VENDIM
Nr.414, datë 8.6.2011
PËR KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË KOMISIONIT TË LICENCIMIT TË NDËRMJETËSVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2 të nenit 4 të ligjit nr.10 385, datë 24.2.2011 “Për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve” dhe të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009 “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
1. Ngritjen e Komisionit për Licencimin e Ndërmjetësve me qëllim licencimin e subjekteve të interesuara për ushtrimin e veprimtarisë së ndërmjetësit (më poshtë Komisioni).
2. Komisioni funksionon si organ kolegjial, vendimmarrës, pranë Ministrisë së Drejtësisë. 3622
3. Rregullat e këtij vendimi zbatohen për ndërmjetësit që ushtrojnë veprimtarinë e ndërmjetësimit në Republikën e Shqipërisë, e cila mund të përfundojë me nënshkrimin e aktmarrëveshjes, të detyruar dhe të ekzekutueshme në Republikën e Shqipërisë.
II. PËRBËRJA E KOMISIONIT
1. Komisioni përbëhet nga 5 (pesë) anëtarë, të zgjedhur për një afat trevjeçar, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
2. Ministri i Drejtësisë cakton, me urdhër, 3 (tre) përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë në përbërje të komisionit.
3. Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit cakton 2 (dy) përfaqësues në përbërje të komisionit. Kryetari i Dhomës njofton, pa vonesë, Ministrin e Drejtësisë për emrat dhe funksionet e përfaqësuesve.
4. Kryetari i komisionit zgjidhet nga anëtarët. Pas mbarimit të mandatit të kryetarit, kryetari i radhës zgjidhet nga përfaqësuesit e institucionit, i ndryshëm nga ai prej ku është zgjedhur kryetari i mëparshëm.
5. Komisioni zgjedh, ndërmjet anëtarëve të tij, zëvendëskryetarin, i cili, kur kryetari mungon ose është në pamundësi për të ushtruar funksionet, ushtron kompetencat e këtij të fundit.
6. Kur kryetari dhe zëvendëskryetari mungojnë apo janë në pamundësi për të ushtruar funksionet e tyre, mbledhja drejtohet nga anëtari më i vjetër në moshë.
7. Kryetari, zëvendëskryetari dhe sekretari i komisionit zgjidhen në mënyrë të tillë që të përfaqësojnë të dy institucionet, Ministrinë e Drejtësisë dhe Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit. Në asnjë rast të tre funksionarët së bashku nuk mund të zgjidhen nga i njëjti institucion. Pas mbarimit të mandatit të tyre, funksionarët pasues nuk mund të zgjidhen nga i njëjti institucion me ato paraardhës.
III. KUSHTET DHE DOKUMENTACIONI PËR PAJISJEN ME LICENCË
1. Subjekti i interesuar, person fizik apo juridik, paraqet kërkesë për licencim pranë komisionit, kur plotëson këto kushte:
a) të ketë kryer programe të studimeve të ciklit të parë, sipas përcaktimeve të legjislacionit për arsimin e lartë;
b) të ketë mbushur moshën 25 vjeç;
c) të mos jetë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen me dashje të veprave penale;
ç) të ketë përfunduar programin e trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, të miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit;
d) të ketë një referencë ose rekomandim nga punëdhënësi i mëparshëm ose ai aktual;
dh) të jetë i licencuar dhe i regjistruar në regjistrin e ndërmjetësve.
2. Kërkesa plotësohet sipas formularit tip, i propozuar nga kryetari dhe i miratuar nga komisioni. Ajo shoqërohet me dokumentet përkatëse, të cilat vërtetojnë përmbushjen e kushteve për ndërmjetës, të parashikuara në ligj, dhe depozitohet pranë komisionit.
3. Dokumentet e nevojshme që duhet të paraqiten nga personi fizik janë këto:
a) formulari tip, i plotësuar me të gjitha të dhënat e sakta të kërkuara;
b) jetëshkrimi;
c) një dokument që vërteton identitetin e nënshkruesit dhe faktin nëse është personi i autorizuar për të paraqitur kërkesën (pasaportë apo letërnjoftim);
ç) një referencë ose rekomandim nga punëdhënësi i mëparshëm ose ai aktual;
d) diploma e noterizuar, për përfundimin e studimeve të ciklit të parë, sipas përcaktimeve të legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë;
dh) formulari i plotësuar i vetëdeklarimit të gjendjes gjyqësore;
e) vërtetimi i përfundimit të programit të trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, i miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit;
ë) një dokument që provon pagesën e tarifës së dhënies së licencës prej 5000 (pesë mijë) lekësh.
4. Dokumentet e nevojshme që duhet të paraqiten nga personi juridik janë, si më poshtë:
a) formulari tip, i plotësuar me të gjitha të dhënat e sakta të kërkuara;
b) jetëshkrimi;
c) një kopje e noterizuar e vendimit të gjykatës për krijimin e personit juridik;
ç) vërtetimi, nga organet tatimore, për shlyerjen e rregullt të detyrimeve tatimore, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) vërtetimi i përfundimit të programit të trajnimit dhe të formimit profesional të ndërmjetësve, nga pjesëtarët e personit juridik që do të ushtrojnë veprimtarinë si ndërmjetës, i miratuar nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit;
dh) një dokument që provon pagesën e tarifës së dhënies së licencës;
e) ekstrakti historik dhe ekstrakti i regjistrit tregtar, të lëshuar nga Qendra Kombëtare e
Regjistrimit.
IV. RREGULLAT PËR FUNKSIONIMIN E KOMISIONIT
1. Komisioni mblidhet, me kërkesë të kryetarit ose, të paktën, të tre anëtarëve të tij, sa herë informohet nga sekretari për paraqitjen pranë Ministrisë së Drejtësisë të jo më shumë se 20 (njëzet)
kërkesave të reja për licencim. Data e mbledhjes caktohet nga kryetari dhe i njoftohet anëtarëve të komisionit, të paktën, dy ditë përpara datës së caktuar për zhvillimin e saj. Në rast mungese të kryetarit, komisioni mund të mblidhet edhe me kërkesë të zëvendëskryetarit.
2. Rendi i ditës përgatitet nga sekretari dhe i dërgohet çdo anëtari, së bashku me njoftimin për datën e mbledhjes.
3. Mbledhja e komisionit zhvillohet kur janë të pranishëm shumica e anëtarëve të tij. Kur kjo shumicë nuk është mbledhur caktohet një datë tjetër, brenda tri ditëve pune. Çdo ndryshim për datën e mbledhjes i njoftohet, pa vonesë, çdo anëtari.
4. Pagesa e anëtarëve të komisionit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozimin e Ministrit të Financave, në përputhje me ligjin nr.10 405, datë 24.3.2011 “Për kompetencat për caktimin e pagave dhe shpërblimeve”.
5. Vendimet merren me shumicën e votave të anëtarëve të pranishëm. Në rast barazie votash, vota e kryetarit është vendimtare. Komisioni merr vendime vetëm për çështje të cilat janë përfshirë në rendin e ditës së mbledhjes.
6. Procesverbali i mbledhjes nënshkruhet nga të gjithë anëtarët pjesëmarrës. Votat e anëtarëve regjistrohen në procesverbalin e mbledhjes.
7. Komisioni merr në shqyrtim kërkesat e regjistruara dhe, pasi verifikon përmbushjen e kushteve të parashikuara në ligj, merr vendim brenda një afati prej 10 (dhjetë) ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës. Vendimi i komisionit i njoftohet kërkuesit, me shkrim, pa vonesë. Vendimi i refuzimit përmban, në çdo rast, arsyet e refuzimit të kërkesës për licencë.
8. Nëse komisioni, gjatë shqyrtimit të kërkesës, konstaton se kërkuesi nuk ka paraqitur një dokument të nevojshëm apo dokumenti i paraqitur është i paqartë vendos njoftimin e kërkuesit për sqarimin e tyre brenda një afati gjer në 20 (njëzet) ditë.
9. Komisioni e refuzon kërkesën në rast se, edhe pas kalimit të afatit, sipas pikës 7 të këtij kreu:
a) kërkuesi, nuk është i autorizuar për të paraqitur kërkesën;
b) formulari i plotësuar nuk është i plotë apo përmban korrigjime dhe përmbajtja e tij nuk duket qartë dhe është e palexueshme;
c) nuk janë paraqitur të gjitha dokumentet e nevojshme, nuk janë paraqitur në formën e kërkuar apo përmbajnë korrigjime ose fshirje të pavërtetuara, sipas dispozitave përkatëse, si dhe kur përmbajtja e tyre nuk duket qartë apo është e palexueshme;
ç) kërkuesi nuk përmbush kushtet për ndërmjetës;
d) nuk është kryer pagesa e tarifës së dhënies së licencës.
10. Kundër vendimit të komisionit, kërkuesit mund të paraqesin ankim pranë Ministrit të Drejtësisë. Kundër vendimit të Ministrit të Drejtësisë mund të bëhet ankim në gjykatë. Paraqitja dhe shqyrtimi i ankimeve bëhet sipas rregullave dhe afateve të parashikuara në ligj për shqyrtimin e mosmarrëveshjeve administrative.
11. Pas miratimit të kërkesës për dhënien e licencës, komisioni i paraqet pa vonesë, strukturës përgjegjëse në Ministrinë e Drejtësisë për administrimin e Regjistrit të Ndërmjetësve si dhe Qendrës Kombëtare të Licencimit, të dhënat e subjekteve të licencuara që kërkohen nga ligji, për regjistrimin e licencës në Regjistrin e Ndërmjetësve pranë Ministrisë së Drejtësisë, si dhe në Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Licencave, i cili mbahet nga Qendra Kombëtare e Licencimit.
12. Pas licencimit nga komisioni, subjektet regjistrohen në organet tatimore sipas legjislacionit në fuqi. 3624
V. DISPOZITA TË FUNDIT
1. Deri në krijimin e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, përfaqësuesit e kësaj Dhome, zgjidhen nga 3 (tre) anëtarët që përfaqësojnë Ministrinë e Drejtësisë, prej listës së kandidatëve të propozuar nga organizatat jofitimprurëse vendase, që veprojnë në fushën e ndërmjetësimit, ose nga organizatat e huaja apo ato ndërkombëtare që mbështesin Ministrinë e Drejtësisë në këtë fushë. Për këtë qëllim, Ministria e Drejtësisë u dërgon ftesë këtyre organizatave për paraqitjen e propozimeve.
2. Deri në krijimin e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit, në vend të programit të trajnimit dhe të formimit profesional, i cili duhet të organizohet nga Dhoma, ndërmjetësit duhet të kryejnë, të paktën, një program trajnimi të organizuar nga organizatat jofitimprurëse vendase ose nga organizatat e huaja apo ato ndërkombëtare, që ofrojnë trajnime në fushën e ndërmjetësimit. Kryerja e këtyre
programeve të trajnimit duhet të provohet me dokumentin përkatës në çastin e paraqitjes së kërkesës për licencim si ndërmjetës pranë komisionit.
3. Komisioni në mbledhjen e parë të tij zgjedh kryetarin, zëvendëskryetarin dhe sekretarin e tij. Funksionarët e zgjedhur nga përfaqësuesit e organizatave, sipas pikës 1 të këtij kreu, zëvendësohen, pa vonesë, me paraqitjen e përfaqësuesve nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësimit, t? cilët vazhdojnë mandatin trevjeçar.
4. Komisioni, brenda dy javëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, merr në shqyrtim kërkesat dhe dokumentacionin shoqërues, për licencimin e ndërmjetësve, të paraqitura nga subjektet e interesuara.
5. Ministri i Drejtësisë, me urdhër, brenda dy javëve nga hyrja në fuqi të këtij vendimi, krijon Regjistrin e Ndërmjetësve, i cili duhet të sigurojë akses të përdoruesve të sistemit të drejtësisë.
6. Ministri i Drejtësisë, brenda dy javëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, cakton personin e autorizuar përgjegjës për të pasur akses në sistem dhe për të publikuar të dhënat e nevojshme për licencat, sipas këtij vendimi, në Regjistrin Kombëtar të Lejeve dhe Licencave.
7. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, miratuar për vitin 2011.
8. Ngarkohet Ministri i Financave, brenda dy javëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të hartojë dhe të paraqesë për shqyrtim dhe miratim pranë Këshillit të Ministrave projektvendimin, sipas pikës 4 të kreut IV të këtij vendimi.
9. Ngarkohet Ministri i Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha