Back

Tiroidja, rreziqet qe shfaqen kur gjendra prodhon shume jod

Mjekët shpjegojnë si mund ta kuptoni nëse vuani nga kjo sëmundje dhe si trajtohet ajo. Sipas tyre, ka shumë diskutime në lidhje me faktorët shpërthyes të kësaj sëmundjeje. Nga studimet e bëra ka rezultuar se streset e papritura ose të zgjatura, marrja e jodit me shumicë, apo dhe faktorët autoimune, janë disa ndër shkaktarët që çojnë në funksionin e shtuar të gjëndrës tiroide. Traumat psikologjike janë konsideruar si shkak në shumicën e rasteve. Dietat me rënie nga pesha të shoqëruara me marrjen e hormoneve të tiroides mund të pasohen me këtë sëmundje. Një shkak tjetër është marrja e jodit në sasi të madhe. Por dhe stimujt e tepërt nga hipofiza, si pasojë e një tumori të mundshëm të saj, mund të jenë përgjegjëse për rritjen e funksionit të tiroides.
Sëmundja
Sëmundja është më e shpeshtë te gratë sesa te burrat në raporte 5:1. Tiroidja është një sëmundje e trashëgueshme. Në 1/4-1/5 të rasteve, pacientët kanë njerëz të afërt që vuajnë nga kjo sëmundje. Në disa raste sëmundja zhvillohet pa u kuptuar për muaj dhe vite dhe një ditë prej ditësh, ajo shpërthen papritur. Fillimisht shenjat e sëmundjes nuk janë specifike dhe nuk mund të dallohen nga ato të pacientëve, që vuajnë nga çrregullime funksionale. Nervozizmi, pagjumësia, djersët, rrahjet e shpejta të zemrës, intolerancë ndaj të nxehtit, lodhje, rënie e flokëve, oreks i shtuar dhe rënia nga pesha shpejt dhe tepër, janë disa nga shenjat që tregojnë për praninë e kësaj sëmundjeje. Gjëndra tiroide është e zmadhuar 2-4 herë në volum dhe po t’i vihet dora sipër shpesh dëgjohet një si trill ose gërhitje e lehtë që flet për vaskularizimin e tepërt dhe qarkullimin e shtuar të gjakut. Në 1/4 e të sëmurëve shihet një zmadhim dhe dalje të kokërdhokëve të syve me një ënjtje të kapakëve, shenjë kjo, e cila kur përparon merr një zhvillim të pavarur dhe me perspektivë jo shumë të favorshme. Rrahjet e zemrës të shpejtuara janë shenja e detyrueshme e sëmundjes dhe e veçanta e tyre është prania e tyre edhe në gjumë.
Pasojat
Të sëmurët me hipertiroidizëm shpesh ankohen për vështirësi në frymëmarrje pas një sforcimi të lehtë, kjo si pasojë e dobësisë së muskujve të frymëmarrjes. Ata mund të kenë shenja të dobësisë kockore nga humbjet e kalciumit dhe fosforit, kanë një dridhje fine të duarve që konstatohet vetëm kur preken nga jashtë. Lëkura, si organi i rregullimit të temperaturës së trupit, merr një rëndësi të veçantë në sëmundjen e tiroides. Në funksion e shtuar të saj, ajo është e ngrohtë, e butë dhe e njomë. Floku është i hollë, i thyeshëm, bie shpejt dhe thinjet para kohe. Thonjtë janë të thatë dhe në pjesët e tyre fundore fillojnë e çahen. I sëmuri mund të ketë ënjtje në pjesën e poshtme të kërcinjve. Barra ka një ndikim të favorshëm mbi këtë sëmundje. Në këto kushte mjekimi i saj mund të bëhet me doza të vogla antityroidienë dhe qetësues, por duhet të kihet kujdes, pasi këto ilaçe kalojnë barrierën placentate dhe mund të dëmtojnë fëmijën duke frenuar tiroiden e tij. Organet e tjera të organizmit ndikojnë në funksionin e shtuar i tiroides. Lëvizshmëria e zorrës është e shpejtuar dhe rreth 1/3 e pacientëve kanë diarre. Në disa raste mund të ketë dëmtim të funksionit të mëlçisë me rritje të transaminazave dhe të bilirubinës në gjak. Hormonet e rritura të tiroides kanë ndikim edhe në metabolizmin e yndyrave dhe të sheqernave. Vërehet shpesh një ulje e kolesterolit, rritje e sheqerit në gjak, që shoqërohet me daljen e tij në urinë, ndërsa diabeti i sheqerit është gjetur në 2-3 për qind e këtyre të sëmurëve.
Mjekimi
Mjekimi i funksionit të shtuar të tiroides ka për qëllim të bllokojë prodhimin e tepërt të hormoneve të saj. Ky bllokim mund të bëhet në mënyra të ndryshme, në varësi të shumë faktorëve dhe kushteve që kanë lidhje me vetë të sëmurin, me formën e sëmundjes ose sipas praktikave të vendeve ose qendrave të ndryshme të mjekimit. Aktualisht më i përdorshëm është mjekimi me barnat antityroidienë. Këta janë preparate, të cilët ndërhyjnë në hallka të ndryshme të procesit metabolik të jonizimit organik të jodit dhe të formimit të hormoneve të tiroides ose duke penguar konvertimin periferik te thyroxinës (T4) në trijodtyroninë (T3), e cila mendohet se është forma aktive e hormonit tiroid. Krahas këtyre, një vend të rëndësishëm zënë dhe përdorimi i barnave me veprim qetësues në drejtim të sistemit nervor, ngadalësimit të rrahjeve të zemrës, siç janë si dhe rregulluesit e metabolizmit të proteinave dhe vitaminoterapia. Në disa vende i japin përparësi trajtimit kirurgjikal të kësaj sëmundjeje. Kjo konsiston në heqjen e pjesës më të madhe të tiroides, duke lënë përafërsisht 1/10 e saj. Kjo metodë mjekimi rekomandohet në ato raste kur gjëndra tiroide është tepër e madhe dhe ka shenja të kompresionit me pengesa në frymëmarrje dhe gëlltitje, kur ajo është tepër e fortë dhe pëson një rritje të menjëhershme dhe kur mosha e pacientit nuk është nën 25 vjeç. Dhënia e jodit radioaktiv për qëllime mjekimi bëhet më tepër për ato raste kur mjekimi i Hipertyreozës si me barna, ashtu dhe me rrugë kirurgjikale ka dështuar dhe sëmundja është përsëritur, ose kur nuk mund të përdoret as njëra as tjetra metodë për arsye të ndryshme, siç janë rastet me alergji ndaj barnave dhe nuk mund të bëhet ndërhyrja kirurgjikale.

Pasojat, tiroidja shkakton probleme edhe me sytë
Përveç problemeve të mësipërme, tiroidja shkakton probleme edhe me sytë. Kjo haset në rreth 1/4 e këtyre pacientëve. Ndryshimet në sytë e të sëmurëve me Hipertyreosis kanë veçoritë e tyre dhe variojnë nga format e saj të lehta e të mesme deri në dëmtime të rënda me dalje të kokërdhokëve jashtë, me ënjtje të kapakëve, skuqje, lotim, dhimbje me ndjenjën e rërës në sy, me vështrim të dyzuar të objekteve dhe deri në ulçeracion të kornesë nga pamundësia e kapakëve për të mbuluar dhe për të siguruar lagështinë e nevojshme të kokërdhokëve. Sytë e këtyre të sëmurëve, dhe po të ushtrohet presion mbi ta, nuk shkojnë në pozicionin e tyre normal si pasojë e trashjes së muskulit të syrit dhe i grumbullimit të yndyrave në pjesën e prapme të tij. Ecuria e mëtejshme e këtij çrregullimi kur ai është prezent është e pavarur nga ecuria e sëmundjes së tiroides, prandaj dhe trajtimi i tij kërkon një qëndrim të veçantë. Në rastet ekstreme, kur rrezikohet pamja e të sëmurit rekomandohet ndërhyrje kirurgjikale për të liruar hapësirën mbrapa syrit nga grumbullimet e yndyrave ose bëhet prerja e trunkut të Hipofizës. Në situata të tjera, përdorimi i kortizonit në doza të larta përmirëson situatën, ndërsa në format e lehta të këtyre të sëmurëve u rekomandohet kufizimi i lëngjeve, kripës dhe pozicioni i ngritur i kokës gjatë gjumit.

Faktorët që ndikojnë në shtimin e funksionit
Streset e papritura, ose të zgjatura
Marrja me shumicë e jodit
Traumat psikologjike
Dietat me rënie nga pesha të shoqëruara me marrjen e hormoneve të tiroides
Faktorë autoimune (që lidhen me problemet e sistemit imunitar)
Marrja pa kriter e medikamenteve për trajtimin e strumave (sëmundje e tiroides)

Simptomat
Nervozizëm
Pagjumësi
Djersë
Rrahje të shpejta të zemrës
Lodhje
Rënie e flokëve
Oreks i shtuar
Rënie e shpejtë nga pesha
Vështirësi në frymëmarrje
Dridhje të duarve
Çarje në pjesën fundore të thonjve
Ënjtje në pjesën e poshtme të kërcinjve


Data postimit :27/04/2011
Ikub# :1104270065
Tags: TIROIDE
Lexuar :7,734 here

Detaje te tjera Komente Harta Artikuj te ngjashem
Share:
Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Detaje te tjera

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Harta


Te ngjashem


Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al

Gallery

Versioni i plote | Publicitet | Kontakt
©2014 ikub.al