Back

Kuriozitete shkencore mbi stuhite e fuqishme oqeanike

stuhi-shkencorNë Shtetet e Bashkuara sezoni i uraganëve fillon më 1 qershor dhe përfundon më 30 nëntor të çdo viti. Javët e fundit, stuhia e nëntë e sezonit të këtij viti, Uragani Irenë, shkaktoi dëme të mëdha në brigjet lindore të Amerikës veriore.  Materiali në vazhdim do të na njohë me rregullat e emërtimit të stuhive të fuqishme oqeanike si dhe me mënyrën e klasifikimit të uraganëve. Stuhitë e fuqishme të cilat krijohen mbi oqeanin Indian quhen ciklone. Ato që formohen mbi pjesën veri-perëndimore të oqeanit Paqësor quhen tajfune, ndërsa uraganët janë stuhitë e fuqishme të krijuara mbi pjesën lindore të oqeanit Paqësor si dhe mbi oqeanin Atlantik.
Një stuhi me një emër të këndshëm, kohët e fundit, solli shkatërrime të mëdha dhe viktima në disa vende të Amerikës veriore. Ishte uragani Irenë, i cili filloi të formohej në detin e Karaibeve. Më vonë ky uragan fitoi fuqi gjithmonë e më tepër duke u shtrirë në një gjatësi prej 1770 kilometra, përgjatë brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara. Një tjetër uragan, edhe më shkatërrues se Irenë, ishte uragani Katrinë i cili goditi zonat jug-qëndrore të SHBA-së në vitin 2005. Ka shekuj tashmë që përdoren emra njerëzish për dukuritë natyrore. Një shkencëtar australian filloi t’u vinte stuhive emra të përveçëm femërorë në fundin e shekullit të 19-të. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shkencëtarët përdorën për stuhitë emrat e bashkëshorteve apo të dashurave të tyre. Specialistët amerikanë të motit filluan t’u vinin stuhive emra femrash në vitin 1953. Në vitin 1979, ata filluan të pëdornin edhe emra meshkujsh.
Shkencëtarët vendosin se cilët emra të përveçëm të përdorin shumë kohë para se stuhitë të ndodhin. Gjatë takimeve të Organizatës Botërore të Motit, ata krijojnë lista të posaçme me këto emra. Qendra Kombëtare e Uraganëve në Miami të shtetit të Floridas ka një listë me emra të stuhive të Atlantikut për çdo periudhë gjashtë-vjeçare. Specialistët fillojnë t’u japin emra stuhive kur erërat arrijnë shpejtësinë 62 kilometra në orë, edhe në rastet kur shpejtësia e erës nuk rritet më tepër dhe stuhia kalon pa u vënë re. Emri i parë që përdoret në fillimin e sezonit të stuhive fillon me shkronjën A. I dyti me shkonjën B, e kështu me rradhë. Shkronjat Q,V, X, Y dhe Z nuk përdoren. E njëjta listë nuk mund të përdoret sërish pas gjasnhtë vjetësh. Në vende të ndryshme të botës përdoren lista të ndryshme. Një emër hiqet nga përdorimi atëherë kur stuhia që kishte atë emër ishte tepër shkatërrimtare.

Stuhitë oqeanike krijohen kur temperatura e ajrit në një zonë është e ndryshme nga ajo e zonës pranë saj. Ajri i ngrohtë ngjitet lartë ndërkohë që ajri i ftohtë zbret poshtë. Këto lëvizje krijojnë ndryshim në trysninë atmosferike. Nëse trysnia ndryshon përgjatë një zone të gjerë, erërat fillojnë të fryjnë në rrathë të mëdhenj. Ajri me trysni të lartë shkon drejt qendrave me trysni të ulët. Re të dendura bëjnë që të bien shira të rëndë, ndërkohë që stuhia zhvendoset mbi oqean. Stuhitë fitojnë fuqi gjithmonë e më të madhe kur shkojnë drejt zonave të oqeanit me ujë të ngrohtë. Erërat më të forta janë ato përreth qendrës së stuhisë. Qendra e stuhisë, ose syri, në vetvete është një zonë më e qetë. Stuhitë oqeanike krijojnë gjithashtu dallgë të mëdha që mund të arrijnë edhe më tepër se 6 metra lartësi. Dallgët janë përgjegjëse për rreth 90 përqind të viktimave të shkaktuara nga stuhitë oqeanike. Qendra Kombëtare e uraganëve në Miami kontrollon me kujdes ecurinë e stuhive të fuqishme oqeanike. Ajo bashkëpunon ngushtë me autoritetet shtetërore si dhe me radiot e televizionet për të informuar njerëzit. Specialistët mendojnë se sistemi i paralajmërimit që po përdoret ka ndihmuar mjaft, në vitet e fundit, për të pakësuar numrin e viktimave të stuhive oqeanike.
Por në disa raste njerëzit nuk mund të largohen, ose vendosin të mos largohen, prej zonave ku pritet të kalojë stuhia. Kjo ndodhi në shumë vende të shtetit të Luizianës kur uragani Katrina goditi zonën. Disa studime tregojnë se disa njerëz nuk largohen prej zonave të kërcënuara pasi nuk kanë mundësi transportimi. Një tjetër arsye është se ata kanë frikë nga dëmtimet që mund t’u shkaktohen pronave të tyre nga njerëzit, në rastet kur këto prona i shpëtojnë stuhisë. Gjithashtu, ka persona që nuk duan të braktisin kafshët e tyre shtëpiake apo të fermave. Sot, ekzistojnë shumë më tepër plane shpëtimi për kafshët në krahasim me vitet e shkuara. Ekspertët e motit përdorin programe kompjuterike për parashikimin e zhvendosjeve të stuhive. Këto programe ndërthurin të dhëna të lidhura me temperaturën, shpejtësinë e erës, trysninë atmosferike dhe nivelin e lagështisë së ajrit.
Këto informacione mblidhen nga satelitët dhe pajisjet që lundrojnë mbi ujin e oqeaneve. Specialistët gjithashtu marrin të dhëna nga anijet dhe aeroplanët. Autoritetet shtetërore dërgojnë aeroplanë të veçantë të fluturojnë përreth dhe brenda stuhive. Prej tyre lëshohen pajisje matëse me parashutë. Shkencëtarët përdorin Shkallën Saffir-Simpson të Uraganëve për të përcaktuar fuqinë e tyre, duke përdorur shpejtësinë e erës. Kjo shkallë matëse ndihmon në parashikimin e përmbytjeve dhe të dëmeve që stuhia mund të shkaktojë. Shkalla është e ndarë në pesë  grupe apo kategori. Uragani më pak i fuqishëm është ai i kategorisë “Një”. Erërat e këtij lloji uragani fryjnë me shpejtësi nga 120 deri në 150 kilometra në orë. Kjo stuhi mund të dëmtojë pemë apo struktura të dobëta. Mund të shkaktojë edhe përmbytje. Erërat e uraganit të kategorisë “Dy” arrijnë shpejtësi deri në 180 kilometra në orë. Erërat midis 180 dhe 250 kilometra në orë shpejtësi u përkasin uraganëve të kategorive “Tre” dhe “Katër”. Stuhitë edhe më të fuqishme se kaq janë uraganët e kategorisë “Pesë”. Sezoni i tanishëm i uraganëve të oqeanit Atlantik filloi në qershor. Një stuhi tropikale shkaktoi 11 viktima në Meksikë. Por ekspertët thonë se asnjë nga tetë stuhitë e para, të cilave iu vunë emra, nuk arritën fuqinë e një uragani. Ky ishte një rekord. Më pas, erdhi uragani Irenë, që la mbi 40 viktima në Shtetet e Bashkuara.
 

Data postimit :03/10/2011
Ikub# :1110030051
Tags: KURIOZITET SHKENCE STUHIA
Lexuar :1,824 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Burimi:VOA

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al