Back

Shërimi pas lindjes

Çfarë duhet të pres pas lindjes natyrale?

Pas lindjes, do të ndjeheni çuditshëm, nga fakti që nuk e keni më barkun e fryre. Humbja në peshë, e shkaktuar nga dalja e foshnjes, placenta, dhe uji amniotik është e rëndësishme, dhe kur kësaj i shtojmë edhe humbjen e ujërave të mbledhura gjatë shtatzënisë me shtimin e urinimit dhe djersitjen, është pak e vështirë derisa të mësoheni me këto.

Mitra juaj mblidhet menjëherë pas lindjes, nga madhësia e cila para lindjes është për 25 herë më e madhe, në madhësinë e para shtatzënisë. Ky është proces i cili zgjat gjatë muajit të parë, në dy javët e para mitra është në gjysmën e madhësisë paraprake, ndërsa gjer në javën e katërt, kthehet në madhësinë e para shtatzënisë. Sa herë që jepni gji, do të ndjeni tkurrjen e mitrës, për shkak të refleksit të shkaktuar nga sekretimi i oksitocinës, i cili njëkohësisht shkakton ngërçe të muskujve të kanaleve të qumështit, dhe muskujve të mitrës.

Me lindjen e foshnjes, organet e mbrendshme (lukthi, zorra e hollë dhe e trashë, fshikëza) kthehen në vendin e tyre dhe mund të ndodh që, gjatë ditëve të para të mos mund ti kontrolloni gazrat dhe jashtëqitjen. Ndikimin më intensiv në organizmin tuaj pas lindjes, e bën rënia e estrogjenit (niveli i estrogjenit bie për 90 % në raport me periudhën e para lindjes). Do të vëreni që gjatë muajve të parë bien flokët më shumë, gjoksi bëhet më i fortë dhe i ndjeshëm, me paraqitjen e kulloshtrës, qumështit të parë të pasur dukshëm me proteina dhe yndyrëra, mund të ndjeni ngritje dhe rënie emocionale (simptome të njohura si “baby blues”), meqenëse kjo gjendje do të duhej të qetësohet pas disa javësh. Nëse simptomet zgjasin edhe më tej, lajmërohuni tek mjeku, sepse mund të vie gjer tek depresioni postnatal.

A do të vendosem së bashku me foshnjen time pas lindjes?

Nëse keni lindur në mënyrë natyrale, dy orët e para pas lindjes,do ti kaloni në sallën e lindjes. Nëse gjatë lindjes, nuk keni patur komplikime, foshnja juaj do të gjendet pranë jush. Mund ti vëzhgoni reaksionet e saj të para, për botën rreth saj. Pas kësaj, do të vendoseni në dhomën e pas lindjes, së bashku me foshnjen tuaj ku edhe, mund të filloni gjidhënjen për herë të parë.

Nëse lindja ka qenë e vështirë për foshnjen tuaj apo është kryer me ekstrakt vakumi, pediatri i cili ka marrë pjesë në lindje, foshnjen tuaj do ta dërgojë në repartin e neonatologjisë, ku do ti mundësohet kujdes më intenziv.

Tek gratë me lindje cezariane, fëmijët vendosen në repartin e të posalindurve, me faktin që nënat pas lindjes me prerje cezariane, gjatë ditëve të para nuk janë mjaft të lëvizshme, që të jenë në gjendje të kujdesen për fëmijën e tyre.

A mund të ha menjëherë pas lindjes?

Pas lindjes vaginale, mund të hani pasi që të vendoseni në repart, meqenëse gjatë orëve të para pas lindjes rekomandohet zëvendësimi i lëngjeve. Mund të pini ujë, lëngje natyrale të freskëta, përgjithësisht lëngje jo të gazuara. Nëse jeni të uritura, apo nëse kanë kaluar shumë orë pas ushqimit tuaj të fundit, mund të hani biskota apo jogurt pemësh.

A mund të bart korsenë rreth barkut pas lindjes?

Bartja e korsesë pas lindjes preferohet, madje edhe pas lindjes cezariane, sepse korseja duhet të ndihmojë në muskujt e barkut, të cilët gjatë shtatzënisë kanë qenë veçanërisht të shtrirë. Korsenë bartni gjatë kohës kur qëndroni në këmbë, nuk është e nevojshme ta bartni gjatë gjidhënjes apo gjatë kohës së qëndrimit shtrirë.

Kur duhet të kryej vizitë kontrolli pas lindjes?

Nëse nuk keni vuajtje, vizita e parë pas lindjes kryhet pas gjashtë javësh. Në këtë kontrollë, duhet të përcaktohet gjendja juaj e përgjithshme, matet pesha dhe shtypja e gjakut, bëhet kontrolla e perineumit, vaginës, dhe qafës së mitrës, në mënyrë që të vlerësohet shkalla e kthimit në gjendje normale, eventualisht edhe kontrolla me ultrazë, në mënyrë që të kontrollohet zgavra e mitrës.

Mjekut tuaj mund t`ia thoni dyshimet tuaja dhe ti bëni pyetje në lidhje me temat të cilat ju interesojnë, ndërsa mjeku juaj do të ju tregojë se, kur është koha e duhur, që të filloni marrëdhëniet seksuale me partnerin tuaj.

Kur do të më vijnë menstruacionet e para pas lindjes?

Gjatë gjidhënjes, niveli i hormoneve i cili rregullon sekrecionin e qumështit (prolaktina) është i lartë. Prolaktina, vepron si një faktor ndalues për hormonet që rregullojnë ciklin menstrual, hormonin folikulostimulant (HFS) dhe hormonin luteinik (HL), kështu që nuk lejon paraqitjen e mestruacioneve. Kur HFS dhe HL fillojnë ciklin e tyre, juve do ju vijnë menstruacionet.

Menstruacionet e para mund të jenë të parregullta, për shkak të pamjatueshmërisë së drejtpeshimit, por kjo rregullohet shumë shpejtë. Fakti që nuk keni menstruacione, nuk do të thotë që nuk mund të mbeteni shtatzënë. Gjithsesi përdorni kontraceptivë gjatë periudhës së gjidhënjes në konsultim me mjekun tuaj.

A do të jetë e zgjeruar dhe e tendosur vagina ime pas lindjes?

A do të ju kthehet vagina pas lindjes në madhësinë e saj normale dhe fortësinë, mvaret nga shumë faktorë: madhësisë së foshnjes që keni lindur, numrit të lindjeve, si dhe a kryeni ushtrime të rregullta të Kegelit. Në madhësinë e foshnjes nuk mund të ndikoni, numri i lindjeve është vendim i përbashkët, por me ushtrime të Kegelit mund ti ndihmoni muskujve që të kthejnë tonusin normal, ku me këtë kthehet edhe elasticiteti dhe fortësia e mureve vaginale.

Ushtrimet Kegel kryhen nga nevoja për të shkaktuar një tkurrje të muskujve të bazës së legenit (sikur të doni të ndaloni qarkullimin e urinës) dhe e mbani atë për një periudhë prej 5-8 sekondash. Pas 10 sekonda pauze, përsëritni kontraktimin. Kjo përbën një seri prej 5 – 10 kontraktimesh, disa herë gjatë ditës. Filloni ngadalë, dhe duke ndjerë që muskujt bëhen më të fortë, përforconi edhe gjatësinë e kontraktimit dhe numrin e ushtrimeve.

A mund të përdorë tamponë pas lindjes?

Jo, së paku 6 javë pas lindjes. Mitra juaj pas lindjes paraqet vendin, ku gjatë kthimit në madhësinë dhe karakteristikat para shtatzënisë, mund të ndodh depërtimi i mikroorganizmave dhe shkaktimi i infeksionit. Prandaj gjatë ditëve të lohjeve dhe shkarkesave nga mitra, mos përdorni tamponë.

Këpucët më vijnë të vogla pas lindjes, a nënkupton kjo, që më janë rritur këmbët?

Këmbët tuaja nuk u janë rritur bukfalisht, por është shumë e mundshme që këpucët që i keni bartur para shtatzënisë, tani për ju janë të vogla. Pjesërisht, kjo është për shkak të kilogramëve të tepërt gjatë shtatzënisë, pjesërisht për shkak të grumbullimit të ujit gjatë shtatzënisë, por edhe pjesërisht ndodh për shkak të ndikimit të hormonit relaksinë, i cili mundëson zbutjen e ligamenteve të legenit dhe lëvizjen më të lehtë të foshnjes përmes kanalit të legenit dhe vet lindjes. Të gjitha këto zhduken për disa muaj pas lindjes, kështu që blerja e këpucëve të reja, është më shumë kënaqësi për ju se sa nevojë.

Kur mund të lahem pas lindjes?

Pas lindjes vaginale mund të laheni menjëherë të nesërmen, nëse nuk keni patur epiziotomi. Ndërsa në rastet me epiziotomi, duhet pritur një javë, në mënyrë që plaga së paku pjesërisht të jetë e shëruar.

Kur mund të filloj punën pas lindjes?

Nuk duhet të filloni punën pa kaluar 6 javë pas lindjes. Natyrisht edhe pas kësaj, kthimi në punë varet nga lloji i punës, kërkesat e saj fizike, dhe orët e punës. Keni parasysh që, foshnja merr shumë kohë dhe fuqi. Mungesa e gjumit dhe lodhja, mund të ju pengojnë në kryerjen adekuate të punëve, prandaj mund të ketë ndikim të kundërt nëse ktheheni në punë para kohe. Nëse punëdhënësi juaj, është njeri i kuptueshëm, i cili do të ju jap pauzë kurdo që ju nevojitet juve apo do të ju lejojë që të jepni gji në punë, mund ta merrni në konsideratë kthimin në punë pas javës së gjashtë, pas lindjes.bebaime/

euromedica
Data postimit :28/04/2011
Ikub# :1104280031
Tags: LINDJE PER FEMRA
Lexuar :6,126 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Burimi:ikub.al

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al