Back

PËR PROCEDURËN E KONKURRIMIT ME FORMULARIN A3 DHE REGJISTRIMIN E KANDIDATËVE FITUES NË CIKLIN E PARË TË STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË NË INSTITUCIONET PU

UDHËZIM
Nr.41, datë 13.10.2011
PËR PROCEDURËN E KONKURRIMIT ME FORMULARIN A3 DHE REGJISTRIMIN E KANDIDATËVE FITUES NË CIKLIN E PARË TË STUDIMEVE ME KOHË TË PLOTË NË INSTITUCIONET PUBLIKE TË ARSIMIT TË LARTË, PËR VITIN AKADEMIK 2011- 2012”


Në mbështetje të nenit 102 të Kushtetutës, të pikës 1 të nenit 33 të ligjit nr.9741, datë 21.5.2007 “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.423, datë 8.6.2011 “Për kuotat e pranimit në institucionet publike të arsimit të lartë, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, për vitin akademik 2011-2012, si dhe tarifat e shkollimit”, të ndryshuar, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.1013, datë 10.12.2010 “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP)”, si edhe të vendimit të Këshillit të Ministrave nr.78, datë 8.2.2006 “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, të
ndryshuar,


UDHËZOJ:
1. Të regjistrohen në institucionet publike të arsimit të lartë, në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë, për vitin akademik 2011-2012, sipas programeve përkatëse të studimit, maturantët/kandidatët që shpallen fitues nga rishpërndarja e kuotave të parealizuara, pas përfundimit të regjistrimeve në të dyja fazat e raundit të parë të konkurrimit me formularin A2.
2. Maturantët/kandidatët do të aplikojnë vetëm për programet e studimit dhe kuotat e shpallura nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në formularin A3.
3. Fituesit përcaktohen nga Agjencia Kombëtare e Provimeve (Drejtoria e Pranimeve), në bazë të dy parimeve:
a) “Parimi i meritës” përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara nga secili maturant, përllogaritur këto mbi bazën e rezultateve të shkollës së mesme, provimeve të Maturës Shtetërore dhe për programe studimi që parashikojnë konkurse edhe pikëve të grumbulluara nga konkursi.
b) “Parimi i preferencës” pasqyrohet nëpërmjet përzgjedhjes së vullnetshme të jo më shumë se 10 preferencave në formularin A3 dhe shprehet nëpërmjet preferencës më të lartë të grupit të preferencave fituese.
4. Kanë të drejtë të plotësojnë formularin A3 të gjithë maturantët/kandidatët, të cilët kanë plotësuar ose jo formularin A2 dhe:
a) Nuk kanë arritur të përfshihen në listat e fituesve të fazës së parë dhe të dytë të konkurrimit me formularin A2 dhe për rrjedhojë nuk janë regjistruar në ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011-2012;
b) Janë shpallur fitues në listën paraprake ose përfundimtare të garës me formularin A2 dhe
nuk janë të regjistruar në institucionet publike të arsimit të lartë për vitin akademik 2011-2012;
c) Rezultuan mbetës në sesionin e parë të provimeve të Maturës Shtetërore (qershor 2011) dhe arritën rezultate kaluese në provimet e vjeshtës (sesioni i dytë);
d) Janë regjistruar në sesionin e dytë të Maturës Shtetërore 2011 nëpërmjet plotësimit të formularit A1Z dhe rezultojnë kalues në të katër provimet.
5. Drejtoria e Pranimeve pranë Agjencisë Kombëtare të Provimeve (AKP) t’u shpërndajë DAR/ZA-ve formularin A3 nga data 16.10.2011 deri më datë 17.10.2011.
6. DAR/ZA-të të shpërndajnë formularin A3 në shkolla në datën 17.10.2011.
7. Maturantët/kandidatët e përcaktuar në pikën 4 duhet të tërheqin formularin A3 në shkollat respektive ku kanë tërhequr formularin A2 dhe ta kthejnë atë të plotësuar me preferencat e tyre brenda datës 20.10.2011.
8. Maturantët/kandidatët që nuk kanë plotësuar më parë formularin A2, e marrin formularin A3 pasi të bëjnë pagesën prej 2000 lekësh pranë zyrave të “Postës Shqiptare”. Për këtë kontigjent maturantët/kandidatët drejtoritë e shkollave i dorëzojnë mandatpagesat përkatëse, së bashku me formularët A3 në DAR/ZA.
9. Drejtoritë e shkollave t’i dorëzojnë formularët A3, të plotësuar dhe të paplotësuar me procesverbal pranë DAR-ZA-ve përgjegjëse brenda datës 21.10.2011.
10. DAR/ZA-të duhet t’i dërgojnë formularët A3 në Drejtorinë e Pranimeve pranë AKP-së nga data 22.10.2011 deri në datën 23.10.2011.
11. Më datë 22.10.2011 ora 10.00 do të zhvillohet testimi i gjuhës angleze në Fakultetin e Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) të universitetit “Aleksandër Moisiu”, Durrës për maturantët/kandidatët që kanë përzgjedhur në preferencat e tyre dy programet e studimit të FASTIPit, përkatësisht për programin e studimit “Menaxhim Hoteleri Turizëm” me kod 259, si edhe për programin e studimit “Menaxhim i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme” me kod 260.
12. Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP) i universitetit “Aleksnadër Moisiu” Durrës, të dërgojë në Drejtorinë e Pranimeve pranë AKP-së rezultatet e testimit deri më datë 24.10.2011 ora 16:00.
13. Institucionet publike të arsimit të lartë, në datën 28.10.2011, të shpallin në vende të dukshme, në mjediset e tyre, datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të domosdoshme për regjistrim, si edhe të dhëna të tjera që i gjykojnë të nevojshme për sigurimin e ecurisë normale të procesit të pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.
14. Drejtoria e Pranimeve në AKP të përpunojë të dhënat e marra nga formularët A3 dhe në datën 31.10.2011 të shpallë listën përfundimtare të fituesve, të ndara sipas programeve përkatëse të studimit, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe sipas preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht ta dorëzojë këtë listë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. MASH e publikon këtë listë në faqen zyrtare të internetit brenda kësaj date.
15. Drejtoria e Pranimeve në AKP të dërgojë, në datë 31.10.2011, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të fituesve, sipas programeve përkatëse të studimit të ciklit të parë me kohë të plotë, në institucionet publike të arsimit të lartë dhe DAR/ZA-të. Këto institucione të afishojnë menjëherë listat në vende të dukshme në mjediset e tyre.
16. Regjistrimi i fituesve të bëhet pranë sekretarive mësimore të institucioneve publike të arsimit të lartë në datat 1 deri 4 nëntor 2011, nga ora 8:00 deri në orën 18:00. Për regjistrim, kandidati fitues duhet të dorëzojë dosjen individuale me dokumentet origjinale të mëposhtme:
a) Diploma e Maturës Shtetërore, dëftesë pjekurie (në mungesë, listë notash me fotografi, të nënshkruar nga drejtori i shkollës dhe drejtori i drejtorisë arsimore rajonale/drejtori i zyrës arsimore, ose listë notash të lëshuar nga Arkivi i Shtetit);
b) Dokument identifikimi (kartë identiteti, pasaportë), origjinalin dhe fotokopjen e tij. Në dosje të mbahet vetëm fotokopja e dokumentit të identifikimit, në mungesë të tyre dorëzohet certifikatë personale me fotografi;
c) Dy fotografi;
d) Mandatarkëtimi të tarifës së regjistrimit prej 1550 lekësh të lëshuar nga zyrat e “Postës Shqiptare”.
17. Sekretaria mësimore të pajisë kandidatin fitues me fletëregjistrimi, ku të shënohet numri i regjistrimit, emri i kandidatit fitues, data dhe ora e regjistrimit. Fletëregjistrimi duhet të jetë e nënshkruar dhe e vulosur nga titullari i institucionit publik të arsimit të lartë/i njësisë kryesore që kryen regjistrimin dhe nga kryesekretari mësimor.
18. Për maturantët/kandidatët që e kanë likuiduar tarifën e regjistrimit në një nga fazat e regjistrimit me formularin A2, nuk është e nevojshme të bëjnë pagesë të re. Tarifat e regjistrimit prej 1550 lekësh, e arkëtuar nga maturantët/kandidatët në fazat e mëparshme, të kalojë me xhirim nga llogaria e degës së thesarit ku institucioni publik i arsimit të lartë ka llogarinë buxhetore, në llogarinë e thesarit të institucionit tjetër publik të arsimit të lartë, në të cilin është realizuar regjistrimi përfundimtar i maturantëve/kandidatëve me formularin A3.
19. Pas përfundimit të procesit të regjistrimit, institucionet publike të arsimit të lartë të dorëzojnë në Drejtorinë e Pranimeve në AKP listat përfundimtare origjinale të përgatitura nga Drejtoria e Pranimeve, me regjistrimet e kryera, në formë të shkruar dhe elektronike, brenda datës 7.11.2011, ora 14.00.
20. Në përfundim të regjistrimit të kandidatëve fitues me formularin A3, sipas modelit të dërguar nga AKP, studentët të regjistrohen në regjistrin bazë në përputhje me përcaktimet e udhëzimit nr.19, datë 18.7.2007 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës “Për gjenerimin dhe dhënien e numrave të matrikullimit” dhe të urdhrit nr.150, datë 7.4.2008 të Ministrit të Arsimit dhe Shkencës
“Për përcaktimin e kodit të regjistrave të studentëve në IAL.”.
21. Këto njoftime të bëhen publike edhe në median e shkruar dhe elektronike nga institucionet publike të arsimit të lartë.
22. Ngarkohen për zbatimin e këtij udhëzimi Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Sekretari i Përgjithshëm, Drejtoria e Arsimit të Lartë dhe Kërkimit Shkencor, Agjencia Kombëtare e Provimeve, institucionet publike të arsimit të lartë dhe DAR/ZA-të.


Ky udhëzim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.
MINISTRI I ARSIMIT DHE SHKENCËS
Myqerem Tafaj


Data postimit :08/01/2012
Ikub# :1201080032
Tags: ARSIMI I LARTE PUBLIK
Lexuar :541 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:10/13/2011
Propozuar nga:Ministri i Arsimit dhe Shkencës
Data e miratimit:10/13/2011
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:10/13/2011
Numri i fletores zyrtare:159
Data e fletores zyrtare:12/07/2011
Fushat e veprimit te aktit:Arsimi i larte
Faqja e fletores zyrtare:7605
Numri i ligjit:41

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al