipas neneve të Kodit të Procedurës Civile, për aq sa ato janë të
pajtueshme me këtë ligj.
2. Mosparaqitja e palëve në seancë nuk shkakton shtyrjen apo pushimin e gjykimit.
3. Shqyrtimi i çështjes nga gjykata në seancë gjyqësore bëhet me shkrim, por palët mund të
kërkojnë të parashtrojnë, me gojë, shpjegimet e tyre. Në këtë rast gjykata udhëzon palët që të citojnë
vetëm çështjet faktike dhe ligjore që, sipas mendimit të saj, janë të rëndësishme për dhënien e vendimit
edhe nëse ato nuk ishin referuar në kërkesëpadinë e paraqitur në parë.
4. Eksperti i kërkuar nga palët paraqitet në seancë gjyqësore për të shpjeguar me gojë njohuritë e
tij të posaçme për natyrën e mosmarrëveshjes. Për marrjen në pyetje të tij zbatohen rregullat e Kodit të
Procedurës Civile për dëshmitarët. Vlera provuese e pohimeve të tij është e njëjtë me vlerën e thënieve të
dëshmitarit. Ai i përgjigjet pyetjeve të bëra nga palët dhe gjykata. Për të ndihmuar kujtesën, eksperti
mund të lexojë dokumentet e hartuara prej tij. Në raste të veçanta dhe të ndërlikuara, gjykata mund të
vendosë që eksperti të paraqesë me shkrim shpjegimet e tij brenda 10 ditëve.
5. Eksperti i caktuar nga gjykata paraqitet në gjykim me aktin e përgatitur me shkrim, sipas
detyrave të caktuara nga gjyqtari kryesues në veprimet përgatitore. Ai u përgjigjet me gojë pyetjeve të
bëra nga palët dhe gjykata.
2712
6. Në rast se gjykata ka caktuar afat për paraqitjen e pretendimeve përfundimtare me shkrim të
palëve, mosparaqitja me shkrim e tyre brenda afatit të caktuar, nuk përbën shkak për shtyrjen e
shqyrtimit gjyqësor.
Neni 35
Barra e provës
1. Organi publik ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e aktit administrativ, kontratës
administrative dhe të veprimit tjetër administrativ, të nxjerrë jo me kërkesë të paditësit, si dhe faktet që ai
ka parashtruar dhe ka vënë në themel të veprimtarisë së kundërshtuar në gjykatë.
2. Organi i administratës publike ka detyrimin të provojë ligjshmërinë e veprimeve në
marrëdhënien e punës, nga e cila ka lindur mosmarrëveshja, objekt gjykimi.
3. Në rastet e tjera, pala ka detyrimin të provojë faktet, në të cilat bazon pretendimin e saj. Por
edhe në këto raste, gjykata, edhe kryesisht, me vendim të ndërmjetëm, mund të vendosë kalimin e barrës
së provës tek organi publik, kur ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova me shkresë, që vërtetojnë
se organi publik fsheh apo nuk paraqet me dashje fakte dhe prova të rëndësishme për zgjidhjen e
mosmarrëveshjes. Ky vendim ankimohet së bashku me vendimin përfundimtar.
Neni 36
Njohja me aktet e dosjes
l. Palët dhe përfaqësuesit e tyre kanë të drejtë të njihen dhe të marrin kopje me shpenzimet e veta
të dokumentacionit të paraqitur në sekretarinë gjyqësore.
2. Gjykata mund të lejojë cilindo që të njihet me përmbajtjen e dosjes gjyqësore dhe të marrë me
shpenzimet e veta kopje të akteve, në rast se ai tregon se ka interes të ligjshëm ose arsye të rëndësishme
dhe nëse kjo nuk është në kundërshtim me të drejtat dhe interesat e mbrojtur nga ligji të palëve në
proces.
3. Gjykata mund të refuzojë një kërkesë të paraqitur, sipas pikës 2 të këtij neni, në rastet kur
shqyrtimi gjyqësor mund të zhvillohet me dyer të mbyllura.
4. Pavarësisht kushteve ndaluese, të përcaktuara në pikat 2 dhe 3 të këtij neni, gjykata mund të
lejojë njohjen e akteve dhe marrjen e kopjeve, në rast të një kërkese të paraqitur nga një person në
ushtrim të detyrës së tij shtetërore dhe që tregon interes të ligjshëm për marrjen e të dhënave. Në këtë
rast gjykata udhëzon dhe paralajmëron personin për përgjegjësinë disiplinore apo penale që ai mban.
Neni 37
Kufijtë e shqyrtimit të çështjes
1. Gjykata shqyrton ligjshmërinë e veprimit administrativ që kundërshtohet, në bazë të provave
të paraqitura nga palët dhe të situatës ligjore dhe faktike që ekzistonte në kohën e kryerjes së veprimit
konkret administrativ.
2. Në rastet kur paditësi ose kur ligji material kërkojnë nxjerrjen e një akti administrativ, gjykata
e bazon vendimin e saj në situatën faktike dhe ligjore në kohën e marrjes së vendimit.
3. Në rastin kur ligji i jep organit publik të drejtën për zgjedhje alternative, në nxjerrjen e një
akti administrativ apo në kryerjen e veprimit tjetër administrativ, gjykata shqyrton edhe nëse:
a) zgjedhja nga organi publik është bërë në përputhje me objektivin dhe qëllimin e ligjit;
b) zgjedhja nga organi publik është bërë vetëm për të arritur qëllimin e ligjit;
c) zgjedhja nga organi publik është në raport të drejtë me nevojën që e ka diktuar atë.
4. Në rastin e aktit nënligjor normativ, gjykata shqyrton ligjshmërinë e aktit që kundërshtohet,
duke vlerësuar të tre kriteret e përcaktuara në pikën 3 të këtij neni.
5. Për mosmarrëveshjet në fushën e marrëdhënieve të punës, gjykata zbaton legjislacionin që
rregullon marrëdhëniet e punës.
2713
Neni 38
Gjykimi incidental
1. Gjykata administrative, gjatë shqyrtimit gjyqësor të një veprimi administrativ, kryesisht ose
me kërkesë të palëve, vendos të mos zbatojë një akt nënligjor normativ, në bazë të të cilit është kryer
veprimi administrativ që shqyrtohet, kur çmon se akti nënligjor është i paligjshëm.
2. Gjykata vendos në këtë mënyrë edhe nëse gjykimi parësor i aktit normativ nuk është në
kompetencën e saj.
3. Ky vendim përmban në mënyrë të hollësishme shkaqet e paligjshmërisë, të konstatuara nga
gjykata.
KREU VI
VENDIMI I GJYKATËS
Neni 39
Vendimet jopërfundimtare
1. Gjykata administrative jep vendime jopërfundimtare vetëm në rastin e mospranimit të padisë
dhe të pushimit të gjykimit.
2. Gjykata vendos mospranimin e padisë, kur padia nuk plotëson kushtet formale të paraqitjes së
saj. Ky vendim jepet derisa nuk është dhënë vendimi i ndërmjetëm për shqyrtimin e provave.
3. Gjykata vendos pushimin e gjykimit, kur paditësi heq dorë nga gjykimi i padisë.
4. Gjykata, me vendimin e saj jopërfundimtar, vendos edhe heqjen e sigurimit të padisë.
Neni 40
Vendimet përfundimtare
l. Gjykata, në vendimin e saj përfundimtar të pranimit, tërësisht ose pjesërisht të padisë, vendos:
a) shfuqizimin tërësisht apo pjesërisht të aktit administrativ;
b) ndryshimin, pjesërisht apo tërësisht, të aktit administrativ ose detyrimin e organit publik për të
ndryshuar një akt administrativ;
c) konstatimin e pavlefshmërisë absolute të aktit administrativ;
ç) detyrimin e organit publik për të kryer një veprim administrativ, që është refuzuar, apo për të
cilin organi publik ka heshtur, ndonëse ka pasur kërkesë;
d) konstatimin e paligjshmërisë së veprimit administrativ që nuk prodhon më pasoja juridike,
nëse paditësi ka një interes të arsyeshëm për këtë;
dh) saktësimin e të drejtave dhe të detyrimeve ndërmjet paditësit dhe organit publik;
e) detyrimin e organit publik për të kryer apo për të ndaluar kryerjen e një veprimi tjetër
administrativ, të nevojshëm për mbrojtjen e të drejtave apo të interesave të paditësit;
ë) përcaktimin e organit që ka në kompetencën e tij zgjidhjen e çështjes konkrete, duke
urdhëruar, kur është rasti, dhe shfuqizimin e aktit të nxjerrë nga organi jokompetent;
f) shpërblimin e dëmit jashtëkontraktor, sipas ligjit të posaçëm;
g) zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, kur punëdhënësi është një organ i administratës
publike.
2. Gjykata, me vendimin përfundimtar të pranimit, tërësisht apo pjesërisht të padisë, vendos
edhe ligjërimin e masës së sigurimit të padisë.
3. Gjykata vendos rrëzimin e padisë, kur vlerëson se veprimi administrativ apo akti nënligjor
normativ është i ligjshëm dhe i themeltë.
4. Gjykata vendos rrëzimin e padisë dhe kur vlerëson se, pavarësisht shkeljeve procedurale të
konstatuara të veprimtarisë administrative, pasojat do të ishin të njëjta.
5. Gjykata, me vendim përfundimtar të rrëzimit të padisë, vendos edhe heqjen e masës së
sigurimit të padisë, që zbatohet kur vendimi merr formën e prerë.
2714
Neni 41
Përmbajtja e vendimit
Përveç sa parashikohet në Kodin e Procedurës Civile, vendimi i gjykatës administrative përmban
edhe:
a) përcaktimin e qartë të çështjeve, në pjesën arsyetuese, të vlerësuara sipas nenit 37 të këtij
ligji;
b) përcaktimin në pjesën urdhëruese, se kur parashikohet një detyrim konkret i palës së paditur,
ai është i ekzekutueshëm nga përmbaruesi gjyqësor. Në këtë rast gjykata përcakton afatin dhe mënyrën e
ekzekutimit të vendimit.
Neni 42
Shpallja dhe depozitimi i vendimit
1. Vendimi, pavarësisht formës së gjykimit, duhet të shpallet detyrimisht i arsyetuar.
2. Në raste përjashtimore dhe vetëm për shkak të pamundësisë absolute, gjykata shtyn shpalljen e
arsyetuar të vendimit deri në 5 ditë.
3. Brenda 7 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja dorëzohet në sekretarinë gjyqësore.
Neni 43
Detyrimi i publikimit
1. Të gjitha vendimet e gjykatës publikohen në mënyrën dhe me mjetet e përshtatshme.
2. Vendimi për shfuqizimin e aktit nënligjor normativ, me kërkesë të gjykatës që ka dhënë
vendimin, publikohet i plotë, në të njëjtën mënyrë me atë të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për
botimin e aktit.
KREU VII
ANKIMI
Neni 44
Mjetet dhe afatet e ankimit
Mjetet dhe afatet e ankimit të vendimeve të gjykatave administrative janë të njëjta me ato të
parashikuara në Kodin e Procedurës Civile, përveç kur parashikohet ndryshe në këtë ligj.
Neni 45
Vendime të paankimueshme
Nuk lejohet ankim ndaj vendimeve përfundimtare të gjykatës administrative për padi me objekt:
a) kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se
njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
b) kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se
njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
c) kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë
më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
ç) mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe
ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë
së kufizuar, me vlerë më të vogël se njëzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.
2715
Neni 46
Aktet që i bashkëlidhen ankimit
1. Bashkë me ankimin duhet të paraqiten:
a) kopjet e ankimit dhe të dokumenteve të tjera në numër aq sa janë personat që marrin pjesë në
çështje si palë;
b) aktin e përfaqësimit, nëse ky akt nuk është pjesë e dosjes së gjykimit.
2. Në rast se ankimi nuk plotëson kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni ose kur ankimi
nuk është nënshkruar, nuk tregohen palët ndërgjyqëse, vendimi kundër të cilit bëhet ankim ose se çfarë
kërkohet me ankimin, gjyqtari i vetëm njofton palën që të ndreqë të metat brenda 5 ditëve. Shqyrtimi i
ankimit, sipas këtij neni, bëhet në dhomë këshillimi.
3. Kur ankuesi nuk plotëson ose nuk ndreq të metat brenda afatit, ankimi quhet se nuk është
paraqitur dhe i kthehet ankuesit me vendim, së bashku me aktet e tjera të paraqitura prej tij. Kundër
vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e ankimit mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën
Administrative të Apelit.
4. Kur të metat e ankimit janë plotësuar në afat, ai quhet i paraqitur që nga data e regjistrimit të
tij në gjykatë.
Neni 47
Paraqitja e provave të reja në ankim
Në ankim nuk mund të paraqiten fakte të reja dhe të kërkohen prova të reja, përveçse kur
ankuesi provon se pa fajin e tij nuk ka mundur t’i paraqesë këto fakte ose t’i kërkojë këto prova në
shqyrtimin e çështjes në gjykatën administrative të shkallës së parë, në afatet e parashikuara në këtë ligj.
Neni 48
Ankimi në Gjykatën Administrative të Apelit
1. Gjykata, ku është paraqitur ankimi, dërgon ankimin, së bashku me aktet që i bashkëlidhen
atij, vendimin e gjyqtarit për pranimin e ankimit, aktet e komunikimit të ankimit, si dhe dosjen e gjykimit
në Gjykatën Administrative të Apelit, brenda 15 ditëve nga data e depozitimit të ankimit.
2. Gjykata Administrative e Apelit shqyrton çështjen brenda 30 ditëve nga data e ardhjes së
ankimit nga gjykata ku është paraqitur ankimi.
3. Gjykata Administrative e Apelit dërgon dosjen në gjykatën administrative të shkallës së parë
jo më vonë se 3 ditë pas kryerjes së njoftimit të vendimit të palëve.
Neni 49
Gjykimi në apel administrativ në dhomë këshillimi
1. Shqyrtimi i ankimit në Gjykatën Administrative të Apelit si rregull bëhet mbi bazë
dokumentesh në dhomën e këshillimit.
2. Kryetari i trupit gjykues përgatit relacionin dhe cakton datën dhe orën për shqyrtimin e
çështjes në dhomë këshillimi, duke urdhëruar njoftimin e palëve. Sekretaria e gjykatës njofton palët
rregullisht për përbërjen e trupit gjykues, datën, orën dhe vendin e shqyrtimit të çështjes të paktën 15 ditë
përpara. Palët kanë të drejtë të paraqesin deri 5 ditë para seancës së shqyrtimit të çështjes parashtrime me
shkrim lidhur me shkaqet e ngritura në ankim dhe kundërankim.
3. Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor.
Neni 50
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit në dhomë këshillimi
Gjykata Administrative e Apelit në dhomë këshillimi vendos:
2716
a) mospranimin e ankimit, në rastet kur ankimi nuk plotëson kushtet e pranueshmërisë dhe
gjykata administrative e shkallës së parë nuk e ka bërë një gjë të tillë;
b) lënien në fuqi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë;
c) ndryshimin e vendimit;
ç) prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim, në rastet kur shkeljet procedurale janë
të rënda dhe për të cilat ligji parashikon shprehimisht pavlefshmërinë e vendimit apo të procedurës së
gjykimit;
d) prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes, në rastet kur çështja nuk hyn në
juridiksionin gjyqësor, si dhe kur padia nuk mund të ngrihej ose gjykimi nuk mund të vazhdonte.
Neni 51
Gjykimi në apel administrativ në seancë gjyqësore
1. Gjykata, në dhomë këshillimi, vendos shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e
palëve, në rast se çmon se debati gjyqësor është i nevojshëm për të vlerësuar se:
a) për konstatimin e gjendjes faktike në mënyrë të plotë dhe të saktë, duhen vërtetuar fakte të
reja dhe duhen marrë prova të reja kur janë kushtet e nenit 47 të këtij ligji;
b) vendimi kundër të cilit është paraqitur ankimi është bazuar në shkelje të rënda procedurale,
apo në gjendjen faktike të konstatuar gabimisht ose në mënyrë jo të plotë;
c) me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike duhet të përsërisë marrjen e disa ose të
gjitha provave të marra nga gjykata e shkallës së parë.
2. Vendimi i mësipërm, data dhe ora e seancës gjyqësore u njoftohen palëve rregullisht nga
sekretaria gjyqësore, të paktën 10 ditë para datës së zhvillimit të seancës gjyqësore.
Neni 52
Njoftimi për gjykimin në apel administrativ
Njoftimi për gjykimin në apel administrativ bëhet sipas rregullave të njoftimit për gjykimin në
gjykatën administrative të shkallës së parë.
Neni 53
Vendimi i Gjykatës Administrative të Apelit në seancë gjyqësore
Gjykata Administrative e Apelit, pasi shqyrton çështjen në seancë gjyqësore, vendos:
a) lënien në fuqi të vendimit të gjykatës administrative të shkallës së parë;
b) ndryshimin e vendimit;
c) prishjen e vendimit dhe pushimin e çështjes;
ç) prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në gjykatën administrative të shkallës
së parë, në rastet e parashikuara në nenin 54 të këtij ligji.
Neni 54
Dërgimi për rigjykim
Gjykata Administrative e Apelit prish vendimin e gjykatës administrative të shkallës së parë dhe
ia dërgon çështjen organit kompetent për rigjykim kur:
a) gjykata administrative e shkallës së parë ka shkelur dispozitat mbi juridiksionin dhe
kompetencën lëndore dhe funksionale;
b) përbërja e trupit gjykues nuk ka qenë e rregullt apo vendimi ose procesverbali gjyqësor nuk
është nënshkruar sipas ligjit;
c) gjykata ka vendosur pushimin e çështjes në kundërshtim me ligjin;
2717
ç) gjykata ka shkelur dispozitat e këtij ligji, lidhur me njoftimet e palëve dhe akteve, dhe kur një
shkelje e tillë ka ndikuar në dhënien e vendimit;
d) gjykata ka shkelur dispozitat lidhur me përfaqësimin e palëve.
Neni 55
Shpallja dhe depozitimi i vendimit
1. Vendimi, pavarësisht formës së gjykimit, duhet të shpallet detyrimisht i arsyetuar.
2. Në raste përjashtimore dhe vetëm për shkak të pamundësisë absolute, gjykata shtyn shpalljen e
arsyetuar të vendimit deri në 5 ditë.
3. Brenda 7 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja dorëzohet në sekretarinë gjyqësore.
KREU VIII
REKURSI NË GJYKATËN E LARTË
Neni 56
Vendime të paankimueshme në Gjykatën e Lartë
Nuk lejohet rekurs ndaj vendimeve përfundimtare të Gjykatës Administrative të Apelit për padi
me objekt:
a) kundërshtimin e dënimit për kryerjen e kundërvajtjeve administrative, me vlerë më të vogël se
dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
b) kundërshtimin e aktit administrativ që përmban detyrim në të holla, me vlerë më të vogël se
dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
c) kundërshtimin e aktit administrativ që ka refuzuar dhënien e detyrimit në të holla, me vlerë
më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi;
ç) mosmarrëveshjet që lidhen me mbrojtjen e të drejtave, lirive dhe interesave kushtetues dhe
ligjorë, që rrjedhin nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, ndihma ekonomike dhe pagesa e aftësisë
së kufizuar, me vlerë më të vogël se dyzetfishi i pagës minimale, në shkallë vendi.
Neni 57
Aktet që i bashkëlidhen rekursit
1. Bashkë me rekursin duhet të paraqiten:
a) kopje të rekursit dhe të dokumenteve të tjera në numër aq sa janë personat që marrin pjesë në
çështje si palë;
b) aktin e përfaqësimit, nëse ky akt nuk është pjesë e dosjes së gjykimit.
2. Në rast se rekursi nuk plotëson kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, si dhe kur
rekursi nuk është nënshkruar, nuk tregohen palët ndërgjyqëse, vendimi kundër të cilit bëhet rekurs ose se
çfarë kërkohet me rekursin, gjyqtari me vendim njofton palën që të ndreqë të metat brenda 7 ditëve.
Shqyrtimi i rekursit, sipas këtij neni, bëhet në dhomë këshillimi.
3. Kur ankuesi nuk plotëson ose nuk ndreq të metat brenda afatit, rekursi quhet se nuk është
paraqitur dhe i kthehet ankuesit me vendim, së bashku me aktet e tjera të paraqitura prej tij. Kundër
vendimit të gjyqtarit të vetëm për kthimin e rekursit mund të bëhet ankim i veçantë në Gjykatën
Administrative të Apelit.
4. Kur të metat e rekursit janë plotësuar në afat, ai quhet i paraqitur që nga data e regjistrimit të
tij në gjykatë.
2718
Neni 58
Shkaqet për të cilat mund të bëhet rekurs
Vendimet e shpallura nga Gjykata Administrative e Apelit dhe gjykata administrative e shkallës
së parë mund të ankimohen me rekurs në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë vetëm kur:
a) ligji material nuk është respektuar, është interpretuar ose zbatuar keq apo vendimi i dhënë
është në kundërshtim me një vendim të Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë ose të kolegjeve të
bashkuara të Gjykatës së Lartë;
b) ka shkelje të rënda të normave procedurale, me pasojë pavlefshmërinë e vendimit apo të
procedurës së gjykimit;
c) ka shkelje të rënda procedurale, të cilat kanë ndikuar dukshëm në dhënien e vendimit.
Neni 59
Kundërrekursi
1. Pala, kundër të cilës është bërë rekurs, mund kundërshtojë pretendimet e ngritura në rekurs
brenda 15 ditëve nga komunikimi i rekursit.
2. Kundërrekursi duhet të plotësojë kushtet formale të rekursit, parashikuar në nenin 57 të këtij
ligji.
3. Mosparaqitja e kundërrekursit brenda afatit të parashikuar në pikën 1 të këtij neni sjell
humbjen e së drejtës për të paraqitur pretendimet në një fazë të mëvonshme në Gjykatën e Lartë.
4. Kundërrekursi, së bashku me dokumentet bashkëlidhur, i komunikohet palës që ka bërë
rekurs, e cila brenda 7 ditëve ka të drejtën të paraqesë në gjykatë argumente mbi arsyet e parashtruara në
kundërrekursin e depozituar, pa shtuar shkaqe të reja.
Neni 60
Dërgimi i rekursit në Gjykatën e Lartë
1. Gjykata administrative e shkallës së parë dërgon rekursin, së bashku me aktet që i
bashkëlidhen atij, vendimin e gjyqtarit për pranimin e rekursit, aktet e komunikimit të rekursit,
kundërrekursin, si dhe dosjen e gjykimit në Gjykatën e Lartë, brenda 10 ditëve nga data e përfundimit të
komunikimeve.
2. Gjykata e Lartë shqyrton çështjen brenda 90 ditëve nga data e ardhjes së rekursit dhe akteve
bashkëlidhur prej gjykatës ku është depozituar rekursi.
Neni 61
Gjykimi në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë
1. Shqyrtimi i rekursit në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë, si rregull bëhet mbi bazë
dokumentesh në dhomë këshillimi.
2. Gjyqtari relator cakton datën dhe orën për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi, duke
urdhëruar njoftimin e palëve. Sekretaria e gjykatës njofton, sipas rregullave të përcaktuara për gjykimin
në shkallë të parë dhe me shpallje, ditën dhe orën e shqyrtimit të rekursit, si dhe përbërjen e trupit
gjykues të paktën 21 ditë përpara.
3. Gjyqtari relator përgatit relacionin, duke pasqyruar në të, veç të tjerave, edhe përmbajtjen e
vendimit të ankimuar, pretendimet dhe shkaqet e ngritura në rekurs, prapësimet e paraqitura në
kundërrekurs, shqyrtimin e fakteve që kanë rëndësi për marrjen e vendimit dhe propozimin e tij për
zgjidhjen ligjore të çështjes.
4. Për shqyrtimin e çështjes në dhomë këshillimi mbahet procesverbal nga sekretari gjyqësor.
2719
Neni 62
Gjykimi në seancë gjyqësore
1. Gjykata, në dhomë këshillimi, vendos shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e
palëve në rast se:
a) rekursi është paraqitur ndaj një vendimi të apelit administrativ, lidhur me gjykimin e aktit
nënligjor normativ;
b) konstaton se vendimi i apelit administrativ është i ndryshëm nga praktika e kolegjit
administrativ ose edhe e kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë;
c) vlerësohet e nevojshme nga kolegji administrativ thirrja dhe dëgjimi i palëve për shkak të
problematikës ose kompleksitetit të çështjes.
2. Vendimi i mësipërm, data dhe ora e seancës gjyqësore u njoftohen palëve nga sekretaria
gjyqësore, të paktën 15 ditë para datës së zhvillimit të seancës gjyqësore
Neni 63
Vendimi i Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë
Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrton çështjen në dhomë këshillimi ose seancë
gjyqësore, vendos:
a) mospranimin e rekursit, në rastet kur është bërë për shkaqe të ndryshme nga ato që
parashikon neni 58 i këtij ligji;
b) prishjen e vendimit të Gjykatës Administrative të Apelit dhe lënien në fuqi të vendimit të
gjykatës administrative të shkallës së parë;
c) prishjen e vendimit të apelit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në Gjykatën
Administrative të Apelit me tjetër trup gjykues;
ç) prishjen e vendimit dhe pushimin e gjykimit të çështjes;
d) prishjen e vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit dhe të gjykatës administrative të
shkallës së parë dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në shkallë të parë me tjetër trup gjykues;
dh) ndryshimin e vendimeve të shkallës së parë dhe të apelit;
e) lënien në fuqi të vendimit të apelit.
Neni 64
Shpallja dhe depozitimi i vendimit
1. Vendimi, pavarësisht formës së gjykimit, duhet të shpallet detyrimisht i arsyetuar.
2. Në raste përjashtimore dhe vetëm për shkak të pamundësisë absolute, gjykata shtyn shpalljen e
arsyetuar të vendimit deri në 10 ditë.
3. Brenda 10 ditëve nga shpallja e vendimit, dosja dorëzohet në sekretarinë gjyqësore.
KREU IX
EKZEKUTIMI I VENDIMEVE
Neni 65
Detyrimi për ekzekutimin e vendimit
1. Vendimi përfundimtar i gjykatës administrative, që ka marrë formë të prerë, dhe vendimi për
sigurimin e padisë vihen në ekzekutim nga përmbaruesi gjyqësor me kërkesën e kreditorit.
2. Çdo akt i nxjerrë apo veprim i kryer nga organi publik i paditur, pasi vendimi i gjykatës
administrative është bërë i ekzekutueshëm, dhe që është në kundërshtim me dispozitivin e vendimit të
gjykatës, është absolutisht i pavlefshëm dhe nuk pengon ekzekutimin.
2720
Neni 66
Ekzekutimi i detyrueshëm
1. Gjatë procedurës së ekzekutimit të detyrueshëm, gjyqtari apo kryetari i trupit gjykues, që ka
dhënë vendimin, me kërkesë të palëve ose të përmbaruesit gjyqësor, në dhomë këshillimi, pa praninë e
palëve, urdhëron kryerjen e veprimeve të posaçme dhe marrjen e masave të tjera të nevojshme, duke
përcaktuar afatet dhe mënyrën e kryerjes së tyre.
2. Tarifa për vënien në ekzekutim të vendimit gjyqësor nuk parapaguhet nga kreditori.
Shpenzimet e procedurës së ekzekutimit dhe tarifa për vënien në ekzekutim, konsiderohen pjesë e
shpenzimeve gjyqësore, për të cilat gjykata shprehet në vendimin e saj përfundimtar. Ato llogariten nga
përmbaruesi gjyqësor dhe paguhen nga debitori.
3. Shërbimi përmbarimor gjyqësor shtetëror, nëpërmjet zyrës përmbarimore kompetente, si dhe
shërbimi përmbarimor gjyqësor privat janë të detyruar të ekzekutojnë vendimet e gjykatës administrative,
sipas rregullave të këtij ligji.
Neni 67
Veprime të tjera të gjykatës gjatë ekzekutimit të vendimit
1. Në rastet kur vendimi i gjykatës për nxjerrjen e një akti administrativ apo për të ndryshuar
aktin, objekt padie, nuk është përmbushur pas kalimit të afatit për ekzekutim vullnetar, pavarësisht
masave të marra, sipas këtij ligji, gjykata, në dhomë këshillimi, pa praninë e palëve, nëse gjatë
shqyrtimit gjyqësor ka konstatuar se janë vërtetuar të gjitha faktet e nevojshme për nxjerrjen e aktit, merr
një vendim, që zëvendëson aktin administrativ, i cili prodhon të gjitha pasojat e nevojshme juridike.
2. Në rastet kur vendimi i gjykatës për detyrimin e organit publik për të kryer një veprim tjetër
administrativ apo për të ndaluar kryerjen e një veprimi tjetër administrativ nuk është përmbushur brenda
afatit për ekzekutim vullnetar, me kërkesë të paditësit e pavarësisht masave të marra, sipas këtij ligji,
gjykata urdhëron përmbaruesin gjyqësor, në përputhje me dispozitivin e vendimit të saj, të kryejë apo të
ndalojë veprimin.
3. Përmbaruesi gjyqësor, në zbatimin e urdhrave të gjykatës, kur është e nevojshme, mbështetet
nga Policia e Shtetit.
Neni 68
Sanksione për mosekzekutimin e vendimit apo të urdhrit të gjykatës
1. Përmbaruesi gjyqësor, në përfundim të afatit të ekzekutimit të detyrueshëm të caktuar nga
gjyqtari, njofton me shkrim gjyqtarin për veprimet e kryera nga organi publik debitor.
2. Në rast të moskryerjes me faj të detyrimeve, sipas vendimit apo urdhrave të gjykatës, pa
shkaqe të përligjura, gjyqtari edhe kryesisht vendos gjobë ndaj titullarit të organit publik debitor. Masa e
gjobës është e barabartë me 20 për qind të pagës minimale, në shkallë vendi, për çdo ditë vonesë në
ekzekutim.
3. Në rastet e konstatimit të mosekzekutimit të vendimeve, pa shkaqe të përligjura, gjyqtari
kërkon marrjen e masave disiplinore dhe, kur është rasti, paraqet edhe kallëzim penal ndaj personave
përgjegjës.
Neni 69
Kundërshtimi i veprimeve të ekzekutimit
Veprimet e kryera nga përmbaruesi gjyqësor, në kundërshtim me masat apo urdhrat e gjykatës,
ankimohen sipas parashikimeve të nenit 610 të Kodit të Procedurës Civile.
2721
KREU X
DISPOZITA KALIMTARE DHE TË FUNDIT
Neni 70
Fillimi i funksionimit të gjykatave administrative
1. Gjykatat administrative të shkallës së parë, Gjykata Administrative e Apelit dhe Kolegji
Administrativ i Gjykatës së Lartë fillojnë funksionimin e tyre në mënyrë të njëkohshme.
2. Numri i gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që do t’i shtohet numrit aktual të anëtarëve të kësaj
gjykate për të krijuar Kolegjin Administrativ, përcaktohet në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për
organizimin dhe funksionimin e Gjykatës së Lartë”.
3. Funksionimi i gjykatave administrative fillon pas:
a) hyrjes në fuqi të rregullimeve ligjore në ligjin nr. 8588, datë 15.3.2000 “Për organizimin dhe
funksionimin e Gjykatës së Lartë” për krijimin e Kolegjit Administrativ të kësaj gjykate;
b) krijimit të infrastrukturës së nevojshme për ushtrimin normal të veprimtarisë së tyre.
4. Ngarkohet Këshilli i Ministrave të marrë masat e nevojshme për përmbushjen e detyrimit që
rrjedh nga shkronja “b” e pikës 3 të këtij neni.
5. Data e fillimit të funksionimit të gjykatave administrative caktohet me dekret të Presidentit të
Republikës, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë. Ministri i Drejtësisë bën propozimin pasi të jenë
plotësuar kërkesat e pikës 2 të këtij neni dhe të ketë marrë më parë mendimin e Këshillit të Lartë të
Drejtësisë.
Neni 71
Aktet nënligjore
1. Ngarkohet Këshilli i Lartë i Drejtësisë që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të
nxjerrë aktin nënligjor në zbatim të nenit 5 pika 4 të këtij ligji.
2. Ngarkohet Ministria e Drejtësisë që, brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të
ushtrojë kompetencat e saj, të parashikuara në nenin 4 të këtij ligji, për organizimin dhe ngritjen e
gjykatave administrative.
Neni 72
Shfuqizime dhe ndryshime
1. Në datën e fillimit të funksionimit të gjykatave administrative hyjnë në fuqi ndryshimet e
mëposhtme:
a) në ligjin nr. 8116, datë 29.3.1996 “Kodi i Procedurës Civile i Republikës së Shqipërisë”, i
ndryshuar:
i) në nenin 35, shkronja “b” shfuqizohet;
ii) në nenin 320, shkronja “a” shfuqizohet;
iii) nenet nga 324 deri në 333 shfuqizohen;
b) në ligjin nr. 8927, datë 25.7.2002 “Për prefektin”, në nenin 14 nënndarjet “i” dhe “ii”, në
nenin 15 pika 2, si dhe në nenin 18 pika 4, ku respektivisht gjenden fjalët “gjykatës, nën juridiksionin e
së cilës ndodhet organi i qeverisjes vendore”, “gjykatë, nën juridiksionin e së cilës ndodhet organi i
qeverisjes vendore”, “gjykatës” dhe “gjykatës, nën juridiksionin e së cilës ndodhet subjekti i interesuar”
zëvendësohen me fjalët “gjykatës administrative kompetente”.
2. Sa herë që në ligje të posaçme bëhet referim në seksionet administrative apo në kreun
“Gjykimi i mosmarrëveshjeve administrative” të Kodit të Procedurës Civile apo në gjykatën kompetente,
referenca vlerësohet si e bërë në këtë ligj dhe në gjykatën administrative kompetente, sipas këtij ligji.
3. Të gjitha afatet për paraqitjen e padisë ndaj aktit apo veprimit tjetër administrativ janë 45 ditë,
me përjashtim të rasteve kur në ligjet e veçanta është parashikuar ndryshe.
2722
Neni 73
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.
Miratuar në datën 3.5.2012
Shpallur me dekretin nr. 7461, datë 11.5.2012 të Presidentit të Republikës së Shqipërisë,
Bamir Topi


Data postimit :29/05/2012
Ikub# :1205290083
Tags: FUNKSIONIM
Lexuar :10,848 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:05/31/2012
Propozuar nga:Këshilli i Ministrave
Data e miratimit:05/03/2012
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:05/03/2012
Numri i fletores zyrtare:53
Data e fletores zyrtare:05/16/2012
Faqja e fletores zyrtare:2701
Numri i ligjit:49

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al