Back

NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDIM
Nr.16, datë 4.5.2011
NË EMËR TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË


Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga:
Vladimir Kristo  Anëtar  i Gjykatës Kushtetuese (kryesues i seancës)
Xhezair Zaganjori Anëtar  i “ “
Petrit Plloçi  Anëtar  i  “ “
Vitore Tusha   Anëtare e “ “
Sokol Sadushi  Anëtar  i “ “
Admir Thanza   Anëtar  i “ “
Sokol Berberi  Anëtar  i “ “
me sekretare Blerina Çinari, në datë 27.1.2011 mori në shqyrtim në seancë gjyqësore me  dyer të hapura çështjen nr. Akti 35/20 që i përket:
KËRKUES: Artan Hajdini, përfaqësuar nga avokati, Luan Shabani, me deklarim.
SUBJEKTE TË INTERESUARA:
- Zyra e Përmbarimit, Tiranë, në mungesë.
- Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, përfaqësuar nga Eriola Sovali, me autorizim.
OBJEKTI: Konstatimi i cenimit të së drejtës  për proces të rregullt ligjor si rezultat i moszbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr.313, datë 10.7.2007 të Gjykatës së Apelit  Tiranë.
BAZA LIGJORE: Nenet 42, 131/f dhe 134/g të Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë dhe  neni 6 i Konvetës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Sokol Berberi, kërkuesin që u shpreh për pranimin e  kërkesës, përfaqësuesen e subjektit të interesuar, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, e cila kërkoi  rrëzimin e kërkesës, si dhe bisedoi çështjen në tërësi, 2425
VËREN:
I
1. Kërkuesi Artan Hajdini ka punuar në administratën tatimore si inspektor në Zyrën e  Informacionit dhe Investigimit në Degën e Tatimeve të Fierit, në periudhën gusht 2003–tetor 2006.  Me aktin administrativ nr.1570,  datë 25.10.2006 të Drejtorit të  Përgjithshëm të Tatimeve, është  larguar nga shërbimi civil. Marrëdhëniet financiare i janë ndërprerë në 30.10.2006.
2. Kërkuesi është ankuar, kundër vendimit të  mësipërm, në Komisionin e Shërbimit Civil  (KSHC). Ky i fundit, me vendimin nr.695, datë 21.12.2006, ka vendosur shfuqizimin e vendimit të  Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve dhe kthimin e kërkuesit në vendin e mëparshëm si inspektor  kontrolli në degën e tatimeve Fier dhe detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) për
të bërë pagesën e kërkuesit që nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në   zbatimin e këtij vendimi.
3. Gjykata e Apelit Tiranë, me vendimin nr.313 datë 10.7.2007, ka vendosur rrëzimin e  kërkesëpadisë së ngritur nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe lënien në fuqi të vendimit të  KSHC-së. Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë, me vendimin nr.438, më datë 16.4.2010, ka vendosur  mospranimin e rekursit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve kundër vendimit të mësipërm të
Gjykatës së Apelit.  Me vendimin nr.58, datë 23.4.2008, Gjykata e Apelit Tiranë ka vendosur lëshimin e urdhrit  të ekzekutimit për vendimin nr. 313, datë 10.7.2007 të Gjykatës së Apelit, Tiranë.
4. Zyra e Përmbarimit Tiranë në datë 16.6.2008, me shkresën nr.7774 i ka drejtuar DPT-së  lajmërim për ekzekutim vullnetar; me shkresën nr.8694, datë  26.6.2008 “Vendim për fillimin e  ekzekutimit të detyrueshëm; me shkresën nr.18968, datë 10.12.2009 “Kërkesë e përsëritur për  ekzekutim titulli ekzekutiv”; me shkresën nr.874, datë 18.1.2010 “Vendim për gjobitje të personit të  ngarkuar nga ligji”; me shkresën nr.6992, datë 3.5.2010 “Kërkesë për ekzekutim të titujve  ekzekutivë”. 
5. Kërkuesi pretendon përpara Gjykatës Kushtetuese se i është cenuar e drejta për një proces  të rregullt ligjor, e sanksionuar nga neni 42 i Kushtetutës dhe nenit 6/1 i Konventës Europiane për të  Drejtat e Njeriut (KEDNJ), për shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.
II
Për pretendimin se kërkuesit i është cenuar e  drejta për një proces të rregullt ligjor për  shkak të mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë brenda një afati të arsyeshëm
6. Gjykata Kushtetuese (Gjykata) është shprehur edhe më parë se ekzekutimi brenda një afati  të arsyeshëm i një vendimi të formës së prerë të gjykatës është pjesë përbërëse e të drejtës për një  proces të rregullt ligjor në kuptim të Kushtetutës dhe të KEDNJ-së (vendimet nr.27, datë 20.6.2007;  dhe nr.6, datë 6.3.2009 të Gjykatës Kushtetuese). Ekzekutimi i vendimit përbën një element
thelbësor të shtetit të së drejtës e të vetë nocionit të gjykimit të drejtë. Asnjë organ shtetëror nuk  mund të vërë në diskutim drejtësinë e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Çdo organ shtetëror  detyrohet të marrë masat përkatëse për zbatimin e tyre (vendimet nr.6, datë 31.03.2006; dhe nr.6,  datë 6.3.2009 të Gjykatës Kushtetuese). Procesi i vendosjes në vend të një të drejte të shkelur  përfshin jo vetëm vendimmarrjen e gjykatave, por edhe veprimet konkrete të organeve përgjegjëse të  ngarkuara me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të  formës së prerë. Gjykata është shprehur edhe  më parë se autoritetet shtetërore nuk mund të përmendin mungesën e fondeve si justifikim për të  mos respektuar një detyrim financiar që vjen nga një vendim gjyqësor (vendimi nr.6, datë 6.03.2009
i Gjykatës Kushtetuese). Një vonesë në ekzekutimin e një vendimi mund të justifikohet në rrethana të  veçanta, por vonesa nuk mund të jetë deri në atë shkallë sa të dëmtojë thelbin e së drejtës (vendimi  nr.43, datë 19.12.2007 i Gjykatës Kushtetuese).  2426
7. Gjykata është shprehur se kohëzgjatja e arsyeshme e procedimeve duhet të vlerësohet në  dritën e rrethanave të çështjes dhe duke marrë në konsideratë kompleksitetin e çështjes, sjelljen e  aplikantit dhe të autoriteteve përkatëse, si dhe interesin e kërkuesit. Për vlerësimin e kompleksitetit  të procedimeve duhet të kenë rëndësi të gjitha aspektet e çështjes, përfshi objektin e çështjes, faktet e
kundërshtuara, vëllimin e provave shkresore. Kompleksiteti i çështjes, në balancë me parimin e  sigurimit të administrimit të përshtatshëm të drejtësisë, mund të justifikojë kohëzgjatje kohore të  konsiderueshme (vendimet nr.6, datë 31.3.2006; nr.43, datë 19.12.2007; nr.6, datë 6.3.2009 të  Gjykatës Kushtetuese).
8. Me qëllim analizimin e sjelljes së palëve në dritën e standardeve kushtetuese, në çështjen  objekt shqyrtimi, merren në konsideratë edhe dispozitat e Kodit të Procedurës Civile (KPC) për  zbatimin e vendimeve gjyqësore. Këto dispozita sqarojnë procedurat ligjore, të cilat duhen plotësuar  për ekzekutimin e një vendimi gjyqësor. 
9. Në çështjen në shqyrtim, Gjykata vlerëson nëse Zyra e Përmbarimit Tiranë i ka marrë të  gjitha masat e nevojshme për zbatimin e urdhrit të ekzekutimit në përputhje me vendimin gjyqësor të  formës së prerë dhe, në këtë mënyrë, vlerësohet nëse veprimet ose mosveprimet, të kryera nga  autoritetet shtetërore përgjegjëse për zbatimin e vendimit gjyqësor, janë në përputhje me standardin
kushtetues të gjykimit të drejtë brenda një afati të arsyeshëm. 
10. Nga materialet e dosjes gjyqësore rezulton se Zyra e Përmbarimit Tiranë, në datën  16.6.2008 ka nxjerrë aktin “Lajmërim për ekzekutim vullnetar” të urdhrit të ekzekutimit Nr.58, datë  23.4.2008 të Gjykatës së Apelit Tiranë. Në këtë lajmërim përcaktohet se Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve është e detyruar të kthejë kërkuesin, Artan Hajdini, në vendin e mëparshëm të punës dhe
t’i bëjë atij pagesën nga momenti i ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në zbatimin e këtij  vendimi, gjithsej në shumën 1 304 704 lekë. Për shkak të mosekzekutimit vullnetar, Zyra e  Përmbarimit ka vendosur për fillimin e ekzekutimit të detyrueshëm. Ky vendim shpreh edhe se këtij  vendimi i bashkëngjitet vendosja e masës së sekuestros në llogaritë e debitorit në bankat e nivelit të
dytë. Në vazhdim të veprimeve të mësipërme janë nxjerrë edhe këto akte: në datë 12.1.2010,  “Kërkesë e përsëritur për ekzekutim titulli ekzekutiv”; në datë 18.1.2010, “Vendim për gjobitjen e  personit të ngarkuar nga ligji, ku Artur Papajani, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme  të Tatimeve, gjobitet me 50 000 lekë për pengim ekzekutimi të veprimeve përmbarimore në zbatim  të titullit ekzekutiv; në datë 20.1.2010, “Kërkesë për ekzekutimin e titujve ekzekutivë dhe dërgim  informacioni për çështjet, me palë debitore Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. 
11. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në datë 13.5.2008, ka lëshuar vërtetim nga dega e  tatimeve Fier se kërkuesi Artan Hajdini, ka qenë punonjës i kësaj dege, është larguar në 30 tetor  2006 dhe se paga bruto në muajin tetor ka qenë 55 425 lekë. Ky vërtetim është lëshuar për Zyrën e  Përmbarimit. Në datën 7.7.2008, DPT-ja i kthen përgjigje Zyrës së Përmbarimit, duke e informuar  se pranë Gjykatës së Lartë është paraqitur kërkesa për pezullim të urdhrit të ekzekutimit dhe se ky  urdhër do të ekzekutohet pasi kjo çështje të gjykohet nga Gjykata e Lartë. Në datën 3.2.2010 i \ dërgohet Zyrës së Përmbarimit sqarimi se “për kreditorin Artan Hajdini duhet të dërgohen vendimet  gjyqësore dhe vërtetimi i pagës. Pasi të bëhet plotësimi i dokumentacionit do të shqyrtohet vendimi
gjyqësor”. DPT-ja, edhe përpara Gjykatës Kushtetuese, pretendon se Zyra e Përmbarimit nuk ka  plotësuar dokumentacionin e kërkuar për të zbatuar urdhrin e ekzekutimit  ndaj kreditorit, Artan  Hajdini.
12. Gjykata vëren se urdhri ekzekutiv i lëshuar nga Gjykata e Apelit Tiranë mban datën  23.4.2008. Pra, kanë kaluar rreth 2 vjet e 8 muaj nga data që ka dalë ky urdhër dhe ai ende nuk  është zbatuar. Arsyet e parashtruara nga DPT-ja  për moszbatimin e urdhrit të ekzekutimit janë të  pambështetura. Kështu, argumentet për plotësim dokumentacioni me vendimin gjyqësor, kur vetë  DPT-ja është shprehur në një shkresë se ka kërkuar pezullim në Gjykatë të Lartë të këtij urdhri  ekzekutimi, qartëson faktin se kjo drejtori ka pasur dijeni për këtë akt. Vendimi nr.438, datë  16.4.2010 i Gjykatës së Lartë, me kërkues Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve me objekt
“Kundërshtimin e vendimit nr.695 datë 21.12.2006 të Komisionit të Shërbimit Civil, i cili është  vendimi që lidhet me çështjen e kërkuesit Artan Hajdini, konfirmon edhe njëherë faktin se DPT-ja  kishte dijeni për përmbajtjen e vendimeve që lidhen me kërkuesin dhe detyrimet e saj përkatëse.  Edhe pretendimi i DPT-së se Zyra e Përmbarimit duhet të plotësonte dokumentacionin me vërtetimin 2427 e pagës së kërkuesit për kohën që ka qenë punonjës i DPT-së, dega e Fierit, është i pabazuar. Është  vetë kjo drejtori (dega e Fierit) që ka lëshuar vërtetimin për Zyrën e Përmbarimit, ku përcaktohet  edhe paga bruto për pozicionin që ka mbajtur kërkuesi. 
13. Gjykata vëren se Zyra e Përmbarimit e kishte mundësinë që në shkresën e saj më të  fundit drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve ta llogariste edhe njëherë shumën e saktë që  kjo drejtori i detyrohet kërkuesit në zbatim të urdhrit ekzekutiv të Gjykatës së Apelit Tiranë, ashtu si  ka bërë për shumë kreditorë të tjerë në shkresën e datës 20.1.2010. Gjithashtu, Gjykata çmon se  është e pajustifikuar që DPT-ja nuk ka filluar të bëjë shlyerjen e kërkuesit, sipas parashikimeve të  nenit 537 të KPC-së në përputhje me urdhrin e ekzekutimit të Gjykatës së Apelit, i cili ka më shumë  se 2 vjet e 8 muaj që është marrë. 
14. Përsa më sipër, Gjykata arrin në përfundimin se kërkuesit Artan Hajdini i është cenuar e  drejta për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës  së prerë nr.313, datë 10.7.2007 të Gjykatës së Apelit Tiranë. 
PËR KËTO ARSYE:
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131 shkronja “f”  dhe 134, pika 1, shkronja “g” të Kushtetutës, nenit 72 të ligjit nr.8577, datë 10.2.2000 “Për  organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, njëzëri, 
VENDOSI:
- Konstatohet cenimi i së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e  mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr.313, datë 10.7.2007 të Gjykatës së Apelit  Tiranë.
- Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në  Fletoren Zyrtare.
Anëtarë: Petrit Plloçi, Vladimir Kristo, Xhezair Zaganjori, Sokol Sadushi, Vitore Tusha,
Sokol Berberi, Admir Thanza.  

Data postimit :28/05/2011
Ikub# :1105280038
Tags: SHQIPERIA
Lexuar :673 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Data e hyrjes ne fuqi:05/13/2011
Data e miratimit:05/04/2011
Statusi i ligjit:I ndryshuar
Data e ligjit:05/04/2011
Numri i fletores zyrtare:58
Data e fletores zyrtare:05/13/2011
Faqja e fletores zyrtare:2424
Numri i ligjit:16

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al