Posto

  • NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


    Propozuar nga: Gjykata Kushtetuese


    Data e miratimit: 06/08/2011


    Statusi i ligjit: I ndryshuar


    Data e ligjit: 06/08/2011


    Numri i fletores zyrtare: 82


    Data e fletores zyrtare: 06/17/2011


    Faqja e fletores zyrtare: 3352


    Numri i ligjit: 23



    VENDIM
    Nr.23, datë 8.6.2011
    NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:
    Bashkim Dedja  Kryetar  i Gjykatës Kushtetuese 
    Vladimir Kristo  Anëtar    i “ “   
    Xhezair Zaganjori Anëtar    i “ “   
    Petrit Plloçi      Anëtar    i “ “   
    Vitore Tusha  Anëtare  e “ “
    Sokol Sadushi  Anëtar    i “ “
    Sokol Berberi  Anëtar    i “ “
    Admir Thanza  Anëtar    i “ “
    me sekretare Blerina Çinari, në datën 11.1.2011 mori në shqyrtim, në seancë gjyqësore, mbi
    bazë dokumentesh, çështjen nr.38/23 Akti që i përket:
    KËRKUES: Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës
    SUBJEKTE TË INTERESUARA: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar me
    autorizim nga Lulzim Lelçaj.
    Këshilli i Ministrave, përfaqësuar me autorizim nga Marsida Xhaferllari.
    Prokuroria e Përgjithshme, në mungesë.
    OBJEKTI: Shfuqizimi, si i papajtueshëm me Kushtetutën, i nenit 15/a  të ligjit nr.9794, datë
    23.7.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe
    disiplinimin e punimeve të ndërtimit”    
    BAZA LIGJORE: Nenet 134/1, shkronja “d” dhe 145/2 të Kushtetutës së Republikës të
    Shqipërisë.
    GJYKATA KUSHTETUESE,
    pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Bashkim Dedja, shqyrtoi pretendimet e kërkuesit;
    parashtrimet e subjekteve të interesuara: Kuvendi i Republikës së Shqipërisë dhe Këshilli i
    Ministrave, të cilët kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës dhe, pasi e diskutoi çështjen në tërësi,
    VËREN:
    I
    Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës (gjykata referuese) me datë 29.9.2010, ka vendosur
    pezullimin e gjykimit të çështjes penale nr.1421, datë 15.4.2009 në ngarkim të të pandehurve F.I.,
    S.D., TH.ZH., A.R., AXH,  akuzuar për kryerjen e veprës penale të ndërtimit pa leje, sipas nenit
    15/a  të ligjit nr.9794, datë 23.7.2007 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8402, datë
    10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve të ndërtimit” dhe dërgimin e çështjes
    Gjykatës Kushtetuese.
    Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) që të
    shfuqizojë, si të papajtueshëm me Kushtetutën, nenin 15/a të ligjit nr.9794, datë 23.7.2007 “Për disa
    ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve
    të ndërtimit”. 
    Ky nen ka këtë përmbajtje:  “Kryerja e punimeve të ndërtimit pa leje ndërtimi me pasojë
    krijimin e sipërfaqeve ndërtimore përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim
    deri në 2 vjet. Kryerje e punimeve të ndërtimit me pasojë shtesa në sipërfaqe ndërtimore tej lejes së
    ndërtimit  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet”.
    Kërkuesi ka pretenduar se neni 15/a i ligjit nr.9794, datë 23.7.2007 është në kundërshtim me
    kriterin formal të miratimit të ligjeve bazuar në nenin 81/2, shkronja “d” të Kushtetutës, që kërkon
    shumicë të cilësuar për përcaktimin e veprave penale. 3353
    Kuvendi, si palë e interesuar,  ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, duke parashtruar këto shkaqe:
    1. Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës nuk legjitimohet, sepse ka pasur mundësi ta zgjidhë
    çështjen pa iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, duke iu referuar nenit 199/a të Kodit Penal. Kodi i
    Procedurës Penale i jep mundësi gjykatës të ndryshojë cilësimin juridik të veprës penale, ndryshe
    nga sa ka përcaktuar Prokurori në akuzë, pa pasur nevojë të pezullojë gjykimin dhe të kërkojë
    kontroll incidental të normës juridike penale.
    2. Gjykatat nuk kanë tagër të pakufizuar që të kërkojnë papajtueshmëri të  ligjeve me
    Kushtetutën edhe për mosrespektim të kritereve formale të miratimit të ligjeve, pasi shndërrohen si
    subjektet e tjera të pakushtëzuara, të përcaktuara në nenin 134/1  nga shkronja “a” deri te shkronja
    “ç” të Kushtetutës.  
    Këshilli i Ministrave,  si palë e interesuar, ka kërkuar rrëzimin e kërkesës, duke parashtruar
    këto shkaqe:
    1. Kushtetuta si burim kryesor i së drejtës penale pranon rregullimin e aspekteve të veçanta
    të së drejtës penale qoftë me Kodin Penal, qoftë me ligj të cilësuar ose të thjeshtë. Koncepti “kod
    penal” nuk mund të njehsohet me konceptin “ligj penal” dhe këto dy koncepte nuk mund të përdoren
    në zëvendësim të njëri-tjetrit rast pas rasti.  
    2. Neni 116 i Kushtetutës në hierarkinë  e normave përcakton ligjet si burime të së drejtës,
    pa bërë një kategorizim të llojit të ligjeve.  Rrjedhimisht, koncepti “ligj”, i përmendur në këtë
    dispozitë, nënkupton çdo lloj ligji të miratuar nga Kuvendi, pavarësisht procedurës, lëndës e
    strukturës së tij.
    3. Neni 81/2 i Kushtetutës përcakton një listë shteruese, për ligjet të cilat miratohen me tre
    të pestat e të gjithë anëtarëve, përfshirë dhe kodet, që nënkupton se pjesa tjetër e ligjeve miratohen
    me shumicë të thjeshtë. Ky nen njeh  rezervën  e përforcuar për përmbajtjen dhe rezervën e
    përforcuar për procedurën. Shkronja”d” e nenit 81/2  të Kushtetutës, ku bëhet fjalë për kodet, njeh
    rezervën e përforcuar për procedurën (3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit) pa përcaktuar
    përmbajtjen.  
              
    II
    A. Për  legjitimimin e kërkuesit
    Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka parashtruar se Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës nuk
    legjitimohet, sepse zgjidhja e kësaj çështjeje mundësohej nga kërkuesi edhe pa iu drejtuar Gjykatës.
    Sipas Kuvendit, lidhja e drejtpërdrejtë mes ligjit objekt i kërkesës dhe zgjidhjes së çështjes konkrete,
    kërkon që gjykata, duke gjykuar një çështje konkrete, të mos ketë mundësi të përdorë një normë
    tjetër ligjore për zgjidhjen e saj. Në rastin konkret gjykata ka pasur mundësi ta zgjidhë çështjen duke
    iu referuar nenit 199/a të Kodit Penal. 
    Gjykata thekson se neni 145, pika 2 e Kushtetutës i njeh të drejtën gjyqtarëve, që në çdo
    fazë të gjykimit, kur ata çmojnë se ligjet vijnë  në kundërshtim me Kushtetutën, të mos i zbatojnë
    ato. Në këtë rast, ata pezullojnë gjykimin dhe ia dërgojnë çështjen Gjykatës Kushtetuese.   
    Gjykata është shprehur në vazhdimësi për aspektet e legjitimimit të gjykatave, të cilat e vënë
    në lëvizje atë nëpërmjet kontrollit incidental. Sipas kësaj Gjykate: ... ligji nr.8577, datë 10.2.2000
    “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, në nenin
    68, përcakton disa kushte, të cilat duhet të respektohen nga gjykata ose gjyqtari për të kërkuar
    kontrollin e kushtetutshmërisë së ligjit përpara Gjykatës Kushtetuese. Së pari, gjykata ose gjyqtari,
    gjatë një procesi gjyqësor duhet të përcaktojë/identifikojë ligjin që zbatohet për zgjidhjen e çështjes
    konkrete; së dyti, duhet të parashtrojë arsye serioze për jokushtetutshmërinë e këtij ligji (të një ose të
    disa dispozitave të ligjit) duke referuar në  normat ose parimet konkrete të Kushtetutës. (...) Në
    mënyrë që të ekzistojë lidhja e drejtpërdrejtë duhet të ketë një raport të domosdoshëm mes vendimit
    të Gjykatës Kushtetuese dhe zgjidhjes së çështjes kryesore nga gjyqtari apo gjykata, subjekt iniciues
    i gjykimit incidental, në kuptimin, që gjykimi nga gjykata e zakonshme nuk mund të përfundojë në
    mënyrë të pavarur nga gjykimi në Gjykatën Kushtetuese”. (shih vendimet: nr.30/2010; nr.18/2010;
    nr.12/2010; nr.2/2010; nr.13/2009; nr.5/2009;  nr.14/2008; nr.11/2008; nr.3/2008; nr.21/2007;
    nr.33/2007; nr.3/2006 të Gjykatës Kushtetuese). 3354
    Gjykata referuese  ka pasur në shqyrtim çështjen penale nr.1421, datë 15.4.2009 në ngarkim
    të të pandehurve F.I., S.D., TH.ZH., A.R., A.XH., akuzuar për kryerjen e veprës penale të
    ndërtimit pa leje, sipas nenit 15/a të ligjit nr.9794, ku përcaktohet se “Kryeja e punimeve të
    ndërtimit pa leje ndërtimi me pasojë krijimin e sipërfaqeve ndërtimore përbën kundërvajtje penale
    dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në  2 vjet. Kryerje e punimeve të ndërtimit me pasojë
    shtesa në sipërfaqe ndërtimore tej lejes së ndërtimit  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
    gjobë ose me burgim deri në 2 vjet”. Gjykata referuese gjatë gjykimit ka vlerësuar se ky nen është i
    papajtueshëm me nenin 81/2 të Kushtetutës, prandaj dhe Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin
    se ekziston lidhja e drejtpërdrejtë midis zgjidhjes së çështjes konkrete dhe dispozitës ligjore që
    kundërshtohet për papajtueshmëri me Kushtetutën.
    B. Mbi pretendimin për mosrespektimin e  kushteve  të përcaktuara nga neni 81/2 i
    Kushtetutës 
    Kërkuesi ka parashtruar se neni 15/a i ligjit nr.9794, ku përcaktohet se “Kryerja e punimeve
    të ndërtimit pa leje ndërtimi me pasojë krijimin e sipërfaqeve ndërtimore përbën kundërvajtje penale
    dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 2 vjet. Kryerja e punimeve të ndërtimit me pasojë
    shtesa në sipërfaqe ndërtimore tej lejes së ndërtimit  përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me
    gjobë ose me burgim deri në 2 vjet”,  është antikushtetues, pasi nuk është zbatuar kriteri formal i
    miratimit të veprave penale me “shumicë e cilësuar” në përputhje me nenin 81/2, shkronja “d'” të
    Kushtetutës. 
    Pala e interesuar, Këshilli i Ministrave ka  pretenduar se kriteri kushtetues “shumicë e
    cilësuar” nuk duhet të zbatohet për sanksionimin e veprave penale, pasi kërkesa e nenit 81/2,
    shkronja “d” të Kushtetutës ka lidhje me rezervën ligjore të përforcuar, jo për shkak përmbajtjeje,
    por për shkak procedure. Sipas këtij subjekti, Gjykata duhet të bëjë një interpretim evolutiv të
    Kushtetutës për parimin e ligjshmërisë në të drejtën penale dhe me konceptet e ligjeve të thjeshta dhe
    të cilësuara. Kushtetuta si burim kryesor i së drejtës penale  pranon rregullimin e aspekteve të
    veçanta të së drejtës penale qoftë me Kodin Penal, qoftë me ligj të cilësuar ose të thjeshtë. Koncepti
    “kod penal” nuk mund të njehsohet me konceptin “ligj penal” dhe këto dy koncepte nuk mund të
    përdoren në zëvendësim të njëri-tjetrit rast pas rasti.  
    Gjykata ka vlerësuar se  Kodi Penal përbën ligjin më të rëndësishëm, ku përmblidhen në
    mënyrë të sistemuar dispozitat penalo-juridike. Një nga parimet kryesore që përshkon këtë Kod
    është edhe parimi i ligjshmërisë që nënkupton parashikimin me ligj të veprave penale dhe
    mosdënimin për një vepër që nuk është parashikuar shprehimisht si krim ose kundërvajtje penale.
    Qëllimi i këtij parimi është jo vetëm respektimi i ligjit për çdo rast dhe për çdo vepër penale, por
    edhe njohja e subjekteve me të gjitha ato veprime ose mosveprime, të cilat konsiderohen të
    dënueshme. Duke qenë se Kodi Penal, krahas Kushtetutës, është burimi kryesor i të drejtës penale
    dhe në zbatim të parimit të ligjshmërisë, parashikimi i veprave penale duhet të bëhet pikërisht në
    këtë Kod, si ligji bazë që parashikon krimet dhe kundërvajtjet penale ose në një ligj të barasvlershëm
    me të nga fuqia juridike (shih vendimin nr.3, datë 5.2.2010 të Gjykatës Kushtetuese).  
    Gjykata është shprehur se shpërndarja e normave juridiko-penale në ligje të ndryshme, si
    dhe ndryshimet e shpeshta në legjislacionin penal, nuk i shërbejnë stabilitetit juridik të vendit, si një
    kusht i rëndësishëm për funksionimin e shtetit të së drejtës  (shih vendimin nr.1, datë 12.1.2011 të
    Gjykatës Kushtetuese).
    Gjykata ka theksuar se Kushtetuta u jep ligjeve të përforcuara fuqi të veçantë juridike në
    krahasim me aktet e zakonshme të ligjvënësit. Për këtë arsye, në hierarkinë e akteve, ligjet e
    përforcuara renditen para ligjeve të zakonshme të Kuvendit (shih vendimet nr.9, datë 23.3.2010 dhe
    nr.19, datë 3.5.2007 të Gjykatës Kushtetuese). Në nenin 4/2 të Kushtetutës deklarohet: “Kushtetuta
    është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Deklarimi i epërsisë së Kushtetutës, duke e
    vendosur në majë të piramidës së normave juridike, është një aspekt thelbësor i parimit të shtetit të
    së drejtës. Ky parim detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre
    vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike, që nxirren nga këto organe,
    duhet të jenë në pajtim  me aktet juridike me të larta, si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material
    (shih vendimet: nr.19, datë 3.5.2007; nr.3, datë 20.2.2006; nr.29, datë 9.11.2005 të Gjykatës
    Kushtetuese ). 3355
    Gjykata vëren se sipas nenit 81/2 të Kushtetutës miratohen me tre të pestat e të gjithë
    anëtarëve të Kuvendit (ligj i përforcuar): a) ligjet për organizimin dhe funksionimin e institucioneve
    të parashikuara nga Kushtetuta; b) ligji për shtetësinë; c) ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe
    vendore; ç) ligji për referendumet; d) kodet; dh)... 
    Sipas kësaj Gjykate, kushtetutbërësi nëpërmjet nenit 81/2, shkronjat “a”, “b”, “c”
    “ç”,”dh”, “e”, “ë”, “f” ka përcaktuar ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar sipas objektit dhe
    përmbajtjes së tyre (p.sh. shtetësia, zgjedhjet,  referendumet), por ka lënë jashtë këtij përcaktimi
    shkronjën “d” të nenit ku bëhet fjalë për kodet. Për kuptimin e nenit 81/2, shkronja “d” të
    Kushtetutës, Gjykata çmon t’i referohet interpretimit historik, logjik, teleologjik të kësaj dispozite,
    duke pasur parasysh kontekstin në të cilin është miratuar. Praktika e deriatëhershme legjislative ishte
    e tillë që veprat penale të përmblidheshin në mënyrë të kodifikuar. Kushtetuta është miratuar në vitin
    1998, periudhë kur veprat penale i kishim të sanksionuara në kodin penal, por edhe para viteve ’90
    sanksionimi i veprave penale ishte realizuar në kodet penale përkatësisht të viteve 1952 dhe 1977.
    Për rrjedhojë, për shkak të kësaj tradite legjislative në vijimësi, pas fjalës “kode”,  në shkronjën “d”
    të nenit 81/2 të Kushtetutës, objekti ose përmbajtja nuk është  specifikuar ashtu si për të gjitha rastet
    e tjera nga shkronja “a” në shkronjën “f” të kësaj dispozite.
    Gjykata çmon se Kuvendi nuk mund të miratojë një ligj të ri ose shtesa në një ligj të
    mëparshëm, të cilat kërkojnë “shumicë të cilësuar”, me “shumicë të thjeshtë”, sepse në këtë mënyrë
    ligjet që kërkojnë “shumicë të cilësuar” mund ta humbasin rëndësinë e tyre.
    Për më tepër, Gjykata vlerëson se respektimi i kriterit kushtetues “shumicë e cilësuar”, për
    sanksionimin e veprave penale në Kodin Penal, është edhe në funksion të parimit të sigurisë juridike.
    Ky parim ka si kërkesë të domosdoshme faktin që ligjet në tërësi duhet të garantojnë qartësi,
    parashikueshmëri dhe kuptueshmëri për individin, prandaj dhe praktika e përqendrimit të veprave
    penale vetëm në kod do të ishte një orientim i mirë për informimin e individëve për veprimet ose
    mosveprimet e tyre, të cilat mund të konsiderohen të kundërligjshme në fushën e së drejtës penale. 
    Si përfundim, Gjykata vlerëson se neni 15/a  i  ligjit nr.9794, datë 23.7.2007 “Për disa
    ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve
    të ndërtimit”, nuk është miratuar sipas kushteve të kërkuara nga neni 81/2 i Kushtetutës, prandaj dhe
    kërkesa e paraqitur nga kërkuesi, në kuptim të nenit 145/2  të Kushtetutës,  duhet pranuar.
    PËR KËTO ARSYE:
    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 145/2 të Kushtetutës
    dhe nenit 68 të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës
    Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, me shumicë votash,
    VENDOSI:
    - Shpalljen si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 15/a të ligjit nr.9794, datë 23.7.2007
    “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.8402, datë 10.9.1998 “Për kontrollin dhe disiplinimin e
    punimeve të ndërtimit”.
    Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e  botimit në Fletore
    Zyrtare.
    Anëtarë pro: Bashkim Dedja (kryetar), Xhezair Zaganjori, Vladimir Kristo, Sokol Sadushi,
    Petrit Plloçi, Admir Thanza, Sokol Berberi
    Anëtar kundër: Vitore Tusha



    Share:



    Postuar nga: khoxha

    Data: 07/07/2011

    ikub#: 1107070116

    Shfleto artikuj te tjere per: REPUBLIKA E SHQIPERISE, SHQIPERIA,

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt

©2014 ikub.al